BALZAKU I LETRAVE SHQIPE U KUJTUA SOT NË PËRVJETORIN E LINDJES SË TIJ

Sot, në kuadër të shënimit të Ditës së Bibliotekës Komunale “Sulejman Krasniqi”, Zyra e Kryetarit të Komunës së Rahovecit dhe DKRS organizuan një manifestim kulturor, në kuadër të të cilit u mbajt edhe tryeza me temë:  Roli dhe ndikimi i Sulejman Krasniqit në Lëvizjen ilegale shqiptare. Bashkëpunëtorët, të njohurit dhe artdashësit lexuan kumtesat e tyre shkencore bazuar mbi jetën dhe veprimtarinë letrare e historike të Sulejman Krasniqit. Me kumtesa u paraqitën; veprimtari Mehmet Hajrizi, Prof. Dr. Ermelinda Kashahu studiuese nga Gjirokastra, Prof.Dr. Sabahajdin Cena, Prof.Dr. Kudusi Lama, Dr. Shyqri Galica kryetari LSSHK, Fitore Rexhep Mala e Albana Sulejman Krasniqi. Po ashtu, u nda edhe Çmimi letrar “Sulejman Krasniqi” të cilin e ndan Komuna e Rahovecit. Këtë vit me propozim të kryetarit Latifi, Kuvendi Komunal ka bërë plotësim-ndryshimin e tij duke i ndarë tre çmime bazuar në konkursin e shpallur javë më parë. Juria profesionale e konkursit letrar “Sulejman Kraniqi”, publikoi edhe vlerësimet profesionale të krijimeve letrare – artistike. Juria në përbërje: Prof.Dr. Besim Muhadri, Leonita Parallangaj, magjistre e letërsisë dhe Sokol Gashi, profesor i Gjuhës dhe i Letërsisë, shpallën tre fituesit e këtij konkursi.  Vendi i tretë iu nda poezisë “Dilemë” me shifrën “Dora D’Istria”. Në vendin e dytë u rendit tregimi me titull “Berberi” me shifrën “Artemisa 2022”. Ndërsa vendi i parë iu nda poezisë me titull “Për tokën time” me shifrën “Dallëndyshja me fole Kosove”.

Kontrolloni gjithashtu

AAKV “Kastriotët” fitojnë dy çmime në manisfetimin kulturor-sportiv “Flakadani i Karadakut

Mbrëmë në edicionin e 23-të të festivalit të këngëve dhe valleve burimore shqipe, “Flakadani i …