Bedri Hamza: Mjaft me përçarje, është koha për bashkim dhe punë për qytetarët

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, në një videomesazh të publikuar të mërkurën, ka adresuar gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, duke vlerësuar se Kosova po e përjeton lodhjen e pesë viteve të vështira nën qeverisjen aktuale. Hamza theksoi se rritja e çmimeve, stagnimi i pagave dhe rritja e numrit të të rinjve që po largohen nga vendi janë tregues të qartë të dështimit qeverisës. Sipas tij, qeveria aktuale ka zgjedhur të thellojë përçarjet politike në vend të orientimit drejt zgjidhjeve që u shërbejnë qytetarëve. “Familjet po punojnë shumë, por prapë mezi po e mbushin tryezën. Të rinjtë po ëndërrojnë një të ardhme që nuk po e gjejnë këtu. Kjo ka ndodhur sepse kemi një qeveri që ka sjellë jostabilitet dhe premtime të pambajtura,” deklaroi Hamza. Ai tha se vendit i duhet një drejtim i ri dhe një qeveri që fokusohet te mirëqenia, rritja ekonomike dhe uniteti shoqëror. “Ne nuk krijojmë kriza, por krijojmë mundësi për një jetë më të mirë për të gjithë,” shtoi ai, duke theksuar se Kosova është lodhur nga situata e krijuar, por “nuk është thyer”. Mesazhin e përmbylli me thirrjen për ndryshim drejtues: “Ka ardhur koha ta nisim kapitullin e ri. Bashkë. Përpara.”

Kontrolloni gjithashtu

OVL-UÇK i përgjigjet Mickoskit: Protesta e 13 dhjetorit është paqësore, dramatizimi politik i panevojshëm

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Maqedonisë …