Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se gjatë takimeve me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, nuk është diskutuar asnjëherë për një rikthim të mundshëm të tyre në politikë pas përfundimit të procesit gjyqësor në Hagë. Hamza tha se vendimi për angazhimin e ardhshëm politik u takon vetë Thaçit dhe Veselit, duke shtuar se ata nuk kanë shprehur ndonjë qëndrim lidhur me këtë çështje. “Gjatë vizitave të mia te zoti Thaçi dhe te zoti Veseli nuk kemi biseduar nëse do të jenë pjesë e politikës pas përfundimit të procesit. Është në autoritetin e tyre. Nuk e di nëse do të vazhdojnë të merren me politikë”, u shpreh Hamza. Duke folur për procesin që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – kreu i PDK-së tha se pret një aktgjykim lirues. “Verdikti do të duhej të ishte lirues. Të gjitha faktet flasin në këtë drejtim. Unë besoj në drejtësi”, deklaroi ai. Hamza foli edhe për zgjedhjet e brendshme në PDK, duke bërë të ditur se procesi tashmë ka nisur. Sipas tij, synimi fillestar është që ai të përfundojë brenda këtij viti, por vlerësoi se afati më i përshtatshëm për organizimin e zgjedhjeve në të gjitha strukturat e partisë është tremujori i parë i vitit të ardhshëm.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
