Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar përmes një videoje pakon e tij sociale, duke theksuar se shteti duhet të jetë pranë qytetarëve pikërisht në momentet kur ata kanë më së shumti nevojë. Në qendër të programit qeverisës, Hamza ka paralajmëruar krijimin e Fondit të Papunësisë, i cili do të ofrojë mbështetje të menjëhershme për qytetarët që humbin vendin e punës, si dhe themelimin e Gjykatës së Punës, për të garantuar drejtësi të shpejtë dhe efektive për punëtorët. Pakoja sociale përfshin edhe mbështetje të veçantë për lehonat, duke siguruar stabilitet financiar dhe dinjitet, si dhe barna falas për qindra mijëra qytetarë që përballen me sëmundje kronike. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar arsimit, përmes krijimit të Fondit të Bursave për Studentë në vlerë prej 30 milionë eurosh, që synon të mbështesë të rinjtë në arsimim dhe ndërtimin e së ardhmes së tyre. Hamza ka theksuar se vizioni i tij qeverisës bazohet në përfshirje sociale dhe zhvillim të barabartë, duke nënvizuar se asnjë qytetar nuk do të mbetet pas. Prezantimi është mbyllur me mesazhin dhe sloganin e fushatës: Bashkë. Përpara.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
