Bedri HALIMI: NAIP OSMANI, VEPRIMTAR I DEVOTSHËM I ÇËSHTJES KOMBËTARE

Naip Osmani ishte njeriu që qysh herët ishte i mishëruar me punën, natyrën dhe atdheun. Të gjitha këto përbëjnë njerëzoren në plotëni. 

Në raport me punën ishte mësues i dalluar i edukatës fizike si dhe i mësimit kalsor. Ai përkujdesej pa u lodhur për kalitjen e të rinjëve në aspektin fizik jo vetëm sipas planprogramit shkollor, si dhe në mësimin sistematik të të vegjëlve në shkollën fillore e atëhershme “29 Nëntori“ e Bresanës paralelja e ndarë fizike në fshatin Kuk, e më vonë edhe pas pavarsimit të kësaj shkolle, që një kohë e kishte emrin “Muhamed Çami”. 

Në sferën e natyrës, Naipi ishte i mishëruar me natyrën aq shumë sa që meritonte për tu quajtur një ambientalist i vërtet. Naipi ishte dashamir dhe kultivues i luleve, i bimëve të ndryshme, i drunjëve qofshin këta dekorativ, i pemëve dhe i perimeve. Shpesh herë shkonte në bjeshkë dhe hulumtonte lloje të ndryshme të luleve, disa nga të cilat i nxirrte me rrënjë për t’i mbjellur fillimisht në oborrin e tij dhe pastaj edhe në oborre të shkollës dhe të shokëve të tij. Kështu Naipi përpos shumë bimëve mbolli edhe gështënjën e egër në oborrin e shkollës fillore Kuk. 

Por Naipi, më shumë se kaq, ishte i mishëruar edhe me çështjen kombëtare. Që nga viti 1981 ishte përkrahës i ngjarjeve të demostratave si dhe kërkesave të tyre. Natyrisht në atë kohë ishte vështirë që të dilje publikisht për shkak se “roje të mjegullës” kishte kudo. Kështu që në këtë drejtim, Naipi ishte shumë i kujdesshëm në komunikim me njerëzit. Ai e dinte se me cilët njerëz të bisedonte dhe çfarë muhabeti të bënte.  

Naipi së bashku me antarët e tjerë të familjes së tij ishte ndër përkrahësit kryesor të ish të burgosurve politikë. Pushteti natyrisht nuk e kishte në sy të mirë, as Naipin e as familjen e tij. Me kalimin e kohës, madje edhe ishte kontrolluar familja e tij nga policia, në kërkim të gjurmëve të parollave, literaturës së ndaluar, makinës së shkrimit, armëve etj. 

Naipi, gjatë bisedave që bënte me veprimtarët, i informonte për shumçka, rreth zhvillimit të ngjarjeve jo vetëm në fshat, por në tërë Opojën në përgjithësi. 

Dinte se si t’i shmangej edhe provokimeve të ndryshme të ndonjë njeriu “të larëm” si thoshte, duke i dhënë dezinformime nga më të ndryshmet. Në një rast, dikujt që qëndronte mirë me pushtetin, kur e kishte pyetur se “si i ke punët ekonomikisht”, ky ishte përgjigjur duke i thënë se, “ishte shum keq”! Kur shokët e pyeten përse i ke thënë kështu, Naipi ju përgjigj: “Kështu më duket më mirë është me ju thënë këtyre, ngase si tu thua se “i ke punët keq”, këta nuk të ndjekin më tutje, duke thënë: “lëre se s’koka kurgjo puna e tij”. 

Edhe gjatë demostratave të viteve të 80-ta roli i Naipit ishte shumë i madh. Në momente të caktuara, bashkë me bashkëveprimtarë të tij, duke i dhënë kanalizimin e duhur këtyre ngjarjeve në Kuk e Opojë. Madje gjatë shkuarjes së protestuesve në mënyrë të organizuar nga fshatrat e ndryshme të Opojës për komunë të Dragashit, ku policia sërbe kishe vënë kurth në fshatin Shajne, Naipi e kishte nuhatur këtë gjë. Prandaj, me qenëse protestuesit e fshatit Kuk ishin ndër të parët në kolonën me protestues nga të gjitha fshatrat e Opojës, ishte Naipi ai që insistoj që të ndërrohej rruga në hyrje të fshatit Shajne, për të kaluar nën fshat dhe për të dalur sërish në kodrën e Shajnës me synim për tu futur në qytet.  

Gjithashtu me një elukuencë, ju shmang edhe rrezikut të futjes së sërishme në qytet të protestuesve nga Kuki, ku do të pësonin që të gjithë, ngase forcat policore ishin të mëdha, e në anën tjetër depërtimin në Dragash nuk kishin mundur ta bëjnë protestuesit e tërë Opojës, prandaj Naipi e dinte rrezikun e kësaj aventure, që të tentonin të futeshin vetëm protestuesit nga Kuki, aq më tepër kur tashmë mesazhi i protestës ishtë dhënë, duke e u nisur që  nga pushteti proserb në komunë bashkë me veglat e tyre në Gorë e deri në nivelet më të larta të shtetit serbë. 

Naipi dinte që ta parandjente rrezikun largë. Kishte intuitë tejet të zhvilluar, kështu që për aktivistët ishte një nga paralajmëruesit dhe mbrojtësit më të mëdhenjë, për shmangien nga rreziku i arrestimit, për shmangien nga kurthat e ndryshme, për rrezikun nga kurthat dhe mundësitë e formimit e këtyre kurthave. 

Gjatë fillimit të viteve 90’ta, Naipi kishte arritur që të shkonte në Shqipëri së bashku me shokun e tij Sherif Tosunin. Shkuarjen e kishin bërë nga Maqedonia, nga Qafthana. Që të shkonin nga Vërmica kishte rreziqe. E para, se nuk do t’i lejonin të kalonin kufirin dhe e dyta do të merreshin masa ndaj tij, edhe përkundër faktit se nëpër Vërmicë, gjatë kësaj kohe kalonin me leje shumë njerëz. Naipi mendonte se duke kaluar nga kufiri i Maqedonisë nuk do të merrej vesh. Por UDB-ja ishte e organizuar edhe të shqiptarët, prandaj e morri vesh këtë gjë dhe i thirri në bisedë infromative duke ua marrë edhe pasaportat, të cilat më nuk ju dhanë kurrë.  

Qysh në prill të vitit 1992, së bashku me intelektualin dhe veprimtarin e njohur dr. Xhevat Hasanin, patëm shkuar bjeshkës për në Tetovë. Gjatë kontaktimit që patëm atje me njerëzit e asaj ane, në bisedë me shokët tanë veprimtarë të çështjes kombëtare, vendosem që ta bënim një takim në Opojë dhe një takim tjetër pastaj në një vend të Tetovës, me veprimtarë te të dy anëve, për të shkëmbyer mendime, ide… Fundja për të mësuar më shumë për njëri tjetrin, sepse ishim aq afër gjeografikisht, dhe aq larg praktikisht. Dhe takimet u bënë. Së pari nga Tetova erdhën 13 vetë, intelektualë dhe veprimtarë të njohur, të prirë nga ish i burgosuri politik dhe veprimtari i njohur jo vetëm në Shipkovicë e Tetovë, por në tërë hapsirën shqiptare – Zaim Beqiri, sw bashku me veprimtarwt Nesim Seferi e Mensur Sallahi nga Shipkovica, Memet Shabani nga Veshalla, Astrit Abdullahu dhe Arif Rushani nga Bozovca, Ramadani nga Piroku etj. 

Pastaj intelektual e veprimtarë si Neshat Mehmedi etj. Kurse nga ne ishin kryesisht veprimtarët e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Dragash si: Bedri Halimi, Mitat Fejza, Rizan Halimi, Demir Reshiti, Fadil Reshiti, Lulzim Rifaj, Halil Halili, Sali Shala, Hajriz Kryeziu, Fehmi Bojaxhiu, Nuridin Kuteli, Qamil Kolloni, Shefqet Halili, Naip Osmani, etj. Pastaj ishin edhe veprimtarët e mirënjohur dr. Xhevat Hasani dhe Abaz Fejzullahu. Takimi u mbajt në shtëpi të Bedri Halimit. Ishte takim që mbahet mend, jo vetëm për faktin se takoheshim për herë të parë, por, edhe për faktin se qysh atëherë parashihej rreziku i luftës, prandaj, si preventivë u paraqit nevoja e mundësisë së strehimit të popullatës shqiptare të Opojës për në Malësi të Tetovës, në rast rreziku. E njëjta gjë u shpreh edhe për rrezikimin eventual të shqiptarëve në Maqedoni, të cilët strehimin do të duhej ta gjenin te ne në Opojë. Gjatë diskutimeve, asnjëherë nuk përmendej lufta, por përmendeshin fatkeqësitë e ndryshme të mundshme, e që të gjithë e nënkuptonin se për çfarë e kishim fjalën. Pas tri javësh, vizitën “ua kthyem” vëllezërve tanë në Maqedoni. Kështu nga bjeshka shkuam: dr. Xhevat Hasani, Bedri Halimi, Rizan Halimi, Naip Osmani, Sherafidin Osmani, Demir Reshiti, Nuridin Kuteli, Samet Krasniqi, Shevqet Halili, Hajrullah Halimi, Eqerem Rrahmani etj. Edhe atje u ndamë shumë të kënaqur me takimin që e patëm në Shipkovicë. Mirëpo, këtë takim të këtij niveli dhe të këtij qëllimi, dikush në Dragash atëbotë e keqpërdori, duke na akuzuar se në takimin që është bërë në shtëpi të Bedri Halimit, aty është formuar parti politike. Ne e patëm heshtur këtë rast, për të mos e alarmuar UDB-në.  

Por, me kalimin e kohës, çdo gjë u bë realitet. U bë realitet edhe lufta, siç u bë realitet edhe ikja e shumë njerëzve për Malësi të Tetovës si dhe ardhja e tyre Malësia e Tetovës në Opojë. 

Dhe tashmë dihet, se pas largimit me dhunë të popullatës shqiptare nga Opoja, shumë të rinjë nga kjo anë, iu ngjiten bjeshkëve me borë, për t’ia mësyrë Buzovcës, Veshallës, Brodecit, Shipkovicës, Tetovës…Arsyeja ishte e thjeshtë, frika se mos ushtarët dhe policët serbë do t’i ndanin mëshkujt e aftë për luftë nga kolona dhe, do t’i burgosnin apo do t’i ekzekutonin.  

Në Buzovcë, Veshallë, Shipkovicë, Tetovë e kudo ku shkuan opojanët, u priten si është më së miri. Atmosfera e pritjes ishte e papërshkruar, dhembja për largimin gjithashtu, sikurse edhe urrejtja për armikun…Shumë të rinjë të viseve shqiptare në Maqedoni, iu bashkuan radhëve të UÇK-së. Kjo tregon se zemrat e tyre, rrahnin në takt të njëjtë me zemrat tona. Armiku mendoi se na bëri barrë për shqiptarët në Maqedoni, por jo, kjo u shërbeu vëllezërve tanë, jo vetëm që të ndienin keqardhje, por para së gjithash që të solidarizoheshin dhe t’i ndihmonin me të gjitha format e mundshme. Kjo fatkeqësi, shërbeu si mësim për të gjithë opojanët, që jo vetëm të mësonin verbalisht, por edhe të shihnin praktikisht, se si duhet vepruar kur atdheu është në rrezik. Në anën tjetër, edhe shqiptarët e viseve shqiptare në Maqedoni, mësuan praktikisht nga ne, se çfarë mund t’i gjëjë bashkëkombasit e tyre kudo që ndodhen, apo edhe vetë ata, nese situata i zë të papërgatitur nga rreziqet e mundshme. Ky rast, ka shërbyer edhe për lidhjen më të fortë organike mes vëllëzërve opojanë e tetovarë, të një gjuhe e të një gjaku. Kush nuk mëson nga historia, e përserit atë, ashtu siç, kush nuk mëson nga pësimet, e pëson përfundimisht. Kjo tregon se kush dhe sa ishte largpamës qysh më 1992.  

Edhe në aksionin e pajtimit të gjaqeve, plagëve e ngatërresave, Naipi ishte veprimtar. Ai ishte kryetar i këtij nënkëshilli për fshatin Kuk. Mendohej se rastet më të rënda nese nuk i kryenin nënkëshillat nëpër fshatra, duhej të kërkonin ndihmë nga Këshilli në nivel komunal. Por Naipi me veprimtarët e tjerë në nivel të fshatit (pa ua mohuar meritat asnjërit) kishin arritur ti kryenin gati të gjitha rastet e ngatërresave në Kuk. Kjo gjë shihet edhe nga shënimet e deponuara në Këshillin e Pajtimit në nivel komunal të cilat shënime janë inkorporuar edhe në librin e Pajtimeve në nivel të Kosovës, dhe viseve shqiptare në Maqedoni, Luginë të Preshevës e Mal të Zi, i cili libër u botua në edicion të Institutit Albanologjik të Prishtinës. 

Edhe gjatë kohës kur isha në ilegalitet, si dhe kur u arrestova me 1997 (BH), ku isha në spital në Prishtinë (QKUK), Naipi ishte shumë aktiv qoftë në infromacione, qoftë në vizita që më bënte duke më afruar çfarëdo lloj ndihme që kishte mundësi.  

Por Naipi edhe vet ishte keq me shëndet. Disa herë kishte qenë në kontrolla të ndryshme. Përdorte edhe terapi. Për gjendjen reale shëndetësore nuk me tregonte, duke shpresuar se do të bëhej mirë. Por fatkeqësisht gjendja e tij, jo që kishte adhur duke u përmirësuar, por përkundrazi, kishte ardhur duke ju rënduar, derisa një ditë shtatori të vitit 1997 vdes pas një sulmi në zemër, duke punuar në livadh, ku ishte duke kositur bashkë me disa shokë të  tij.  

E kotë ishte ndihma e shokëve të cilët e patën dërguar menjëherë në ambulancë të Bresanës. Naipi kishte dhënë shpirt në kohën kur më së shumti i duhej familjes së tij, kur më së shumti i duhej nxënësve të tij në shkollë, kur më së shumti i duhej fshatit të tij, kur më së shumti i duhej Opojës dhe përgjithësisht Kosovës.  

Naipi, e dinte mirë, se liria pa gjak nuk mund të vijë, dhe ishte i kyqur në lëvizjen ilegale (LPK) për të dhënë kontribut në këtë drejtim.  

Gjithashtu gjatë kohës së viteve 90’ta kur UDB-ja propagandonte kundër njerëzve që mund të sakrifikonin, përkatësisht që paraqitnin rrezik për Serbinë, Naipi dinte se si t’u kundërpërgjigjej, herë me elokuencë e herë drejtpërdrejtë. 

Naipi ishte dhe ka mbetur një nga veprimtarët më të devotshëm të çështjës kombëtare jo vetëm në fshatin Kuk, por edhe në Opojë e më gjërë. 

Lavdi jetës dhe veprës së mësuesit e veprimtarit Naip Osmani.  

I paharrueshëm qoftë kujtimi për të. 

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha (1966): Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë

Enver Hoxha (1908-1985) nderohet e respektohet në Kosovë, asnjë fjalë e keqe për Josip Broz Titon në Shqipëri, prej vitit 1991

Në Kosovë, ishte idealizuar dhe në masë idealizohet edhe sot Enver Hoxha. Në Kosovë janë …