Baki Ymeri: I riu shqiptar, Miron Topçiu dhe befasia e ekspozitës së pikturës në Bukuresht

 


Këto ditë, në një nga galeritë qendrore të artit, në Bukuresht, në Galerinë Apollo, e ndodhur në ndërtesën e Teatrit Kombëtar Rumun, nën kujdesin e Lidhjes së Artistëve Figurativë Rumunë, u çel ekspozita e titulluar Accent/Theks, me pjesëmarrjen e disa artistëve të afirmuar rumunë: Delia Calinescu-Zoita, Anca Albani, Jean Albu, Matei Enric, Mirela Iordache, Iustinian Scarlatescu, Cristina Nedelea, dhe me pjesëmarrjen e të riut shqiptar Miron Topçiu. Në hapjen e ekspozitës, përpos artistëve, kritikëve të artit, personaliteteve të kulturës, artdashësve, mori pjesë dhe Ambasadori ynë në Bukuresht, z. Dashnor Dervishi dhe anëtarë të komunitetit shqiptar të Rumanisë.
16 vjeçari Miron Topçiu, i njohur dhe i çmuar së tejmi në forumet ndërkombëtare në internet, merr pjesë në ekspozitën e dytë të rëndësishme, pas asaj që çeli gjatë verës së kaluar në Galerinë e Arteve të qytetit Pogradec, së bashku me piktorin e mirënjohur Gentian Zeka. Miron L.Topciu, piktori shqiptar sjell 5 tablo, abstrakte, me gjeste e shenja që evokojnë mendime, personazhe, lëvizje harmonike ngjyrash që prodhojnë tension, harmoni, alternime të qetësisë me zhurmën, me një plasticitet të spikatur.
Tablotë e paraqitura nga piktori i ri shqiptar janë çmuar nga mjaft artistë dhe kritikë të artit. Pjesëmarrjen e tij në këtë ekspozitë e konsideruan një sukses të merituar të tij. “Shtëpia në liqen”, “Mendimet e kuqe të Sarah-s”, “Metafora e dritës” ishin punimet më të vlerësuara nga kritika profesioniste. Kritiku i artit Vlad Bulat do të shprehej: “Miron L. Topçiu ekspozon me artistë profesionistë, pa rënë në sy diferenca midis punimeve, kjo gjë mendoj se shpreh shumë për një 16 vjeçar, që me cilësinë e punimeve të tij i imponohet botës profesioniste dhe elitare të artit të sotëm.
Fakti që ai është nga Shqipëria, mendoj se është një fakt pozitiv që sjell një dialog kulturor të gjallë dhe të dobishëm” Profesori i Akademisë së Arteve, piktori i njohur Minu Movila u shpreh se: “i riu shqiptar Miron Topçiu është një artist i vërtetë, një talent autentik, me një gjuhë plastike të formuar, me ndjeshmëri të rrallë dhe thellësi mendimi artistik”. Ekspozita Accent/Theks, e kuruar me shume sqimë, bashkon më shumë autorë, më shumë stile dhe krijon një “kor zërash” të dallueshëm dhe që nga ana tjetër krijojnë një dialog, një komunikim midis elementesh të kundërt, midis elementesh të afërt, midis figuratives dhe abstraktes, midis gjetjeve të thjeshta e dekorative dhe gjesteve figurative plot me mesazhe filozofike dhe mjete të pikturave të ndërlikuara.

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Çami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Tefta Cami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me …