Liderët e Bashkimit Evropian më 21 janar diskutojnë mbi vaksinat për Ballkanin Perëndimor

BE kërkon zbatim të plotë të marrëveshjeve Kosovë–Serbi, pritet takim i nivelit të lartë në Bruksel

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia zbatim të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të Brukselit. Pas takimit që i dërguari i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, blloku evropian ka njoftuar se është në pritje të krijimit të kushteve të përshtatshme për të ftuar një takim të nivelit të lartë ndërmjet palëve. Zëdhënësi i BE-së tha se Sorensen ka theksuar domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese dhe ka përsëritur pritshmërinë e Brukselit për një angazhim konstruktiv nga të dyja palët në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. “Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas, do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të dialogut sapo të krijohen kushtet e përshtatshme për këtë”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së. Kallas më herët kishte paralajmëruar se takimi do të mbahet pas formimit të qeverisë së re në Kosovë, për të parë drejtimin e mëtejmë të dialogut. Pas takimit me Sorensenin, presidenti Vuçiq tha se kishte shprehur gatishmëri për hapa konkretë në zbatimin e marrëveshjeve, por ky qëndrim është kundërshtuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës. Nga ekzekutivi në Prishtinë është theksuar se Serbia prej vitesh bllokon zbatimin e marrëveshjeve, përfshirë edhe ato me karakter humanitar, si ajo për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës. Serbia ka refuzuar të nënshkruajë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit, si dhe i ka dërguar letër BE-së përmes së cilës ka shprehur kundërshtimin ndaj pikave që lidhen me njohjen e Kosovës dhe me anëtarësimin e saj në OKB.

Kontrolloni gjithashtu

Të dielën mbahet balotazhi në 18 komuna të Kosovës

Të dielën, më 9 nëntor, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen sërish kutive të votimit …