Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj sot në Prishtinë, ka vendosur që takimin me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të mos e zhvillojë në ndërtesën e Qeverisë, por në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Vendimi vjen në vazhdën e qëndrimit të Bashkimit Evropian për të mbajtur distancë nga ekzekutivi aktual, pas mosrespektimit të aktgjykimit të Gjykatës Supreme të datës 25 qershor 2025. Sipas njoftimit zyrtar të Qeverisë, takimi është planifikuar të mbahet në sallën C301 të Kuvendit të Kosovës në orën 14:05. Ky zhvillim përforcon sinjalin e qartë që Brukseli po dërgon ndaj Kurtit dhe kabinetit të tij në detyrë – se respektimi i rendit kushtetues dhe vendimeve gjyqësore mbetet parakusht për bashkëpunim të plotë me institucionet evropiane. Më herët, shefat e misioneve të BE-së në Prishtinë i kishin dërguar një letër Kurtit, ku shprehnin pakënaqësi për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme dhe kishin paralajmëruar se përkohësisht do të shmangeshin takimet në ambientet e Qeverisë, derisa të formohej një qeveri me mandat të plotë. Ky veprim i Ursula von der Leyen shihet nga analistët si një mesazh politik me peshë – një paralajmërim se Bashkimi Evropian nuk do të tolerojë tejkalimin e kompetencave institucionale dhe se standardet demokratike mbeten të pa negociueshme në raportet me Kosovën.
