Emri i Nexhmedin Spahiut është i njohur në fushën e destruktivitetit shqiptar Dhe natyrisht është i njohur në bazë të shkrimeve dhe veprimeve të tij destruktive në shumë aspekte si:
ndaj historisë së Luftës Nacional Çlirimtare dhe pjesëmarrjes së shqiptarëve në këtë luftë;
ndaj ngjarjeve të vitit 1981 dhe karakterit të tyre;
ndaj luftës së UÇK-së;
ndaj përkatësisë kombëtare të shqiptarëve në Kosovë; etj.
Ky person, çuditërisht ka arritur të mbijetoj në skenën publicistike duke i krijuar hapësirë edhe disa media, sidomos në Kosovë. Me paraqitjet e tij nëpër debate televizive, janë të njohura gafet me sharjet e tij, bërtimat rreth këmbëngulsisë së idesë së tij për të ashtuquajturin “komb kosovar”, etj.
Me qëndrimet e tij, jo rrallë ka shkaktuar në opinion, irritime, dhe të qeshura me sjelljet e tij donkishoteske.
Dhe hiq nuk e ka problem që të turpërohet, për këto qëndrime të tija. Ai me këmbngulje e vazhdon rrugën që ose e ka marrë detyrë nga dikush, apo edhe ia ka dhënë vetes këtë mision. Prandaj, për këto “qëllime të larta”, ai shëtit, nga një medium në tjetrin, kudo që i jepet mundsia, nga një studio televizive në tjetrën, deri edhe në Beograd.
Dhe për çudi, ai së fundi, vet tregon, se si ka shkuar në vizitë te një ministër serb në qeverinë e Serbisë. Dhe lajmin për këtë veprim, e bën vet publik, përmes postimit të një fotoje të bërë në kabinetin e tij.
Është çështje e tij, se ku dëshiron të shkojë dhe me kë dëshiron të takohet, qoftë edhe publikisht. Por cila është arsyeja e tij, që këtë moment gëzimi dhe kënaqësie të tij, e bën publike, madje me mburrje?
Pas reagimeve të shumta, të opinionit kundër këtij veprimi, Nexhmedin Spahiu, jo vetëm që nuk kërkon falje, e as nuk shpreh pendim, por arsyetohet me mburrje se: para tij në Beograd paskësh shkuar vetëm Adem Demaçi, dhe se ky na qenka i dyti.
Ndërkaq në pyetjen e bërë ndaj tij, se pse shkove në këtë vizitë, Nexhmedin Spahiu përgjigjet se të pyesësh pse shkova unë në Beograd, është e njëjtë sikur ta pyesësh Adem Jasharin se përse e kape pushkën dhe luftove!
Merreni me mend çfarë krahasimesh! Madje me paturpësinë më të madhe, e krahason veten me të dy Ademat. Dihet se Adem Demaçi kur ka qenë në Beograd, dhe dihen qëndrimet e tij publikisht, të emituara, që janë thënë në televizionin e Beogradit.
Pra Adem Demaçi, nuk ka qenë në zyrën e asnjë ministri të qeverisë së Serbisë.
Dhe jo vetëm kaq!
Ai, pra Nexhmedin Spahiu, nuk heziton që t’i fyej, e nënçmoj, secilin nga personalitetet që e kanë “gozhduar” me pyetje apo edhe analiza të bëra rreth pelegrinazhit të tij te ministri serbë. Të gjitha këto, flasin jo vetëm për nivelin intelektual, për përgatitjen profesionale në fushën e pretenduar, por edhe për defektet e mëdha që ka në ndërgjegjen njerëzore dhe vetëdijen kombëtare.
Por jo shumë larg, historia na tregon, se edhe gjatë viteve të 90-ta, në Kosovë ka pasur ndonjë individ si Basri Pllana, Faik Jashari e ndonjë tjetër që janë takuar me personalitete serbe. Akrobacionet e tilla të Nexhmedin Spahiut, padyshim se janë të dëmshme, aq më tepër kur veten e quan me paturpësi, luftëtar më të madh se sa 100 ushtarë të UÇK-së!
Në këto akrobacione të dëmshme, mjerisht janë të përzier edhe disa media të caktuara, të cilat i japin hapësirë, për lansimin e ideve të mbrapshta dhe qëndrimeve destruktiv, e të cilat, kudo që shkon, i lëshon si vezët e qyqes. Në këtë rast këto media, me apo pa vetëdije, bëhen argat i mendësisë destruktive të Nexhmedin Spahiut.
Mjerisht në Kosovë, ka “hapësirë ligjore” për të bërë deklarata kush si t’i teket, për të fyer, ofenduar e nënçmuar figura, personalitete e ngjarje historike, ashtu si t’i teket. Sepse ligji i Hajredin Pashës ia ka krijuar një mundësi të tillë.
Kjo gjë pa dyshim se është morbide edhe për popujt e shtetet e zhvilluara.
Kjo “liri shprehjeje”, nuk ekziston në asnjë vend të botës së qytetëruar, përpos në vendet ku anarkia i ka zënë vendin konstruktivitetit e mendimit racional.
Kjo mendësi, padyshim se do të vazhdoj për të prodhuar efekte negative në shoqëri, prandaj institucionet shtetërore të Kosovës, do të duhej të mendonin seriozisht edhe në drejtim të mbajtjes së masave “edukativo-arsimore” ndaj veprimeve anarkiste… në shoqëri.