Duke marrë parasysh gjendjen aktuale të lënies pas dore të kategorive të dala nga lufta, veçanërisht të Veteranëve të luftës; duke marrë parasysh sakrificën heroike, duke vënë në shërbim të lirisë jetën e tyre; duke marrë parasysh se kanë kaluar 26 vjet pas luftës dhe se shumica absolute e tyre janë mbi moshën 45-vjeçare; si dhe duke marrë parasysh faktin se ligji aktual për vlerësimin e kontributit të tyre, me kompensim modest financiar, ka diskriminuar në aspektin e beneficionit pozitën e tyre shoqërore,
ne, me këtë letër publike,
KËRKOJMË
që në afatin prej tre (3) muajve të parë në Kuvendin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, të harmonizoni Ligjin për Veteranët Luftëtarë, duke hequr pikat diskriminuese, me kërkesat si vijon:
-
Që në ligj fjala “pension” të largohet dhe të zëvendësohet me fjalën “beneficion mirënjohës” i Veteranit të Luftës së UÇK-së, apo me një emërtim tjetër që të mos përzihet me kategoritë e pensioneve.
-
Të hiqen pengesat diskriminuese dhe “beneficioni” të njihet për të gjithë veteranët, pa marrë parasysh vendin e punës (të fshihen kufizimet për ata që punojnë dhe për ata që marrin pagë nga buxheti i Kosovës).
-
Të gjithë veteranët pensionistë që janë në pensione kontribut-dhënëse, t’u njihet njëkohësisht edhe e drejta e shfrytëzimit të “beneficionit” (pensionit) të Veteranit luftëtar. I njëjti parim të vlejë edhe për kategoritë e tjera të luftës që kanë raste të tilla.
-
Lartësia e “beneficionit”: Të rikthehet ndërlidhja e pensionit/beneficionit të Veteranit luftëtar me Pagën Minimale, e hequr në vitin 2017 me Ligjin 05/L-141; pra, të fshihet Neni 5 i Ligjit 05/L-141, i cili anulon Nenin 18 të ligjit bazë 04/L-261. Njëkohësisht, të fshihet ose të riformulohet Neni 4 i këtij ligji (kategorizimet), me ndërlidhje me pagën minimale.
Për fund, vlen të ritheksojmë se nuk është faj i shumicës së Veteranëve të vërtetë që është rritur numri i veteranëve dhe, për pasojë, të pësojnë të gjithë për arsyetime buxhetore. Prandaj, krahas kërkesave më lart, njëherit kërkojmë nga organet kompetente të sigurisë që të hetojnë dhe ta “pastrojnë” listën e veteranëve nga mashtruesit, përfituesit e paligjshëm të këtyre beneficioneve dhe, bashkë me ta, të vihen para drejtësisë të gjithë ata që kanë bashkëpunuar në këtë krim ekonomik, moral dhe historik.
P.S.
Këtë Kërkesë Publike e kam shkruar bashkërisht me bashkëluftëtarin Ruzhdi Jashari. Kjo shkresë është e hapur dhe mund t’i bashkëngjiten, në mbështetje, edhe bashkëluftëtarë të tjerë, me vullnetin e tyre, në të mirë të avancimit dhe realizimit të të drejtave për të gjithë Veteranët e luftës së lavdishme të UÇK-së. Lirisht shpërndajeni! E njëjta iu është dërguar edhe mediave.
Me shumë respekt,
Bashkim Fazliu – Migjeni & Ruzhdi Jashari
Veteranë
22.12.2025
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
