Avokati Ardian Bajraktari ka komentuar dëshminë tre-ditore të ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Hagë, duke e cilësuar atë si “dëshmi të së vërtetës” dhe “një nga më të rëndësishmet” në këtë proces. Bajraktari theksoi se Rubin, i ngarkuar nga Sekretarja e Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, ishte ndër njerëzit më të informuar për zhvillimet në terren. Ai theksoi se Rubin dëshmoi se UÇK-ja ka qenë një organizatë guerile, pa strukturë të centralizuar dhe komandë të unifikuar, duke kundërshtuar konstatimet e aktakuzës që e paraqesin si forcë me kontroll të plotë territorial dhe komandues. “Rubin e paraqiti UÇK-në ashtu siç ishte, ndryshe nga sa dëshironin të prezantohej dhe ndryshe nga sa e prezantojnë shpesh aleatët amerikanë,” tha avokati Bajraktari. Ai shtoi se kjo dëshmi nuk e zvogëlon madhështinë e UÇK-së dhe as të ish-presidentit Hashim Thaçi, të cilin e cilësoi si “koordinues të politikës vizionare të UÇK-së”. Qëllimi i arritur, çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, mbetet dëshmi e fuqishme për rolin historik të Ushtrisë Çlirimtare dhe Thaçit. “Dëshmia e Rubin është nga më kryesoret në këtë proces. Ajo përforcohet edhe nga dëshmitarë të tjerë dhe paraqet një hap drejt zbardhjes së së vërtetës,” tha Bajraktari, duke paralajmëruar se procesi do të vazhdojë të sjellë prova që e përforcojnë këtë version.
