Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës të kryesuar nga Dimal Basha, duke e cilësuar veprimtarinë e institucioneve si jokushtetuese. Hoti tha se pas veprimeve të Qeverisë në detyrë, tani edhe Kuvendi po funksionon në kundërshtim me Kushtetutën. Ai theksoi se dy aktgjykimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe vetë Kushtetuta përcaktojnë qartë se Kuvendi konsiderohet i konstituar vetëm pasi të zgjidhen kryetari dhe të gjithë nënkryetarët. “Dy aktgjykimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe vetë Kushtetuta specifikojnë se Kuvendi i Kosovës konstituohet kur zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, duke mos lënë hapësirë për interpretim nëse ndonjëri prej tyre mungon,” ka shkruar Hoti. “Do të na kushtojë fakti që kemi një presidente që nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë në krye të detyrës. Kushtetuta e obligon atë të sigurojë funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit. Jo vetëm që nuk e kryen këtë obligim, por i lë edhe institucionet e tjera pa bartës, siç është rasti me mosemërimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Që nga data 26 qershor, kur doli vendimi i Gjykatës Supreme, asnjë fjalë nuk e ka thënë. As tani, kur Kuvendi i Kosovës po nis funksionimin jokushtetues, nuk e dëgjojmë të thotë një fjalë,” u shpreh Hoti.
