Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka njoftuar se është takuar me luftëtarët e parë që u përgatitën për çlirimin e Kosovës, stërvitje kjo që nisi në vitin 1991 në Repartin Ushtarak të Surrelit nga pedagogët e ish-Shkollës së Bashkuar të Oficerëve. Përmes një postimi në Facebook, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje, duke e cilësuar si momentin kur “u ndez flaka e madhe për çlirimin e Kosovës”, duke e përshkruar këtë grup si bërthamën e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Me luftëtarët e parë për çlirimin e Kosovës, që u stërvitën në vitin 1991 në Repartin Ushtarak të Surrelit nga pedagogët e ish-Shkollës së Bashkuar të Oficerëve. Kjo ngjarje duhet të marrë vlerën e peshës historike, pasi aty u ndez flaka e madhe për çlirimin e Kosovës, bërthamë e parë e UÇK-së. Nder përjetë të gjithë atyre që sakrifikuan për shqiptarinë”, shkruan Presidenti Begaj në postimin e tij. Takimi u prit me emocion nga pjesëmarrësit, duke theksuar vlerën e përkushtimit dhe sakrificës së parë të luftëtarëve shqiptarë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
