Brickos

Baki Ymeri: Jusuf Zenunaj në gjuhën rumune

 


(Din stâncã curg lacrimi / Prej shkëmbit rrjedhin lotë.
Përktheu: Baki Ymeri,
botoi Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë,
Bukuresht, 2008)

Thonë se librat kanë jetën e tyre dhe se kush lexon fluturon në botën e ëndrrave. Kosova ka dritë të shenjtë dhe drita e Saj vjen përmes ëndërrimtarit të Saj, edhe në veri të Danubit. Ëndërrimtarët tanë e fisnikërojnë Dardaninë me fjalë të ndritura edhe në gjuhë të huaja. Drita e fjalëve të kosovarëve të frymëzuar është një dritë magjike që të josh që në shikim të parë.. Çka s’ka parë e çka s’ka përjetuar poeti në Kosovë, për ta përjetësuar përjetimin e tij në varg! Fjala e poetit është ushqim i dashurisë dhe bërthanë e bukurisë. Ja edhe një poet i ri kosovar i rikënduar në gjuhën e një vendi ku njeriu lind poet! Teksti i poetit posedon vlera dhe tema dominuese që ndërlidhen me lirikën e dashurisë dhe dashurinë ndaj atdheut. Jusuf Zenunaj është një vlerë e re e lirikës së mërgimit në zemër të Europës! Fjala e Jusufit ka vlera të denja që dëshmojnë se atdheu i tij shkon duke u bërë gjithnjë e më i gjallë. Kosova ka dritë të shenjtë që e ndryshon jetën e njerëzve me vullnet, vitalitet dhe fjalë.
Nga përmbajtja e lëndës potike konstatojmë se ky libër prej 100 faqesh është i strukturuar në pesë kapituj, nga të cilët katër kapituj me poezitë e autorit në gjuhën rumune (Për ty ziheshin edhe perënditë, Melodia e këngëve tua, Gurëzimi i fjalës, Shiu dhe mosha ime) dhe një kapitull me poezi në gjuhën frenge, përkthyer nga Aulona Zenunaj. Librin e Jusufit që e pa këto ditë dritën e botimit në Bukuresht, nën përkujdesjen e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë (redaktor: Mihai Antonescu, ballina: Ramë Ukaj), e dinamizojnë parathënia e eseistit Marius Chelaru, „Për poezinë e një endacaku të ditës së nesërme”, një mendim yni estetik: “Flatrat e fjalës”, si dhe artikulli i Ahmet Qeriqit “Poezia e Jusuf Zenunajt në valët e Radios Kosova e Lirë.
Sipas medalionit të eseistit Marius Chelaru, botuar në ballinën e dytë, “Nga pikëshikimi tematik, te Jusuf Zenunaj ndërshihet largimi nga dheu amtar edhe përmes mënyrës në të cilën e gërsheton poezinë e dashurisë me nostalgjinë ndaj „shtëpisë”. Dashuria duket se është temë e parapëlqyer, të cilës mund t’i shtohen mërgimi, nostalgjia ndaj vendlindjes, dashuria, pritja, kërkimi, kundrimi i natyrës, erëtima e luleve, fëshfërima e drurëve, gurgullima e ujërave. Dashuria në poezinë e tij të shndërron në “fryt të dhembjes së djeshme” dhe “endacak i ditës së nesërme”, por edhe në “shtegtar të dashurisë”. Përmes këtij vëllimi të poetëve kosovarë të botuar në gjuhën rumune, autori u bashkangjitet, me aq dhunti sa i është dhënë, në një tjetër tabllo të gjuhës shqipe, i koloruar në nyancat e poezisë”.
Sipas Ahmet Qeriqit, „Në mesin e poetëve dhe krijuesve tanë të talentuar, të cilët veprimtarinë artistike e kanë zhvilluar dhe po e zhvillojnë në mërgim, shquhet edhe Jusuf Zenunaj, veprimtaria letrare e të cilit nis në vitet ’80 të shekullit të kaluar. Autori është poet dhe dramaturg, që shquhet për origjinalitet krijues të pasur artistik. Duke përshkruar jetën, mundimet dhe fatkeqësitë e shqiptarit të robëruar, dhunshëm nëpër rrugët e botës, ky krijues ka hartuar poezi tejet të motivuara nga jeta e njerëzve të gjakut e të gjuhës, të cilët bartën mbi supe fatin tragjik jo vetëm në Atdheun e robëruar, por edhe rrugëve të botës, krijues të kërcënuar me befasitë që sjell jeta në dhe të huaj. Pjesë e këtij fati tragjik të shqiptarët gjatë gjithë shekujve të robërisë ishte dhe ende po mbetet rruga e mërgimit, nëpër të cilën u degdisën mijëra shqiptarë të përndjekur nga pushtuesit, nga forcat e errësirës, në mesin e tyre edhe poeti që s’e harron vendlindjen që e përcëllon, andaj edhe konstaton se “pa qenë i mërguar malli të përcëllon si zjarr i mbuluar me hi”, duke ndjerë thellë në qenie Drinin e Bardhë, aromën e bukës së Dukagjinit dhe erën e fortë të Bjeshkëve të Nemuna. Malli i mërgimtarit është temë e veçantë për poetin, i cili nuk ka mërguar nga dëshira për të parë botë dhe për të fituar pasuri, por i ndjekur nga regjimi për shkak të mosbindjes dhe kundërvënies. E veçanta e vargut të këtij poeti qëndron në qasjen origjinale ndaj temave, në përshkrimin realist të situatave të ndryshme dhe afinitetet në sajimin e komunikuese, të çiltra e të thjeshta në mbarështim, por të thella dhe me mjaft brendi. Me qëllim për ta paraqitur një pjesë të përpjekjeve të shqiptarëve për të të huaj, poeti vëren se si në vendet larg Atdheut dalëngadalë shpirti vdes, vëren se deri ku mund të sharrohet në botën e pamëshirshme, e cila të bluan e tret në rrugë të pakthim. Këtë rrugë drejt humbjes së identitetit ai e përshkruan në një moment kalimthi, në poezinë “Dikush i buzëqesh kësaj jete”: “Katër çupa të bukura, dy të lindura në Atdhe, dy në Perëndim, as sa për lojë shqip nuk dinë, frëngjisht flasin pa ngurrim”. Edhe pse në vargun e tij të thurur me mjeshtëri, poeti nuk proteston kundër humbjes graduale të identitetit të shumë shqiptarëve në mërgatë, shqetësohet me faktin se atje askush nuk të detyron të asimilohesh. Gjatë qëndrimit të gjatë në dhe të huaj, mërgimi e bën të veten, andaj një ditë “kur të pyesin pas shumë viteve, ndihesh i turpëruar”. Vargu poetik i këtij krijuesi është i latuar me shumë kujdes, i pasur me stilistikë, i kursyer nga patetika dhe retorika, i motivuar thjesht dhe bindshëm në një filozofi realiste jetësore dhe i brumosur me idealin e shenjtë të lirisë, si e tillë, poezia e Jusuf Zenunajt i përballon kohës, sepse jep porosi, trajton tema të aktualitetit, tema të angazhuara jo vetëm nga përmbajtja e forma, por edhe ndërtimi artistik”. Për ty ziheshin edhe hyjnitë, Eja të shkojmë te burimi, Kënga shkrin dhe hekur, Melodia e këngëve tua, Malli, Ti dhe vargu im, Kur doli dielli në maje, Kuvendi i Pejës, Gurëzimi i fjalës, Shiu dhe mosha ime, Pranvera e madhe, Shtëpia e fëmijërisë sime, janë disa nga 50 poemat e autorit të rikënduara në gjuhën rumune që e flisnin me admirim edhe titanët e vlerave tona letrare në Bukuresht: Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Aleksandër Stavri Drenova (Asdreni).

Mërgimi, poezia dhe atdhedashuria

Rumania është nje vend që ka nxjerrë poetë të shquar të nivelit më të lartë europian. Dashamirët e sinqertë na përgëzojnë për botimin në gjuhën rumune të poetëve të Kosovës, duke përhapur kështu edhe më shumë zërin e kombit, të kulturës, por edhe të së drejtës dhe të moralit njerëzor, siç thekson Visar Zhiti në një korrespondencë të tij. Sipas poetit, «krahas atyre që janë mirënjohës dhe miq, që punojnë dhe krijojnë vlera apo nxjerrin në pah vlerat e të tjerëve në dobi të kulturës së përbashkët, bota shqiptare ka cmirëzinj, të paaftë, të liq që s’durojnë asgjë, sidomos suksesin e tjetrit, e mbase këta të dytët janë më me shumicë, plot komplekse dhe pa të ardhme». Jam shumë i kënaqur që pata fatin të Ju njoh përmes shkrimeve Tuaja që dëshmojnë se jeni gjithmonë në shërbim të shqiptarizmit, thekson në një korrespondencë autori i librit që e prezantojmë, Jusuf Zenunaj, dhe shton:
“Kur lexoj letrat që m’i dërgoni, më japin vullnet për punë dhe ndjej një afri sikur të Ju kisha njohur prej vitesh. Vullneti dhe suksesi juaj në krijimtari më gëzon, ngase jam në dijeni për punën tuaj të çmuar në çështjen kombëtare. Penda juaj qe dhe mbetet armë e fortë e realizimit të ëndërrave tona që për fat të mirë kanë filluar të realizohen, edhepse ekziston nevoja për shumë kohë dhe shumë e shumë punë, që ëndrrat e rilindasëve të bëhen relitet”. Jusuf Zenunaj është një poet i mërgimit. Autori mbart në shpirtin e tij Kosovën me Çamëri e Shqipëri, ngado që vete. Është një mall që të përvëlon e të djeg në shpirt, thot një poet gjakovar (Mazllum Saneja), që pyet pse, dhe përgjigjet: “Sepse ta duash Atdheun nuk ështe lehtë, ngase gjithnjë duhet dëshmuar me qëndrueshmëri dhe stoicizëm. Të vuash është diçka e bukur, madhështore, e veçanërisht të vuash për Atdheun, se Atdheu dhemb porsi gjaku”.

Biografia e autorit

Poeti dhe dramaturgu, Jusuf Zenunaj u lind në Novosellë të Pejës (1958). Është diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Kosovës. Më 1983 ishte profesor i gjuhës shqipe në dy qendra shkollare të Pejës. Që nga viti 1992 jeton dhe krijoin në Belgjikë. Krijimet e para filloi t’i botojë në shytp, që nga viti 1980 (në Shqipëri, Kroaci, Slloveni, Zvicër). Më 1989 i botohen 11 poezi në librin Roje drite, të Klubit Letrar Karagaçi, në Pejë. Ishte anëtar i Shoqatës së Letrarëve të Rinj të Kosovës, e cila e shpërbleu me çmimin e parë të saj për poezinë Nga Ura e Qabesë (Prizren, 1991). Shkruan për fëmijë dhe të rritur. Në vitin 1996, Toena e Tiranës ia botoi veprat: Klithmë e këngë (poezi), Ma falin një varr (dramë) dhe Rrugët m’i dhe ti (dramë).
Në përmbledhjen poetike “Klithmë kënge”, autori ka përmbledhur poezi motivesh të ndryshme, të cilat shquhen për origjinalitet. Ka botuar poezi të panumërta në gjuhën franceze, në revistat “Les Elytres du Hanneton dhe Les reflet de chez nous”, me të cilat bashkëpunon që nga viti 2000. Është anëtar i Shoqatës letrare “Grenier Jane tony” dhe i Shoqatës së Shkrimtarëve Frëngjishtfolës të Mbretërisê Belge. Më 2007 është prezentuar në Antologjinë e poezisë frënge, botim i revistës “Les Elytres du Hanneton”. Shkruan për fëmijë dhe të rritur, poezi e drama. Ka botuar 4 libra për fëmijë: Pse nuk vjen Diellza në Shkollë (dramë), Dielli e ka fajin (poezi), Jam çadër në ajër (gjëegjeza), Mos e harro qytetin e lashtë (poemë). Kjo është vepra e tetë e autorit, që e sheh dritën e botimit në qytetin që sipas Lasgush Poradecit, mban emrin më të bukur të të folurit shqip

Parathënia e librit
Për poezinë e një endacaku të ditës së nesërme

Me avuj misri jam përzier,
në çerepin e diellit piqem,
në ma prefshin gjuhën,
fjalën në shkëmb e keni!
Jusuf Zenunaj, / Fjala në gur

Poeti dhe përkthyesi Baki Ymeri e ka bërë zakon të sjellë në gjuhën rumune poetë nga e gjithë bota shqiptare (sidomos nga Kosova dhe diaspora), poetë që u përkasin stileve dhe orientimeve të ndryshme, duke nxjerrë në pah një peizazh pikëvështrimesh e vlerash të mirëfillta. Në vëllimet e disa poetëve, si të Sali Bashotës, Ibrahim Kadriut, Rizah Sheqirit, Mardena Kelmendit, Miradije Ramiqit, Rozi Theoharit, Jeton Kelmendit, Brahim Avdylit, Halil Haxhosajt, Merita Bajraktari McCormack-ut, Sarë Gjergjit, për të cituar sipas një rendi të përzier, vetëm disa nga ata që janë përkthyer në gjuhën rumune – lexuesi rumun ka mundësinë të jetë më afër poezisë së një këndi të botës, për të cilën flitet shumë dhe dihet shumë pak.
Në këtë linjë bën pjesë edhe ky vëllim i nënshkruar nga poeti kosovar, Jusuf Zenunaj, me banim në Belgjikë që nga viti 1992. Thënë ndryshe, një poet nga vargu i gjatë i atyre që kanë shkruar dhe shkruajnë larg atdheut të tyre. Do ta lexoj më parë me syrin e lexuesit të etshëm më shumë për njohje, sesa për analizë. Nga pikëshikimi tematik, te Jusuf Zenunaj ndërshihet largimi nga dheu amtar edhe përmes mënyrës në të cilën e gërsheton poezinë e dashurisë. Dashuria duket se është temë e parapëlqyer, të cilës mund t’i shtohen në sfond hijet e errëta të luftës, me viktima, dhembje dhe çdo gjë që ndërlidhet me të, sidomos mërgimi me nostalgjinë ndaj “shtëpisë”. Fjala është për një “shtëpi” magjike, të cilën e ruan në zemrën e tij. Nostalgjia ndaj vendlindjes ndërlidhet me dashurinë, pritjen, kërkimin, kundrimin e natyrës, admirimin e erëtimës së luleve, fëshfërimës së drurëve dhe gurgullimës së ujërave. Është një nostalgji që ndërlidhet me emra legjendarë të historisë së Kosovës, me heronjtë e Drinit, të Grykës së Rugovës, Lumbardhi, Enver Hadri, Peja apo Jusuf Gërvalla, Jeronim de Rada, e shkuara e Ilirisë deri në Berat, Kuçishtë apo deri te Kroi i Ilaçit – të gjitha këto duke i dhënë një shumëngjyrësi të dukshme poezisë së tij.
Ndërkaq, tëhuajësimi gërryen i heshtur dhe i vetmuar, dhe kjo vërehet më mirë në poemat e tij, si Përsëri në fshatin tim:” Pas shumë vitesh,/ sërish erdha në fshatin tim,/ ku ende edhe ndihet plaga e luftës,/…/ sikur isha fëmijë erën e paska bari/ edhe Ylberi lëshon ngjyrat në Dri“. Kur mërgimtari lan fytyrën në lumë, i duket se sheh më shumë, ngase gurrat e Drinit kanë bukuri magjike, dhe e ndjen veten të harlisur kur pyesin valët e lumit: “Kush është ky njeri!“. Apo, ndoshta ata të një ane tjetër të botës, ku duket se kemi një stërfrenim të shkëputjes nga shtëpia e brezave të mëparshëm, një shkëputje të cilën pas vitit 1989 e kanë përjetuar edhe rumunët. Dhembja dhe mallëngjimi e bëjnë të veten. Këtë e vërejmë sidomos duke lexuar vargjet e poezisë Vdekja në aeroport: “Babai i sëmurë,/ në 97-ën kthehej të vdiste/ në vendlindje./ Në aeroportin e Shtutgardit,/ në ndarje,/ lexova në sytë e tij/ se po vdisnim për njërin-tjetrin,/ unë dhe ai.“
Për Jusuf Zenunajn dashuria shndërrohet në ”fryt të dhembjes së djeshme” dhe „endacak të ditës së nesërme”, por edhe „shtagtar i dashurisë/ për tërë jetën”, ndërsa „pritja është vaji i së shkuarës”. Dashurisë „nuk mund t’i vësh kufi”, sepse ajo mund të bëhet një lojë e fshehtë, një „marrëzi e ëmbël”. Ndërsa malli than zemrën, e shterr. Ngase, autori shkruan, „porsi dielli që përvëlon peshqit në zall/ në shpirt më digjet një mall”, pas syve të bukur të së dashurës, „me qepallat porsi rrezet”, dhe nga dëshira që buzët e saj t’ia ndezin „zjarrin më të ëmbël”. Duhet shtuar se kemi përpara një poezi në të cilën dashuria është porsi një efekt, një „ngjyrë” e jetës, një „diçka” që e sheh, edhe pse është diçka e fuqishme, që të rrëmben ndër faqet e tjera të ditës, të dhembjes, pritjes, shkuarjeve apo kërkimeve. Përjetimi lirik nuk është një këngë e thjeshtë kushtuar të dashurës, por më parë duket se është një hyrje magjike në botën e brendshme të autorit.
Ndërkaq, Kosova e robëruar (1913 – 1999), i dukej si një vend i dhembjes në një kohë të krisur: „Enden nëpër kohë hijet e zeza” dhe „dritën e diellit në korb e shndërrojnë”, në këtë kohë, „me dhëmbët e prishur” të dhembjes dhe gjakut në të cilin edhe „hijeve u rritet shpresa/ se do t’u zgjatet jeta”. Por, ndërmjet dashurisë dhe asgjësisë, ndërmjet dhembjes dhe harresës, apo „ndërmjet mërzitjes dhe gëzimit”, në vizionin e autorit mund të jenë të dyjat si një këngë e heshtur, sepse të dyja „thuajse gjenden në gara/ që mbëltohen në kujtime/ dhe këmbehen njëra me tjetrën/ porsi dita me natën në agim”. Kështu pra, përmes këtij vëllimi, në vargun e poetëve shqiptarë të botuar në gjuhën rumune, Jusuf Zenunaj mund të përfshihet në kategorinë e atyre autorëve që, me aq dhunti sa u është dhënë, kontribuojnë për ta shfaqur sa më të plotë tablonë e gjuhës shqipe, me ngjyrat magjike të nyancave të poezisë. (Marius Chelaru)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …