Bardhyl Ermini: Paaftësia e pandershmëria janë sëmundje të pashërueshme dhe përsëriten me cikle nga larot e penës

Kohët e fundit në faqet e shtypit të përditshëm janë publikuar artikuj e studime lidhur me të kaluarën komuniste të vendit tonë, në të cilën bëhen përpjekje për të gjetur të vërtetën, apo më saktë për t’ju afruar asaj sa më pranë. Pa diskutim që ky angazhim, ndër të cilat “Drita” ndriçon fort mirë, është krejtësisht i vlefshëm dhe deri patriotik. Por, pavarësisht mendimeve të kundërta apo kontradiktore, mënyra se si thuhen e analizohen ato janë tepër shqetësuese. Aty ku ka dokumenta, ato jo pak herë keqinterpretohen e aty ku nuk ka ato sajohen e falsifikohen, të cilat mund edhe të “kapërdihen” deri te shosha e të vërtetës. Por toni, mënyra e të shprehurit, respekti sidomos ndaj bashkëbiseduesit, lë shumë për të dëshiruar. Jo pak herë është krejtësisht ofenduese, shpifëse e deri në dezintegruese. Kjo është e pafalshme, e sidomos aty ku pretendohet për studime, apo interpretime historike, ku argumenti shkencor duhet të dominojë. Kjo pozitë e mjerë, nuk ka se si të mos të të fusë në “lojë”, veçanërisht atëherë kur fjalët përpiqen të deformojnë realitetin në të cilin ke qenë apo e ke përjetuar minimumi si dëshmitar.

Lidhur me disa përshkrime të ish organeve të sigurimit të shtetit qysh në zanafillë të tyre si dhe për figura drejtuesish të asaj kohe e sidomos atë të Enver Hoxhës, të botuara nga ana e studiuesit zotit Kastriot Dervishi, studiuesi tjetër zoti Auron Tare pak ditë më parë ka dhënë opinionin e vet. Opinion krejtësisht i qetë, krahasues, tepër koherent, i pozicionuar plotësisht si një studiues serioz e me peshë. I paanshëm, i sjellshëm e plot kulturë ka ditur të tërheq shqetësimin për përgjegjësinë që mbajnë studiuesit ndaj lexuesve, në përcjelljen sa më saktë e me kujdes të analizave e dokumentacionit që botojnë. Veç të tjerash, pa as një farë kompleksi, e në mënyrën më të sjellshme të mundur, ka shprehur dyshimin e tij ndaj këtij zotërie kur ky ka botuar disa foto ku, sipas zotit Tare “aludohej për devijime seksuale të ish liderit shqiptar. Më është dukur një lajthitje paksa fëminore për të nxituar në përfundime të tilla bazuar në disa foto ku Enver Hoxha ishte kapur në momente relaksuese apo mes bashkëpunëtorësh të tij”. Kaq thotë zoti Tare! Kaq, por kjo kaq ka bërë që në krahun tjetër të shpërthej vullkani i “shkencëtarit” objektiv e “argumentues”. “Z. Tare thotë studiuesi në fjalë zoti Dervishi, shfaqi emocionin, dashurinë e simpatinë e tij të thellë për shtetin e pushtetin komunist, si dhe në pozita vullnetare bëri avokatinë e krimeve të këtij regjimi”, si një “kushtrim i të parëve”. Kjo ishte goditja e parë. Kurse e dyta, e dyta “knock out”! “Ndërhyrja e zotit Tare, vazhdon zoti Dervishi, për të shpëtuar “nderin” e “komandantit legjendar” edhe nëpërmjet “rekomandimeve”, duket e pavend dhe e pakuptimtë”. Pas kësaj zoti Tare, me sa duket së bashku me “kushtrimin e të parëve” i ka të lara hesapet me “shkencëtarin” arshivist. Sepse besoj se “kushtrimi i të parëve” të zotit Tare fillon me të atin e tij, atletin legjendar të atletikës shqiptare zotin Isa Tare dhe në këtë rast studiuesi Tare mbetet krejtësisht i bllokuar nga ky argument i jashtëzakonshëm “shkencor” e kaq i papritur. Dakort! Le ta lemë zotin Auron Tare ne “fatkeqësinë” e vet e nën shoqërinë e këtij “kapaciteti” të jashtëzakonshëm. Si i thonë, “secili të kruaj zgjeben e vet”.

Por “kapaciteti” ndaj është i tillë. “Paralizon” zotin Tare, e lë atë nën mëshirën e “dhëmbëve të vet të qenit” e hidhet …nga ne. “Unë nuk mendoj, thotë “kapaciteti” se në Shqipëri pati ndonjë “brez idealistësh”…, por se ishin një grup shkatërrimtarësh që bënë hi shtetin shqiptar…”. “Kam bindjen, vazhdon ai, se Shqipëria është një tokë e djegur nga krimi komunist dhe qelbi që ai ka lënë në vend duhet pastruar sa më parë. Simbolet komuniste me yje të kuq, data komuniste, emra nëpër shkolla, rrugë etj, nuk janë gjë tjetër veçse një pisllëk komunist, rusofili e maskuar”. E pas kësaj vjen goditja me top. “Nderimin ndaj asaj kohe duan ta çojnë deri te ekspozimi si martirë i klerikëve në bulevard, por pa hequr dorë nga respektimi i persekutorëve”. Bravo! Edi Rama nuk mund t’i shpëtonte dot penës të pamëshirshme të këtij kompetenti, që ka ditur kaq bukur të dalë nga “kazani mediatik” e të marrë prej tij atë më të mirën e bërsive që thartohen aty brenda. Më tej buçet si një tigër në nofullat e të cilit pritet të gërryen e coptohen jo vetëm zoti Tare, së bashku me “kushtrimin e të parëve” të tij (futur aty edhe “ekzpozitorin” persekutor Edi Rama), por edhe pisat komunistë, këta rusofilë të maskuar, ky “grup shkatërrimtarësh që bën hi shtetin shqiptar”. Me këtë kompetenti “kapacitet” i ka dhënë fund gjyqit të tij “shkencor” jo vetëm kundër zotit Tare e kryeministrit “ekspozitor”, por ashtu si një langaraq e si “padashje” ka hapur dhe e ka mbyllur këtë gjyq edhe me ne të tjerët që jemi thjeshtë lexues e që tentojmë të mësojmë diçka më tepër seç dimë, nga ky “trim pas lufte”.

Një shumicë e madhe e jona, e me këtë “e jona” përpiqem modestish të flas në emër të shumicës të qytetarëve të thjeshtë, kanë mendimin dhe e kanë shprehur edhe përpara surratit të këtij tigri të mykur, se Shqipëria për herë të parë u krijua dhe u ndërtua si shtet i plotë e me identitet, pikërisht në sajë të një brezi idealistësh, të cilët ditën shumë mirë të drejtonin e organizonin masa qindra mijëshe, që në fare pak kohë, si në asnjë vend tjetër në botë (fiksoje mirë këtë ti o “kapacitet”, në botë) të ndërtonin një vend të rrënuar nga prapambetja e injoranca, një vend të molepsur me sëmundje e me epidemira që skartonin jetën e njeriut qysh pa mbushur 45 vjeç, një vend ku të çante gomari me dru në qendër të Tiranës, një vend ku në mes të një popullsie pothuajse krejt analfabete u themelua universitet 60 vite më parë, kur shoqet e saj më të reja kishin jo më pak se 200 vite aktivitet, një vend ku shumica e banorëve të saj jetonin në banesa të ndërtuara me shkarpa e me bajgë lopësh, një vend ku të plaste sytë tymi i bishtukut, një vend …, po me cilin të flasësh, a ja vlen të flasësh me këta lloj nihilistësh të sëmurë, që nuk dinë se ç’flasin e me kë flasin? Ja, si puna e këtij buçkos, që pasi na “bindi” se si u “bë hi shteti shqiptar” me atë logjikën e vet të thellë sa një kanoçe uji, nuk mjaftohet me kaq. Paralajmëron e i bën thirrje…dreqit e di se kujt, se “qelbi i krimit komunist duhet pastruar sa më parë” dhe bashkë me të edhe “simbolet komuniste me yje të kuq, data komuniste, emra nëpër shkolla, rrugë etj.”, të cilat “nuk janë gjë tjetër veçse një pisllëk komunist, rusofili e maskuar”. Çudi e madhe! Ku jeton vallë ky hyjni? Sepse edhe në Mars t’a kishte studion e vet të çakorduar, do ta kishte dëgjuar që gjëra të tilla, në nivelin e simboleve nuk ka. Thjesht se ajo kohë ka kaluar. Për ç’yje flet ky yll i këputur, për ç’emra rrugësh e shkollash e ka fjalën? Mos ndofta ka qenë në gjumë letargjik këto 27 vite që kanë kaluar? Apo mos e ka fjalën për emrin e Qemal Stafës. Dakort, le ta hedhi në propozim! Shkollën dhe rrugën “Qemal Stafa” le ta zëvendësojmë me “Hamit Matjani”, atë të shkollës “Partizani” ta zëvendësojmë me “Ballisti” apo akoma më bukur “Diversanti”.

Sa më tepër kalon koha, aq më tepër qesharakë bëhen këta Don Kishotër që përpiqen me një mentalitet krejt primitiv të luftojnë komunizmin e … shokut “Noc Rroku”. Komunizmi nuk është ndonjë tabelë qitje ku të sulmojnë e të gjuajnë këta “pëllumba paqeje” pendë rrjepur. Komunizmi është një rend mbështetur në një teori e praktikë që ka filluar të çedojë këtu e 70 vite më parë e që dështoi, u mund, u mposht dhe u “dorëzua” plotësisht në fund të viteve 80-të. Të kërkosh kështu siç i shtron çështjet “studiuesi” Dervishi pa e marrë parasysh këtë fakt e duke e ngatërruar sistemin me personat që abuzuan, është të ringjallësh pikërisht atë ideologji, ato mjete e ato metoda, por vetëm me emër tjetër. “Të djegim me zjarr, thuhej dje, zakonet prapanike…”, “të pastrojmë sa më parë, thotë sot kompetenti ynë, qelbin e krimit dhe pisllëkun komunist e rusofil”. Gjuhë tmerrësisht e mjerë. Boll! Duket sikur në Shqipëri fatalisht, paaftësia e pandershmëria janë sëmundje të pashërueshme, por që përsëriten me cikle.

Ose kemi mbetur afro 100 vite prapa, ose Faik Konica është gjallë.

“Në Shqipëri leu një zanat i çuditshëm, më i poshtër se ai i hyzmeqarëve të pendës: zanati i larove të pendës… Shumë njerëzve u ka rënë erë kërmë; dhe nga çdo çip e prej çdo ngjyre, rendin shpirt-skllevër që kanë uri dhe etje për poshtërsi, lënë zanatin e tyre dhe, duke u bashkuar me larot e pendës, bëhen laro të pendës edhe vetë”. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …