Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka kërkuar zyrtarisht nga Bashkimi Evropian heqjen e të gjitha masave të vendosura ndaj Kosovës. Këtë kërkesë ai e ka formalizuar përmes një letre drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe institucioneve tjera të BE-së. Hamza thekson se qytetarët e Kosovës, të cilët i quan ndër më proevropianët në rajon, nuk duhet të jenë viktimë e një situate politike të krijuar nga, siç e përshkruan ai, “një qeveri e papërgjegjshme”. Ai kujton se Kosova ka zhvilluar tri palë zgjedhje brenda një viti, duke demonstruar standarde të larta demokratike pavarësisht bllokadave të krijuara më pas në formimin e institucioneve. Sipas tij, kjo pjekuri institucionale e bën të pajustifikueshëm vazhdimin e masave nga Brukseli. Në letër, Hamza vë në pah edhe barrën që Kosova ka marrë përsipër në raport me drejtësinë ndërkombëtare, përfshirë themelimin e gjykatës speciale, një institucion që, sipas tij, është imponuar vetëm ndaj Kosovës dhe ka marrë karakter “monoetnik”. Hamza argumenton se vendi ka bërë sakrifica të mëdha për liri, pavarësi dhe integrim në strukturat euroatlantike. Për këtë arsye, ai kërkon që BE-ja ta trajtojë Kosovën në mënyrë të barabartë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe të mos e privojë nga mbështetja jetike për zhvillim dhe siguri.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
