Deklaratat e fundit të përfaqësuesve qeveritarë se “nuk mjafton një vit për ndryshimet kushtetuese” janë dëshmi e mungesës së vullnetit politik dhe e dështimit të kësaj qeverie për ta çuar vendin drejt integrimit europian dhe për të respektuar vetë Marrëveshjen e Ohrit. Prej ditës së parë të mandatit, përveç bllokimit të perspektivës evropiane, kjo qeveri dhe partnerët e saj kanë sulmuar themelet e barazisë dhe të Marrëveshjes së Ohrit: • kanë shfuqizuar balancuesin, duke cenuar përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera; • kanë zhvlerësuar Marrëveshjen e Ohrit duke ia dorëzuar implementimin figurave me bindje antishqiptare dhe antiperëndimore, si Ivan Stoillkoviç; • kanë fshirë diasporën nga përfaqësimi politik dhe kanë zvogëluar shqiptarët në përllogaritjet zyrtare; • nuk respektojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe kanë zhvlerësuar Inspektoratin e gjuhëve dhe Agjencinë e gjuhëve. Sot, përveç dështimit me ndryshimet kushtetuese, kjo qeveri hap fronte të reja kundër mekanizmave të barazisë si shumica e Badenterit, një nga shtyllat më të forta kushtetuese që garanton stabilitetin ndëretnik, barazinë reale në vend dhe mbron nga majorizimi. Çdo tentativë për ta relativizuar ose rishikuar Badenterin është tentativë për ta kthyer shtetin pas në përjashtim dhe diskriminim. Jemi dëshmitarë se gjithnjë e më shumë po zënë vend ide të rrezikshme, që përfaqësojnë ata që besojnë se shtetet multietnike nuk funksionojnë dhe se duhet ndërtuar shtete etnike. Kjo qasje manifestohet në dy drejtime: përmes goditjeve të Marrëveshjes së Ohrit, që rrënojnë barazinë e brendshme, dhe përmes bllokimit të rrugës europiane, që e izolon vendin dhe e kthen mbrapa. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet forca politike që ka mbrojtur dhe do të mbrojë Marrëveshjen e Ohrit, kursin euroatlantik të vendit dhe dinjitetin e qytetarëve. Shqiptarët nuk do të lejojnë kthimin e shtetit në padrejtësi dhe përjashtim. Tetori është afër dhe populli do të flasë fuqishëm. Ora e përgjegjësisë politike dhe juridike po afron. Marrëveshja e Ohrit nuk cenohet, barazia nuk negociohet.

BDI: Urgjentisht e nevojshme rritja e pagës minimale për një jetë me dinjitet

Bashkimi Demokratik për Integrim – BDI shpreh mbështetjen e plotë për kërkesat e sindikatave për rritjen e pagës minimale dhe thekson se kjo është masa më e nevojshme sociale dhe ekonomike.

Sipas të gjithë treguesve makroekonomikë të disponueshëm, Maqedonia ka pagën minimale më të ulët në rajon dhe gjatë 2 viteve të fundit ka shënuar përparimin më të dobët në përafrimin e të ardhurave me kostot reale të jetesës.

Paga minimale në vend është vetëm 397 euro, me paralajmërim për rritje minimale në 422 euro nga marsi i vitit 2026.

Shqipëria dhe Serbia kanë pagë minimale 500 euro, ndërsa në Serbi nga 1 janari 2026 ajo rritet në 550 euro.

Në Mal të Zi, personat me arsim të mesëm kanë pagë minimale 600 euro, kurse ata me arsim të lartë 800 euro pagë minimale.

Në Bosnje paga minimale është 511 euro, ndërsa në Kosovë nga 425 euro paga minimale rritet në 500 euro në vitin 2026.

Maqedonia e Veriut jo vetëm që është e fundit në rajon, por çdo vit e rrit hendekun. Kjo e bën fuqinë punëtore vendase më të lirën dhe më të ekspozuarën ndaj varfërisë dhe emigrimit.

Sipas të dhënave të dy viteve të fundit, inflacioni kumulativ ka arritur mbi 30%, ushqimet janë shtrenjtua me 35 deri 45%, ndërsa energjentët me 40%.
Një familje mesatare shpenzon 50–60% të të ardhurave vetëm për ushqim, ndërsa me pagën aktuale minimale, punëtori mund të mbulojë vetëm  62% të shportës minimale të konsumit për një familje me katër anëtarë.

Këto të dhëna tregojnë se paga minimale aktuale objektivisht nuk i mbulon shpenzimet bazë të jetesës, duke e kthyer atë në pagë për mbijetesë, e jo për një jetë me dinjitet.

Logjika ekonomike është e qartë: paga minimale duhet ta ndjekë produktivitetin. Në Maqedoni produktiviteti për punëtor është rritur me 20%, ndërsa paga minimale është rritur më pak se 10% edhe pas korrigjimeve inflacionare.

Norma e profitabilitetit në sektorët e bazuar në punë të shumtë mbetet mbi 15%, çka tregon se ka hapësirë për rritje të pagave pa kurrfarë rreziku apo dëmi për bizneset.

Kërkimet ekonomike bashkëkohore dhe praktika evropiane tregojnë se paga minimale kthehet menjëherë në ekonomi përmes konsumit.
Sipas llogaritjeve nacionale, rritja e pagës minimale me 100 euro sjell 0.4% rritje të BPV-së dhe rreth 40 milionë euro konsum privat shtesë në vit.

Shteti po humb mijëra qytetarë të aftë për punë, dhe arsyeja kryesore janë pagat e ulëta.

Studimet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) tregojnë se rritja e moderuar e pagës minimale nuk e ul konkurrueshmërinë e firmave dhe nuk e rrit papunësinë. Me rritjen e pagës minimale përmirësohen produktiviteti dhe cilësia e fuqisë punëtore.

Sindikatat me të drejtë theksojnë se Qeveria e mban pagën minimale ndër më të ulëtat në rajon. Për më tepër, në Buxhetin e vitit 2026 nuk janë paraparë mjete për rritje thelbësore të pagave.

BDI vlerëson se kjo është një padrejtësi strukturore dhe një gabim i madh ekonomik. Nuk mund të pritet ekonomi produktive me punëtorë që jetojnë në prag të varfërisë.

Prandaj kërkojmë:

1. Paga minimale të përshtatet me kostot reale të jetesës dhe të arrijë nivelin mesatar rajonal.
2. Të zbatohet model indeksimi që ndjek inflacionin dhe produktivitetin.
3. Të sigurohet mbështetje fiskale për kompanitë mikro dhe të vogla, sipas modelit të Shqipërisë, për kalim të qetë drejt pagave më të larta.
4. Të ndërmerren masa aktive për të mbajtur fuqinë punëtore dhe për të zvogëluar emigrimin.

BDI do të vazhdojë të angazhohet që paga minimale të rritet në mënyrë që të sigurojë jetë me dinjitet, punëtorët të mos jetojnë në varfëri dhe vendi të mos mbetet prapa të gjitha vendeve të rajonit.

397 euro nuk mjaftojnë për jetesë — ato mjaftojnë vetëm për mbijetesë. Prandaj paga minimale duhet të jetë 600 euro për personat me arsim të mesëm dhe 800 euro për personat me arsim të lartë.

Në Kuvend do t’i inicojmë këto ndryshime dhe njëkohësisht i mbështesim sindikatat, duke i ftuar t’i bashkohen kësaj iniciative për të siguruar një jetë me dinjitet.

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece

Ylli Mece: NËNDORI I FESTAVE DHE KORI I QYQEVE TË NEOBALLISTËVE

Ka më se mbi tre dekada, që në arenën mbarë shqiptare, madje dhe jashtë trojeve …