Bedri Hamza: Kosova s’mund të kërkojë urgjencë për institucione ndërsa shtyn zgjedhjet

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ku u formalizua shpërndarja e Kuvendit, deklaroi se partia e tij ka propozuar 21 dhjetorin si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e reja parlamentare. Hamza theksoi se vendi po vuan nga bllokada institucionale e krijuar nga partia në pushtet, duke nënvizuar se zgjedhjet duhet të ndodhin sa më shpejt që të jetë e mundur. “Ka pasur një shtyrje të vazhdueshme dhe bllokadë në krijimin e institucioneve – një barrë që bie mbi partinë fituese të zgjedhjeve të fundit. Vendi ka nevojë për institucione funksionale sa më shpejt. Nuk shkon që njëherë të kërkohet urgjencë në krijimin e institucioneve, e në anën tjetër të kërkohet data më e vonshme e zgjedhjeve,” u shpreh Hamza, duke iu referuar kërkesës së pushtetit për datën 28 dhjetor. Sipas Hamzës, propozimi për 21 dhjetorin është i arsyeshëm edhe për shkak të dinamikës së fundvitit dhe nevojës për qartësi politike para ndërrimit të vitit. Ky qëndrim shfaqet në kontrast të qartë me qasjen e qeverisë në detyrë, e cila po favorizon datën më të vonshme, duke krijuar perceptimin e vazhdimit të zvarritjeve politike në dëm të stabilitetit institucional dhe proceseve buxhetore që presin vendimmarrje. Hamza gjithashtu rikonfirmoi një prej pikave të tij politike prej ditës së zgjedhjes në krye të partisë — PDK-ja nuk ka vija të kuqe ndaj asnjë subjekti politik, duke lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim të gjerë pas zgjedhjeve, një deklaratë që e pozicionon PDK-në si parti pragmatike në një moment kyç për vendin.

 

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Humolli

Fatmir Humolli: Bllokimi i Kuvendit ka ardhur nga vetë Vetëvendosja

Formimi i Qeverisë së propozuar nga Glauk Konjufca dështoi të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, …