Bardhyl Bejko: Ju, politikanë, analistë, panelistë, lexojeni njëherë të vetëm verdiktin popullor

Bardhyl Bejko: Përditë nga një sondazh, që nuk tregon realitetin e fuqisë, po dëshirën e papërmbajtur të partisë

Ka kohë që gara e sondazheve ka kapërcyer çdo fantazi. Njihesh me treguesit e deklaruar dhe të duket se je në mars apo qindra metra poshtë syprinës së oqeaneve si të jesh personazh i Zhyl Vernit. Është bërë virale në vendin tonë sondazhomania. Pothuaj përditë bombardohemi me rezultatet e një sondazhi. Shumë herë edhe dy e tre sondazhe në ditët shpalosin fitoren e partive politike. Në garë për të matur sensibilitetet e qytetarëve votues, janë vënë televizionet. Portalet familjare. Grupime opinionistësh e analistësh. Partitë politike, ato të mëdhatë dhe partitë që kanë kryetar pa anëtarë janë vënë secila në garë. Në mëngjes shfaqet Basha. Komenton grafikët njëqind për qind të votave për partinë që kryeson. Në mesditë, Tit Vasili e Monika që surprizon tërë elektoratin shqiptar me përqindjen që partia e tyre do marrë në garë. Ngjan si në historinë e viteve më parë që për pak LSI doli forcë e parë, forcë e paparë, siç e thonë të gjithë në këtë parti me shumë krenari! Në mbrëmje na jep sihariqin Duka. Partia e tij do jetë vendimtare dhe fitimtare. Në radhë shpalosin treguesit e lexuar në filxhan, Ndoka e Shehi. Nuk mbetet pas Idrizi, i cili shkon deri në ekstrem për fitore njëqind për qind në shkallë vendi. Sapo shpalosen përqindjet në përfundim dalin në ekrane opinionistët e analistët. Këndojnë të njëjtën melodi moralistët dhe na thonë atë që as vetë nuk e besojnë se partia e Bashës ka fituar kur ende fushata për zgjedhjet e 25 prillit nuk ka filluar. Kudo gjëmojnë altoparlantët dhe bien boritë, japin sihariqin e madh dhe këndohet kënga maj krahu se, Edi Rama, ka mbarue dhe nuk ka burrë nëne me e shpëtue.

Vërshojnë si lumenjtë këto ditë të reshjeve të mëdha dhe përmbyten shqiptarët me shifra. Kushdo dhe gjithçka është në thundrën e shifrave euforike. Aq të sigurtë janë liderët e partive sa kanë nisur që tani të festojnë, të ndërtojnë qeveri, të ndajnë tepsinë, të marrin timonin me garancinë absolute se do fitojnë. Qytetarët, votuesit në njërën anë dhe në tjetrën sondazhomania dhe partitë që bëjnë kërdinë, si të kenë lexuar vullnetin e popullit shqiptar dhe të kenë zbuluar me radarë secilin shqiptar. Aq të dashuruar janë kryetarët e partive politike me sondazhet sa e gjithë menuja politike nga mëngjesi në drekë e mesnatë shtrojnë në tavolinën e opinionit kombëtar shifrat që partia e tyre në sondazhe ka marrë. Flitet për sondazhe që nuk u dihet burimi, individët që e kanë matur opinionin shqiptar vetëm se rendisin ca shifra pa kuptim që nëse i mbledh shkojnë treqind për qind, sikur këtu në Shqipëri nuk do votojmë vetëm ne shqiptarët, po e gjithë Europa pse jo e tërë bota. Megalomania e shifrave është vërtet një grotesk i madh, fantazi e shfrenuar që i bën të pabesueshëm liderët tanë politikë. Ndodh kështu pasi: Mjafton që një opinionist apo analistë të marrë një porosi dhe sa hap e mbyll njërin sy të vinë rezultatet siç i do ti në tepsi, ashtu siç i ke porositur nëna parti.

 Dhe nisin kapardisjet, llomotitjet, shpotitjet, liderët politikë ngrefosen ata që kanë diçka në thesin me vota dhe të tjerët që janë pa hiç që kanë frikë të dalin në betejë në siglën e partisë, po qëndrojnë nën hijen e PD-së, deputetë me miell hua nga demokratët që të duken se janë shumicë. Lexojnë sondazhet kryetarët e partive dhe shkrihen nga vetëkënaqësia. Edhe pse e dinë fare mirë që nuk është realitet, po porosi dhe treguesit nuk kanë asnjë vërtetësi. E di Dulja i PBDNJ-së, se këtu në minoritet nuk ka asgjë në xhep. E emërojnë në Korçë që të garantojë një mandat për deputet dhe koalicioni opozitar të ketë unitet. Është sondazhomania që i jep peshë pa kufi Ndokës që nuk di cilën ka anëtarësi. Sondazhet lexohen përmbys. Bazuar tek sondazhomania, garanci nuk janë platformat, projektet, fryma e fitores, mobilizimi, po kërcënimet, mallkimet, trukimet. Kudo nëpër seli pas sondazheve shpërthen vetëkënaqësia. Kërcasin dhëmbët triumfatorët sikur ndërrimi i pushteteve është tragjedi dhe jo festë si në çdo demokraci. Sapo shpalosen sondazhet që nuk kanë asnjë kualitet, dalin dhe vënë tellallin kryetarët që nuk bëhen dot vetë deputet. Dhe këtu në Shqipëri nisin e bëjnë llogari sipas sondazhit dhe jo sy më sy, sikur këtu të jetonin, jo njerëz me dinjitet dhe personalitet, po numra rendorë nga ata që i drejton ku të duash vetë, mjafton t`u hedhë për konsum sondazhet e zhvilluara.

 T’u tregosh përqindjet e fitores që nuk janë asnjëherë përfundime shkencore. Janë veç dëshira të kryetarëve të partive që qëndrojnë në bulevarde apo seli dhe shpikin fitore sondazhi, shpalosin në ekrane dëshira kur dhe vetë e dinë shumë mirë se nuk është kjo e vërteta. Realiteti flet ndryshe, shqiptarët nuk duan riciklime dhe ndryshimin e kërkojnë realisht dhe jo të vijnë në pushtet ata që për tri dekada na kanë bërë ç’dinë vetë. Kudo që të hedhësh vështrimin në ekranet e televizioneve në çdo orë të ditës apo deri në mesnatë, dëgjon të njëjtën melodi që nis e mbaron me sondazhomani, e cila në përfundim, është një llogari me porosi të nënës parti. Të nesërmen një tjetër sondazh i ri hedh poshtë atë që ishte deri dje në fuqi, të parin e hedhin në kosh dhe shifrat përmbysen, entuziazmi fashitet, pretendimet përmbyten. Në dritë del sondazhi më i ri. Ky etiketohet si më realisti. Është bërë llogaria dhe nuk janë ato që na hodhi në sy sondazhi që bëri filan parti. Sondazhet janë një praktikë shumëvjeçare të cilat zhvillohen në të gjitha vendet, veçanërisht në ato me demokraci të zhvilluar dhe me qytetarë të emancipuar. Votues që mbajnë qëndrime realiste, shprehin të vërtetën, thonë atë që mendojnë dhe bëjnë atë që thonë e mendojnë. Është kjo arsyeja që në vendet me demokraci të zhvilluar nuk ka ndodhur që një sondazh serioz të ketë pësuar përmbysje apo të mos jetë verifikuar në mbarim të çdo gare. Po nuk janë qytetarët të vetmit që i japin vërtetësi dhe realizëm sondazheve, matjes së opinionit të gjerë shoqëror për preferencat për ata që do qeverisin dhe me të cilët do të lidhë kontratën e re katër vjeçare.

Serioziteti i sondazheve, atyre që marrin kampionet, përcaktojnë fashat e qytetarëve, shtresat e ndryshme, ata që pyeten direkt apo indirekt. Sondazhet e kryera nga kompani prestigjioze me përvojë, shkencërisht, realisht dhe jo me subjektivizëm aq më keq se cili paguan dhe cili jo, kush kërkon të miklohet me përfundimet e përqindje të fitores në ditën zgjedhore, po operojnë përmes metodave statistikore serioze që bëjnë matje të përpikta, larg subjektivizmit. Këto sondazhe janë afër realitetit, janë provuar edhe në vendin tonë. Post reagimi i partive politike në Shqipëri pasi njihen me sondazhet dhe treguesit që i jepet çdo force politike, alarmon udhëheqësit e këtyre partive që nisin të anatemojnë përfundimet e sondazheve, të fyejnë organizatorët, të hedhin poshtë matjen e opinionit shoqëror, votat që u jepen çdo force politike, duke përfshirë edhe marzhin e gabimeve njerëzore. Partitë tona politike marrin si të mirëqenë ato sondazhe që i nxjerrin fitues dhe anatemojnë e mallkojnë gjithë sondazhet e tjera, të cilat tregojnë pasqyrën konkrete realiste të shpërndarjes së votës dhe mandateve. Prirja për të marrë të mirëqenë vetëm atë sondazh që i jep forcës politike që i bën llogaritë sipas dëshirës dhe vullnetit të saj ka nxitur sondazhet, sondazhierët të zbresin në fushën e llogaritjeve edhe pse u mungon përvoja dhe metodologjia dhe nuk kanë shumë prej tyre asnjë përvojë në këtë fushë të vështirë veçanërisht në vendin tonë për vetë rrethanat në të cilat zhvillohet dhe realizmi që shpalosin të pyeturit për preferencat e veta politike. Të gjithë ne e njohim pragmatizmin e votuesit shqiptar. E dimë se shumë herë u thonë të gjithëve do të votojmë.

Kontakton përfaqësuesi i PD-së një votues në mes të rrugës dhe e pyet a do ta ketë votën e tij? Pa u menduar gjatë votuesi edhe pse është e sigurt se ka një preferencë ndryshe, i deklaron patjetër. Dhe këtë votë kandidati për deputet e regjistron si të tijën. Dhe kështu veprojnë, jo një numër i vogël votuesish, po janë të shumtë ata që nuk ta prishin. Ta japin votën me gojë dhe të votojnë kundër në kutitë e votimit. Nëse sondazhi merr të mirëqenë deklarimin gojor të votuesit të gjitha partitë dalin të fituara dhe Parlamenti duhet të kishte dy e tre mijë deputetë që të dilnin llogaritë sipas sondazheve të atyre që i kryejnë me porosi dhe i thonë partive se do fitosh ti. Cilido që ka pasur rastin të jetë edhe njëherë në komisionet zgjedhore, lexon shumë pak vullnetin e votuesve kur vijnë radhazi për të shprehur vullnetin dhe preferencat e tyre për partitë që duan të drejtojnë vendin. Komisionerët e partive të ndryshme, iu duket se të gjitha votat janë për partitë e tyre. Është kjo një nga arsyet që përfundimet e treguesve të numëruara e certifikuara, shoqërohen me revolta e mospranim të zgjedhjeve që jo pak raste shoqërohen me bojkote të zgjatura e protesta të dhunshme.

Të ushqesh pritshmëritë me rezultate sipas dëshirës dhe besimit që u ke injektuar mbështetësve të tu se je patjetër fitues dhe sa sondazhet e porositura dhe subjektive të kanë përkundur ëndrrën e fitores së garantuar, është sikur të shkosh në mulli me thasët bosh dhe kuptohet se bosh do kthehesh në shtëpi përderisa secili shkon për të bluar bereqetin që ka. Po politikanët tanë i besojnë më së shumti fantazisë dhe nuk duan t`ia dinë se ai që vendos është sovrani. Në fjalimet e deklaratat e kryetarëve të partive politike i referohen çdo çast sovranit, po kur vjen puna te rezultatet në zgjedhje e anashkalojnë e nuk marrin seriozisht. E trajtojnë sikur të jenë ca numra dhe qenie që i drejtojnë në vathën që duan liderët e partive politike.

Ndiqni për një moment deklaratat e liderëve të partive tona politike, të vogla, të mëdha me dhe pa anëtarë. Secili ka në majë të gjuhës fitoren njëqind për qind. Ne, këtu në Korçë deklaroi Spaho do fitojmë shtatë me zero. Ne, deklaron Mediu në Fier i marrim të gjitha. Në Berat fitojmë se kemi Lefter Maliqin dhe në krye të qarkut, Alizotin. Pas nuk mbetet Lezha edhe atje garantohet fitore e opozitës sipas sondazheve të ditës. Le më Shkodra, ku sondazhet i japin të gjithë deputetët opozitës dhe zero deputetë mazhorancës. Nuk dihet ku mbështet gjithë kjo eufori se dihet edhe në ditët më të vështira, atëherë kur u përmbys regjimi komunist, përsëri të majtët morën deputetë. Mbështetur në anatemimet dhe urrejtjen që kanë liderët politikë të koalicionit opozitar kundër atij mazhoritar, besohet për fitore, padurimit për të ardhur në pushtet që shoqërohet me sloganin, unë Lulzim Basha, jam kryeministri i 25 prillit. Me vetëbesimin që u japin sondazhet u thotë u flisnin qytetarëve se jam kryeministri i ndryshimit dhe zgjidhjeve. Sloganet që dëgjohen ngado i bëjnë sondazhet kaq të shpeshta dhe i besojnë sikur të jenë të vërteta edhe pse e dinë shumë mirë që në treguesit e tyre ka më shumë subjektivizëm se realizëm dhe të vërteta. Kënaqësia me rezultatet e sondazheve, ka nxitur sondazhomaninë dhe mbajtja e tyre si nga secila parti. Kudo në çdo podium shpaloset sondazhi i kompanisë iks i grupit mediatik ipsilon . I opinionistëve dhe gazetarëve. I redaksive dhe mediumeve. Të gjithë ata që kanë një ekran, smartphone, Apple, çdo telefon, Facebook, portal, secili del me një sondazh. Ajo që të habit më shumë nuk është sondazhomania, po pafytyrësia që na i paraqesin treguesit e sondazheve si dëshirë dhe etje e partive që edhe vetë e dinë shumë mirë se sondazhet janë flluska që hiden në opinionin shoqëror për të trazuar mendjet e votuesit për t’i dhënë kurajo militantëve për t’u thënë shqiptarëve, ja e shikoni nuk është se e themi vetëm ne si parti, po këtë na provon edhe vetë sondazhi.

Dhe përditë nga një sondazh, duke i kthyer këtë strategji në sondazhomani që nuk tregon realitetin e fuqisë, po dëshirën e papërmbajtur të partisë. Me sondazhet që na bombardojnë përditë, opozita është e fituar pa frikë. Kështu nëse sondazhet do hidheshin sot në kuti, opozita do e kishte të mbyllur këtë llogari. Me kaq vota do fitonte jo 140 po dyqind e pesëdhjetë deputetë. Sipas liderëve opozitarë, 25 prilli është i garantuar. Sondazhprofecia e ka treguar. Kjo është politika jonë më e re, sondazhomania me rezultatet, jo siç i gjykon popullsia, po siç i bën llogari vetë partia! ( Gazeta Sot)

Kontrolloni gjithashtu

Behxhet Shala: Nuk është kjo LV-ja që e kam përkrahur kur të gjithë e kanë sharë dhe sulmuar e tani janë në listën për deputetë...

BEHXHET Sh. SHALA – BAJGORA: Ndërhyrja në Maqedoni të Veriut, e pamoralshme dhe politikisht e dëmshme

Kurrë nuk ka qenë një situatë më dyfytyrëshe sa i përket të kaluarës së lavdishme …