BDI: Qeveria përgjegjëse për izolimin e vendit dhe për defokusimin nga procesi i integrimit evropian

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin e thellë për drejtimin që ka marrë qeveria e re dhe për përpjekjet e saj të qëllimshme për të defokusuar opinionin publik nga temat me rëndësi strategjike për vendin, e në veçanti nga integrimi evropian.
Jemi dëshmitarë se gjatë ditës së djeshme, vetë Kryeministri Hristijan Mickoski e pranoi hapur se propozimi për tatimin ndaj personave të pamartuar ishte një temë “e hedhur” për të krijuar debat, pra një mjet i qëllimshëm për të shmangur vëmendjen nga çështjet reale dhe urgjente me të cilat përballet vendi.
Ky pohim i Kryeministrit është alarmant, sepse konfirmon se kjo qeveri nuk udhëhiqet nga vizion afatgjatë për vendin, por nga kalkulime ditore, për të fshehur dështimet dhe për të mbajtur opinionin larg të vërtetës.
E vërteta është se Maqedonia e Veriut po izolohet gjithnjë e më shumë. Këtë e konfirmon edhe raporti i fundit i Parlamentit Europian, në të cilin theksohet stagnimi i vendit në rrugën drejt integrimit, ndikimi i shtuar i Rusisë dhe i konceptit të “botës serbe” në politikat e brendshme të shtetit, si dhe mungesa e progresit demokratik.
Është e qartë se ndikimi rus dhe ai i konceptit serbomadh kanë për qëllim që Maqedoninë e Veriut ta mbajnë të izoluar, larg Bashkimit Europian dhe vlerave perëndimore. Brenda këtij skenari, pjesë përbërëse është edhe përjashtimi sistematik i shqiptarëve nga institucionet, nga vendimmarrja dhe nga jeta publike.
Kjo qeveri, në vend që të jetë faktor i bashkimit, po zbret drejt një plani të rrezikshëm, që synon përçarjen ndëretnike, margjinalizimin e shqiptarëve dhe zbehjen e orientimit euroatlantik të vendit.
BDI do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të interesave euroatlantike të qytetarëve dhe të vendit, duke kundërshtuar çdo përpjekje për izolim, defokusim apo përjashtim.

Kontrolloni gjithashtu

Procesi në Hagë po hyn në fazën vendimtare, mbrojtja gati të paraqesë dëshmitarët në fund të gushtit

Në gjykatën speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po hyn në …