Kryetari Latifi me bashkëpunëtor bënë Homazh te ,,MAJA E SHKODRANIT”

Në një postim në facebook te kryetarit të komunës së Rahovecit Smajl latifi, me rastin e 21 vjetorit të sakrificës së dëshmorëve te shkëmbi mbi Rahovec thuhet: 21 korriku i vitit 1998, për ne dhe brezat pas nesh, është edhe një dëshmi e një faqeje lavdie e historisë e shkruar me gjak trimash. Rezistencës deri në vetëmohim të bashkëluftëtarëve të UÇK-së i dhanë kuptim Mizahir Isma, Eshrefedin Kastrati, Arian Brahimi-Shkodrani, Bekim Isma. Janë djemtë e bashkuar që u besatuan për të qëndruar stoikisht në pozicione të luftës e të nderit, deri në fund. Ndaj shkëmbin mbi Rahovec e shohim edhe si një vend të ashpër, por të bukur e të begatë, mjaft tërheqës dhe me vlera të shumanshme. Kurdo që shkon atje, vetvetiu përpara sheh një natyrë që s’e ngop dot syrin, peizazhe që mbajnë brenda copëza të përziera kujtimesh për të djeshmen, por edhe plot ide dhe ëndrra për të nesërmen. Edhe njeriu i zakonshëm, ai që vetëm pak e do vendin e vet, për më tepër, ai i cili s’mund të sillet pasiv dhe i ftohtë ndaj asaj që sheh sot. Kështjella e gurit dhe mjediset përreth saj me gurë, shtegu i ecjes dhe rruga e cila pritet të asfaltohet, po e shndërrojnë këtë vend të larë me gjak trimash, në zonë të veçante historike, të trashëgimisë e të zhvillimit. Ndaj mirëmbajtja e këtyre mjediseve të bukura është detyrë e secilit prej nesh. Të gjithë bashkë kemi detyrim ta ruajmë e ta mbrojmë, ashtu siç kemi detyrim të reflektojmë ndjenjë e përgjegjësi të lartë ndaj dëshmorëve tanë, ndaj atyre që kësaj mburoje natyrore ia dhanë shpirtin, peshën, rolin, vlerën, jehonën dhe kujtimin e përjetshëm ne të gjallëve- brezave që do të jetojnë në këtë truall. Prandaj, kushdo që dëmton apo bën një veprim të pahijshëm, është e ulët e aspak njerëzore, aspak morale dhe në kundërshtim me vlerat e me traditën tonë shqiptare. Kërkohet ta ruajmë këtë vend e kurrë mos të provojmë ta zbehim madhështinë e vlerave të gjakut që i dhanë jetë jetës sonë dhe emër këtyre kodrave, maleve, monopateve dhe gurëve të truallit tonë. Atë që është bërë deri më tani, së paku, mos ta dëmtojmë, por të kemi më shumë dashuri dhe ndjenjë ndaj shenjave të qëndresës deri në flijim, si dhe ndaj natyrës. Mol e leni pa e vizituar Majën e Shkodranit, vendin ku janë gërshetuar madhështia e vlerave dhe sakrifica e Arianit, Mizahirit, Eshrefedinit dhe Bekimit me natyrën e bukur që na rrethon! E pashembullt është rezistenca heroike e Yjeve të Pashuar të betejës në Shkëmbin e Rahovecit, e u bënë gurë floriri në kështjellën e luftës për liri! Të përkulemi para veprës së atyre të cilët u përjetësuan për qëllimet dhe idealet e lirisë së atdheut! Thuhet në një postim të kryetarit Latifi në facebook.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga skema praktike në punë

Sot, kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga …