Kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka përfunduar një vizitë dyditore intensive në Washington D.C., ku zhvilloi takime të nivelit të lartë me përfaqësues të administratës amerikane dhe institucioneve strategjike të Shteteve të Bashkuara. Hamza e cilësoi vizitën jetike për paraqitjen e vizionit të tij për zhvillimin e Republikës së Kosovës dhe për rindërtimin e partneritetit të thellë me SHBA-në. Gjatë qëndrimit, ai u takua me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentit të Shtetit. Përveç këtyre takimeve zyrtare, Hamza ishte i ftuar edhe nga James Carafano, Këshilltar i Lartë i Presidentit dhe E.W. Richardson Fellow në Fondacionin “Heritage”. Në takim morën pjesë edhe figura të njohura si Anthony Kim, redaktor i Indeksit të Lirisë Ekonomike, dhe Max Primorack, ekspert i sigurisë. Hamza u shpreh se nga Washingtoni është kthyer “jashtëzakonisht pozitiv”, duke theksuar se pas një periudhe të vështirë të mungesës së komunikimit dhe ngrirjes së dialogut strategjik, tashmë janë hapur mundësi të pashtershme për bashkëpunim të ri me SHBA-në. Kosova do të rikthehet në kryeqytetin amerikan “më e fortë se kurrë”, me projekte konkrete në fushën e diplomacisë, ekonomisë, energjisë, investimeve strategjike, si dhe me angazhime serioze në fushën e ushtrisë dhe inteligjencës. sHamza e vuri theksin te rëndësia e partneritetit të qëndrueshëm me Amerikën, duke e cilësuar atë si gurthemel të zhvillimit dhe sigurisë së Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
