Një toponim i lashtë, që na shpije në thellësi të historisë. Një fije dëshmie që lidhë brezat. Po ta shikosh hollë e hollë, në dukje të parë, diçka fare e thjeshtë, që të tjerëve edhe mund të mos u bëj kurrë fare përshtypje. Një tufë ftonjsh të egjër, në qendër të fshatit Galicë, në një kryqëzim rrugësh. Kaq dhe pikë! Madje, sot, ca filiza të rinj, mbirë mbi rrënjët e degëzuara të atyre të vjetërve…
-Ore, çfarë na duhet kjo histori, kur të tilla toponime kemi kah të rrotullohesh?!- mund të thotë ndonjëri disi me mospërfillje.
-Jo, ore lum vëllai, jo, këtu nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një emër e me një copë vendi, por, me një emër të shkruar me shkronja gjaku! Një emër, një kujtim- shumë histori!…
Dorën në zemër, këta ftonj nuk janë vetëm ftonj. Ftonj ka kudo. Por, këta janë krejt ndryshe. Këta simbolizojnë një sakrificë sublime. Janë vulë e pashlyer e një ngjarjeje që ka ber emër në faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare. Këta flasin vetë. Heshtja e tyre ngërthen në vete atë që as lapsi nuk e shkruan dot. Rrënjët i kanë thellë në tokën e lashtë stërgjyshore, të ujitura me gjakun e arbërorëve, andaj edhe do të gjëllijnë për jetë të jetëve. Janë dëshmitarët më besnikë të një drame të madhe kombëtare, luajtur nga aktorë të mëdhenj, pikërisht në bërthamën e shtetësisë sonë, në Arbërinë e Vogël të Azem Galicës. Në këtë vend, më 15 korrik 1924, ushtria dhe xhandarmëria serbe pushkatuan shumë gra, pleq e fëmijë, në mesin e tyre edhe plakun Shaban Tahiri 85 vjeçar, i cili po u printe atyre dhe po përpiqej t’i kapërcente jashtë rrethimit.
Trung i lashtë…
Dhe, që thua ti, për mua ata kanë vlerë të shumëfishtë.
E para, ata, në njëfarë mënyre paraqesin historinë gjenealogjike të trungut tim të lashtë familjar. Aty lidhem breza e brezni, siç i thonë një fjale. Që nga këtu e deri te Tahiri i moçëm, për të cilin dimë pak. Nga ajo lozë e hershme, ka rrjedhën një familje e madhe. Po, po, një familje që shtrihet në përmbi shtatë-tetë breza.
Duke gërshetuar rrëfimet për gjyshin tim, Tahirin e tretë, del pakëz në dritë dhe zhdavaritët mjegulla e kësaj historie…
…Tahiri kishte ardhur nё kёtё botё në janarin e egёr e me borё tё vitit 1894. Galica e tij asokohe numëronte pak shtëpi, tё vogla përdhese, strukur te kёmbёt e Sukёs sё Madhe, bri Kёrshit tё Hutit. Qe i biri i Shaban Tahirit, kryeplakut galicas, i cili shquhej për urtësi, burrëri, trimёri e bujari. Oxhaku i Shaban Tahirit qe ber i njohur në gjithë Drenicën heroike e emri i kishte vajtur edhe mё larg. Edhe dasma e Azem Galicës, kur me insistimin e Shotës, mori për grua Zojën e Shaban Cekut nga Kostërci (Kastrioti), e cila u organizua në shtëpinë e Shaban Prebrezës, aty pranë Kalasë dardane, në vjeshtën e vitit 1921 e që, në fakt, qe një tubim për bisedime e vendime me peshë historike. Xhemë Tërnafci ishte ndër organizatorët kryesor. Shpenzimet e dasmës i hoqën banorët e fshatrave të Drenicës, në veçanti Galica e Dubofci. Për organizimin e këtyre punëve në Galicë u caktua Shaban Tahiri.
Rrёnjёt gjenealogjike tё kësaj familjeje, sigurisht, duhet tё shkojnё edhe mё tej nё mugёtirat e historisё, por tё gjitha rrёfimet e mё tё moshuarve ndaleshin e përfundonin pikërisht te Tahiri i parë, përkatësish të djali i tij, Tahiri i dytë, i cili pati tre djem: Jonuzin, Xhemën dhe Shabanin. Jonuzi pati vetёm njё vajzё, Hanifen, e martuar nё Vllahi tё Shalёs sё Bajgorёs, Xhema pati vetёm njё djalё e dy vajza, Kamerin, Hatёn e Shotёn, kurse Shabani pati tre djem e dy vajza: Qerimin, Smailin, Tahirin, Hamiden dhe Zojёn.
Nuk thuhet kot: dardha bie nёn dardhё. Rrugёs sё mbarёsisё, trasuar nga tё parёt, kishte ecur edhe Shabani, i cili trashёgoi njё pasuri tё madhe pronash: ara, livadhe, kullosa e male dhe mbi 150 copë krerë bagëti. Dhitë dhe delet e tij vargëzoheshin që nga oborri i shtëpisë e deri në krye të Drumit, në Breg, siç e quajnë vendësit vargmalin nga ana verilindore qё katundit i qëndron mbi kokё si kurorë nusërie. Në odën e tij prej guri, punuar nga mjeshtёr tё njohur dibranё, gjenin sofrën shtruar, natën e ditën, të gjithë: miqtë e dashamirët, lypsarët e skamnorët, udhëtarët e nevojtarët, trimat e luftëtarët.
Ky burrё babaxhan e sederli me gruan e parё nga Syrigana, qё i vdiq pa e mbushur motin, pati vetёm njё vajzё, Hamiden, kurse pёr sё dyti qe martuar me Zyhër Perçukun nga Cecelia dhe patën tre djem: Qerimin, Smajlin, Tahirin dhe njё vajzё: Zojën.
Dëshmitarë të një ngjarje rrëqethëse
-Epo, kjo nuk është e mjaftueshme për ta tërhequr vëmendjen e kureshtarëve, të cilët presin më shumë…!- mund të shtoi tjetri, pa u kredhur në mendime.
-Po, ore ju paça për jetë të jetëve, kanë të drejtë, ngase ende nuk e shpalosa thelbin e rrëfimit rrëqethës të këtyre ftonjve dëshmitarë të asaj që ngjau këtu, para një shekulli!
-A durohet kjo, shteti në shtet?! O Shën Savë, Azem Galica po na çmend fare! Edhe fëmijët në djepa po e shohin ëndërr,- çirreshin ministrat e oficerët serbë, nëpër zyrat e Beogradit.
-Do ta djeg shkrumb e hi mbarë Drenicën e mallkuar,- shfreu i tërbuar kral Aleksandri.
– Ah, jo, ore të keqen, jo, e zbuti mjekërbardhi tinëzar, Pashiqi. Unë të mësoj ndryshe, që, mishi të piqet e helli mos të digjet, do ta heqim qafe atë të mallkuar Azem Galicë, dhe Evropa mos të hidhërohet…
…Natë e zezë, skëterrë. Hëna si bukë misri, fshihej pas resh. Nuk donte t’ua ndrijë rrugën tinëzarëve, që vjedhurazi zvarriteshin drejt Arbërisë së Vogël. Ajo si nuse e bukur flinte ëmbël. Nuk e merrte me mend se tre rrathë hekuri e kishin mbërthyer në shtat. Zhupani e gjeneralët shpirtzinj te topi kryesor. Veç agun e prisnin. Pranë topit Rexhep Lushtaku, topçiu më i mirë në garnizonin e Mitrovicës. E kishin marrë me dhunë dhe i besonin. Kujtonin se do t’i qëllojë vëllezërit e vet. Ah ç’ tutkunë e syleshë që ishin. Tri herë shtiu e kurrë nuk qëlloi në cak. Veç gjumin ua nxori trimave. Të befasuar e dëbuan duke e sharë.
E marta e 15 korrikut 1924, agoi para se të lindte dielli. Agoi nga zjarri i topave të artilerisë serbe. Ishte dita e tretë e Bajramit të vogël, siç e quan populli. Atë natë kobtare, Arbëria e Vogël e Azem Galicës ishte rrethuar nga të katër anët. Dhe lufta nisi furishëm. Gjashtë topa e dymbëdhjetë mitraloza të rëndë përnjëherësh vollën zjarr. Artilerinë e udhëhiqte kapiteni i klasit I Nikodija Marjanoviqi, i cili me vete e mori edhe ushtarin shqiptar (të tjerët ushtarë shqiptarë i lanë në kazermë) Rexhep Lushtakun, që ishte topxhiu më i mirë në garnizon. Krisma e topit të parë do ta shënonte edhe fillimin e betejës. Kjo detyrë i ra hise Rexhepit. Ai tri herë shtiu, por asnjëherë nuk qëlllloi në cak. Predha e parë fluturoi mbi kullë, e dyta në të majtë dhe e treat në të djadhtë të saj. “Eh Xheko, Xheko (ashtu e thërrisnin Rexhepin), kemi pasur besim në ty deri tani, por ti kësaj radhe na tradhtove”,- i thanë oficerët serbë, duke e larguar nga vija e fronti. Dheu u tund si nga tërmeti. Goditej çdo kullë e çdo shtëpi. Tri fshatrat: Galica, Luboveci e Mikushnica, morën flakë. Nga tymi, që ngrihej deri në qiell edhe dita u errësua. Edhe kundërsulmi qe i ashpër dhe i shpejtë.
Kushtrimi i kapedanit qe më i fortë se krismat e tyre. Në dhe i futi për së gjalli katilët që iu kishin afruar kullës. Disave u ranë pushkët nga dora. Përmbi ta shkelnin dhe s’bënin zë. Trimat, përmes flakësh, si dragonjtë fluturuan drejt Qyqavicës legjendare.
Sakaq lufta u nis ashpër. Qëllohej çdo kullë dhe çdo shtëpi, por zjarri kryesor ishte drejtuar kundër kullës-fortesë, e cila iu përballonte predhave që e qëllonin pa pushim. Kur nuk mbeti kullë a shtëpi pa i dalë flaka nga artileria u dha komanda për këmbësorinë. Ushtarët, që kishin dëgjuar dhe lexuar për trimërinë dhe luftërat e Azemit, i kishte rrokur paniku. Ata përkundër komandës për sulm, nuk guxonin t’i afrohen kullës…
Lufta u ndez edhe në shtëpitë e tjera, në Galicë. Kush kishte pushkë luftonte aty ku ishte. Askush nuk ia kishte frikën vdekjes. Edhe në dy fshatrat e tjera, në Lubovec e Mikushnicë, luftohej për jetë a vdekje. Çdo gjë mori flakë. Digjej gruri nëpër ara e nëpër lama, digjeshin shtëpitë, digjeshin stallat bashkë me bagëtinë brenda. Gratë, fëmijët dhe pleqtë iknin kush kah mundej pa ditur as ku po shkojnë. Ishte mbyllur qielli nga tymi dhe flaka.
Azem Bejtë Galica nga rrethimi i parë doli me një plagë në kraharorin e majtë. Ai, para se të vazhdojë rrugën e porosit Shotën që t’i marrë dy gratë e tjera dhe t’i bashkojë të gjithë fëmijët e gratë e Galicës e të shkojnë të kryeplaku Shaban Tahiri e bashkë të nisen për në Qyqavicë.
-Shotë, pasi e çamë rrethimin, ju shkoni te mixha Shaban dhe takohemi në Qyqavicë,- i tha për flakë pushkësh Azemi dhe fluturoi drejt malit Gamna.
Shotë Galica, edhe pse atë natë kishte qenë e sëmurë, u tregua heroinë e vërtetë. Pasi i ndihmoi burrit për ta çarë rrethimin, sipas porosisë së tij, mbi rrobat e veta i veshi do rroba të grave dhe me pushkë nën sqetull u nis drejt qendrës së fshatit. Pas saj shkonin edhe Zoja me Hatën. Shumica e grave, pleqve dhe fëmijëve ishin tubuar përreth plakut mjekërbardhë, Shaban Tahiri. Në qendër të fshatit, te Ftojt e Tahirit, arrin edhe Shota. Ajo bashkë me plakun u jepnin zemër.
Shota me grupin e vet u nis për në Qyqavicë, Shaban Tahiri me të tjerët mbetën aty…
Sakaq, drejt tyre po vinte një lukuni ujqërish dhëmbëzhveshur. Meshkujt, pa dallim, të rinj e të moshura, i grumbullojnë para Ftonjve të Tahirit. Disa gra e fëmijë i mbyllin në një stallë aty pranë…Dy ushtarë i caktojnë roje. Dikur njëri prej ushtarëve i lodhur nga vapa ua qet një bombë brenda. Një grua e shpejtë e kap bombën ende pa eksploduar dhe e gjuan përjashta, me çrast i mbyt të dy ushtarët. E çelin derën dhe dalin në rrugë..
Rrëfime e kujtime…
Pasi shkretuan dhe dogjën çdo gjë mbi tokë, disa pleq dhe të rinj të Galicës, që ende po i mbanin peng, i pushkatuan në qendër të fshatit, te Ftonjtë e Tahirit. Pas pushkatimit, kolonisti malazez i vendosur në Taraxhë, Maksim Ujakoviqi, me rroba civile e me revole në dorë, i rrotullonte kufomat dhe ai që kishte mbetur gjallë e vriste. Aty e vrau të riun 18-vjeçar, Sinan Ujkanin, i cili kishte mbetur gjallë.
Mirëpo, në atë plojë, nën kufomat e mbuluara me gjak, fati e mëshiroi ndonjë jetë. I tillë qe edhe Hamzë Zena, i cili, i plagosur, duke mos lëvizur fare, ashtu nën kufoma, i kishte shpëtuar vdekjes. Edhe më afër vdekjes kishte qenë Brahim Ferizi- Galica, i cili, më vonë dhe rrëfente:
…S’kemi ditë çka u bë deri kur kanë krisë pushkët. Tani jemi dalë. Ata çka patën pushkë, ju bashkuan Azemit, ne çka s’patëm mendonim qysh me shpërthye rrethin e me dalë në mal. S’patëm mundësi. Na zunë të gjallë. Na lidhën dorë për dore dhe na dërguan në qendër të katundit, ndërmjet tri rrugëve. Në secilën rrugë na e kishin ngreh nga një mitraloz. Një malazez, me allti t’karadakut në dorë, në rroba civile, e ka pru një fëmijë 13 vjeçar përpara dhe e ka përzier me ne. Ne u mundoheshim m’i fsheh diqysh. Malazezi na hetoi. Ia ka ngjitë fëmijës për krahu e i ka ra gjashtë herë allti para nesh. Një oficer i raportoi komandantit se u krye, nuk kishin gjetur njerëz të tjerë.
Mua më shkoj mendja që sa të fillojnë me qëllua të rrëzohem pa më marrë plumbi. Kanë krisë të tre mitralozat përnjëherë. Unë jam rrëzua. Disa shokë janë ra përmbi muet. Gjaku i tyre më përvëlonte sikur ujët e valë. Njërit i digjte xhamadani me pambuk. Ma soske dorën (ende i dihej shenja). Tani, përmbi kufoma, na kanë hipë me alltia. Për cilin mendonin se është gjallë, i binin edhe nga njëherë në krye. Kur ua mori mendja se nuk ka më, janë larguar. Janë shpërnda nëpër shtëpi, me vra, me djegë e me plaçkit.
Unë e kam nxjerr dorën e lidhur prej shokës. Tue shty kufomat e qita kryet përmbi grumbull. Mora rrugës më dalë prej katundit, mirëpo të tri rrugët ishin nxënë. Kudo nëpër oborre dëgjoheshin duke folur serbisht. Jam hi në një bashqe aty afër. Një pulë, e ngrenë dreqit, me nja dy zogj, që ish mbet gjallë, mu kishte afruar ngatë, tuj ba klluk- klluk. Papritur katër ushtarë serbë po zbrisnin rrugës duke kuvenduar. Nuk shkelën mbi kufoma që kishin zënë rrugën, por kërcyen gardhin dhe hynë në bashqe, ku isha strehuar unë nën disa lozë t ‘kungujve dhe t’ pasulit. Njëri ka nga pas pule dhe më ka hetuar. Unë rashë përmbys, mos me i pa kah më vrasin. Ushtari më pa, i thirri serbisht një dhjetari:
-Hajde këqyrni një shqiptar t ‘gjallë!
-A i gjallë është a?- pyeti dhjetari.
-Valla nuk di. Krejt koka i lamë në gjak- iu përgjigj ushtari.
Erdhën të katërtit, më rrethuan dhe po më shikonin a jam i gjallë a jo. Dikush thoshte lë se qenka i vdekur, dikush thoshte që po merr frymë. Njëri më ra me maje të qezës. Atëherë jam kthye mbarë dhe ua kam ngul sytë. Unë shiko, ata shiko. M’i kanë shti grykët e pushkëve në gjoks. Dhjetari u ka piskatë:
-Mos e vrani se urdhri i kapitenit është që ata që kanë mbetur gjallë deri tash të mos vriten por të dorëzohen të gjallë në komandë!
Atëherë ma kanë zhvesh shokë e me të më kanë lidhë në fyt e në të dy krahët e më kanë vu përpara ushtrisë që shkonte për Vushtrri. Aty i pashë edhe dy-tre shqiptarë me plisa të bardhë dhe u gëzova që paska shpëtuar edhe dikush i gjallë. Na kanë drejtua për në Vushtrri pa na nda drurin deri në burg. Në burg na kanë rrahur gjithë natën, duke u ndërruar me rend. Të nesërmen na kanë qitë me shkurtua dru. Të pasnesërmen na kanë qitë në gjyq e na i kanë pre nga një muaj burg e më vonë na kanë lëshua…
* * *
Dhe, epilogu i asaj beteje të përgjakshme, qe trishtues.
Cerberët e përtej Tunës, kur kuptuan se Azem Bejtë Galica doli i gjallë nga rrethimi, u tërbuan fare. Pasi shkretuan çdo gjë të gjallë, mblodhën të vrarët e tyre dhe ikën në teqafje.
Arbërisë së Vogël u shua. Të vrarët u varrosen aty ku kishin rënë, në ara, në male e në livadhe, kurse ata që i patën grumbulluar te kulla i varrosën në varre të përbashkëta, nga tre-katër e pesë në një vend. Të shpëtuarit u degdisen gjithandej, nëpër miq e shokë. Mbi tri fashatrat e boshatisura, për disa ditë rresht ka qëndruar një mjegull e dendur nga tymi dhe shkrumbi që lirohej nga gjërat e djegura…
Pra, më 15 korrik 1924, në tri fshatrat e rrethuara u dogjën 100 shtëpi, u plagosën rëndë 26, ndërsa u vranë dhe u masakruan 82 veta, përkatësisht, me kryetrimin Azem Bejtë Galica, i cili, nga plagët vdiq dhjetë ditë më vonë, na dalin 83, që e kalon shifrën e dhënë nga gazeta “HAK” dhe nga shtypi i asaj kohe.
Kështu që, Ftonjtë e Tahirit, ngërthejnë në vete një histori, e cila nuk duhet harruar, por, përherë duhet përkujtuar e nderuar…
Lavdi!
Galicë, korrik 2025
Ftonjtë e Tahirit në qendër të Galicës
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
