Behxhet Sh. Shala: Adem Demaçi është Mendela i Kosovës, i Ballkanit dhe i Evropës

Adem Demaçi është Mendela i Kosovës, Mendela i Ballkanit dhe Mendela i Evropës. Është binjaku siamez i Nelson Mendeles të Afrikës së Jugut. Adem Demaçi është Mendela i shqiptarisë dhe i popujve të robëruar. Është vetëdija, ndërdija dhe ndërgjegjja e të gjithë atyre që e gjakojnë lirinë. Është mohuesi i jetës në kushte të padinjitetshme dhe i robërisë. Është vazhdimësi e filozofisë politike dhe ushtarake e Hasan Prishtinës dhe frymëzues i të gjithë atyre që interesin kombëtar e kishin dhe e kanë mbi interesin personal dhe të cilët asnjëherë nuk e ndërprenë rezistencën, qoftë politike, qoftë ushtarake që nga Hasan Prishtina, Isa Boletini, Azem Bejta, Shotë Galica, Imer Berisha, Gjon Serreçi, Marie Shllaku, Jahja Fusha, Shaban Shala, Fazli Grajçevci, Xheladin Rekaliu, Rexhep Mala dhe deri tek e lavdishmja Ushtri Çlirimtare e Kosovës, me të pavdekshmit Fehmi dhe Xhevë Lladrovci dhe me të Madhin dhe legjendarin e kësaj ushtrie, komandant Adem Jashari. Adem Demaçi ishte dhe mbeti vazhdimësi gjenetike e një të drejte të natyrshme për bashkim kombëtar me shtetin amë, Shqipërinë, nga e cila na ndanë dhunshëm dhe po na mbajnë të ndarë edhe sot dhunshëm, me një ambalazhim arsyetues politik dhe bashkim në kuadër të integrimeve evropiane ku, as Shqipëria e as Kosova nuk janë pjesë e Evropës.

Adem Demaçi ishte, është dhe mbeti i veçantë sepse në situata të jashtëzakonshme mori vendime të veçanta, të cilat njerëzit normalë i konsiderojnë si të çmendura. Adem Demaçi i luftoi gjarpinjtë e gjakut kur një numër jo i vogël i atyre që flisnin shqip bashkëjetonin me ta duke i mbajtur nën sqetull e vet ishin shndërruar në miza kali të hamshorëve jugosllavë dhe serbë. Gjatë gjykimit të parë dhe edhe më vonë e parashikoi me saktësi të pabesueshme se ç’do të ndodhë me Jugosllavinë nëse shqiptarët nuk trajtohen si popujt e tjerë në këtë monstrum shtetëror. I mbajti afërsisht 30 vjet burg në kushte jashtëzakonisht të rënda dhe vetëm ata që ishin me Bacën e Madh me vepra dhe trupvogël, mund të tregojnë për ato kushte të ferrit në Pozharevc, Sremska Mitrovicë dhe Stara Gradishka (llogoret më famëkeqe në ish-Jugosllavi). Edhe në këto kushte kurrë nuk u largua nga rruga drejt lirisë duke hapur shtigje edhe për shokët me të cilët ishte në llogore sikur edhe ata që rezistonin në viset e okupuara nën Jugosllavi. Tek Adem Demaçi e pamundura nuk ekzistonte as si shprehje e lëre më si gjendje. Me dalje në skenë të rezistencës paqësore, e cila pastaj degjeneroi në një dorëzim, Adem Demaçi na udhëzonte që ta përkrahim këtë lëvizje, të mos bëhemi pjesë e saj sepse do t’i dëmtonim shkaku se ishim të shënjuar apo me baloshë si të burgosur politikë. Nuk e njihnim Him Govën prandaj na udhëzonte ta përkrahim i cili pastaj u shndërrua në kufomë politike të cilin pasuesit apo përfituesit paqësorë dhe ata të pasluftës e quanin “president historik” dhe “arkitekt i pavarësisë së Kosovës”. Kur historia të flasë me fakte, edhe politika, edhe arkitektura do të japin vlerësime të tjera. Kur e pa se nuk ka gjë prej Him Govës e këshilloi t’i mbledhë plaçkat dhe të shkojë në shtëpi. Bashkëpunoi me të gjithë ata që vlerësonte se mund të kontribuonin në luftë për liri pavarësisht të kaluarës së tyre, jo gjithmonë të lavdishme. Duronte fyerje që nuk i kishin bërë as Rrahaman Morinës, Ali Shukrisë, Sinan Hasanit, Kolë Shirokës e “vlerave” të tjera vetëm për të afruar njerëz që i duheshin Kosovës. Mbeten të paharruara dhe antologjike debatet dhe intervistat që i bëri në Beograd me çetnikët e vjetër dhe të rinj të Serbisë duke e parashikuar saktë zhvillimin e ngjarjeve dhe shpërbërjen e monstrumit shtetëror të sllavëve të jugut. Kur UÇK-ja mbeti pa përfaqësues politikë dhe kur kalonte çaste të vështira, pranoi që në qendër të Prishtinës, në gojën e ujkut, ta hapë zyrën e UÇK-së kur “arkitekti” deklaronte se UÇK-ja është pjellë e Serbisë dhe mbante zgjedhje të “lira” në Kosovën e përgjakur. I vetmi ishte që nuk pranoi të shkonte në Rambuje sepse e kishte parë listën e kualifikimit për Rambuje në tryezën e Robin Kukut në Shkup, ku Kosova mbetej si pjesë e Jugosllavisë. Nuk e pranoi cilësimin se UÇK-ja është organizatë terroriste përkundër kërcënimeve të Gelbardit, Holbrukut (mikut të Sllobës), Hillit dhe të tjerëve që e pushkatuan politikisht dhe botërisht si antiamerikan që me pasion e përkrahën Surra dhe “Nobelisti”. I pari deklaroi nëpërmjet një tirazhi të madh se: “Adem Demaçi” është kundër tërë botës, kurse i dyti nuk la të zezë pa e thënë dhe shkruar për Bacën. Adem Demaçi dha dorëheqje kur ia drodhën “këta të luftës”, duke i luajtur fjalët. Adem Demaçi nuk la vend pa shkuar ku ishte edhe vetëm një ushtar i UÇK-së dhe çdo gjë që kishte e vinte në shërbim të luftës.

Kur shumica ia mbathëm nga Kosova, sidomos gjatë bombardimeve të NATO-s, Adem Demaçi qëndroi në Prishtinë duke sfiduar situatën. Baca Adem mbajti fjalim mbi varrin e Bajram Kelmendit me bijtë e tij që u ekzekutuan nga ushtria serbe, ndërkohë që “paqësorët” as që guxuan të marrin pjesë në varrim. Adem Demaçi e çmonte sakrificën sepse tërë jetën u sakrifikua për lirinë e shqiptarëve dhe popujve të robëruar, prandaj u nderua me Çmimin Saharov dhe shumë çmime të tjera të cilat nuk ishin çmime politike, por të merituara. Pas përfundimit të luftës, Adem Demaçi e mbështeti krahun e luftës sepse, siç thoshte: “jemi të një gjaku”. Pas luftës ishte i pari që ua shtriu dorën pakicave të rrezikuara. Baca Adem u bë kritik edhe ndaj shokëve të luftës kur ata filluan të hyjnë lakrave dhe kur livadhin (Kosovën) e kullosnin sikur të ishte “bahçe e babës”. Në korrik të vitit 1999, në “Grand Hotel”, ku ishte një drekë me shumicën e komandantëve, e shpalosi profecinë e tij duke deklaruar se: “Do të vijë një kohë kur ju të gjallët do t’ua keni lakmi atyre që janë vrarë (dëshmorëve) gjatë luftës dhe se nuk ka me mbet kush pa u korit (turpërua)”. Vlerësoni sot lexues të nderuar, nëse ka pasur të drejtë apo jo.

 

Ana tjetër e medaljes:

Nuk e besoj se ka raste të njëjta te popujt e tjerë që dikush që është sakrifikuar aq shumë për popullin që i takon të jetë fyer dhe sulmuar më shumë. Nuk e besoj madje se ka në botë njeri që është sakrifikuar aq shumë sa Adem Demaçi për popullin e vet. Popujt e tjerë kanë shpikur heronj edhe kur nuk i kanë pasur, ndërsa ne poshtërisht i mohojmë heronjtë për të cilët, po t’i kishin popujt e tjerë, do t’i krahasonin me Zotin vetë. Po ç’bëmë dhe ç’po bëjmë ne për Adem Demaçin?! Partia që udhëhiqej nga “arkitekti i pavarësisë” kishte ekipe komisarësh politikë për të bërë luftë speciale kundër Adem Demaçit, si vëlla i serbëve, hartues i projektit Ballkania që na linte nën Serbinë kur nuk ishin në gjendje ta përzënin as macen prej përsheshi dhe kur pranonin të nënshkruanin çdo marrëveshje, pa e lexuar fare dhe kur politikën e tyre e bënin popat e Shën Exhidios. Komisarët politikë të LKJ-së (Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë), tash të konvertuar në LDK, deklaronin se Adem Demaçi nuk ishte fare në burg, por jetonte në vilat e UDB-së apo KOS-it në kohën kur në radhët e tyre kishte plot oficerë të UDB-së dhe KOS-it dhe partinë ua kishte formuar Rrahman Morina (Dushan Mugosha) vetë. Komisarët politikë të LDK-së (kanë emra dhe më vonë i bëj publikë) e penguan çdo nismë politike të Adem Demaçit para lufte, sidomos pas lufte kur u bënë bashkë me “këta të luftës”. E cilësuan si tradhtar shkaku se nuk e paskan vrarë serbët gjatë bombardimeve, ndërkohë që “arkitekti” i tyre i lutej çdo ditë Sllobës ta dërgonte në Itali që edhe e bëri pas një konference për shtyp të përbashkët, ku që të dy kërkonin të ndërpriteshin bombardimet e NATO-s në Kosovë. Me Adem Demaçin nuk u sollën mirë as këta të luftës, sidomos pas Rambujesë dhe kur i ranë bakllavasë (patent i Albinit). Me Adem Demaçin nuk u soll mirë as patentuesi i bakllavasë. Adem Demaçin nuk e lanë të bëhej deputet, as kryeministër e as president. Për president e penguan paqësorët, krahu i luftës dhe prodhuesit e bakllavasë. Sikur edhe rrugaçi Dell dhe donzhuani i tredhur Fejt. I pari e kishte favorit “rusin” (cilësim i tij në biseda private), Gjat Pacollin, kurse i dyti (Fejt) njërën prej kurtizanave të tij që kujdestaronin në sallën e Kuvendit të Kosovës, bartëse e një posti të shpifur sot e që mbikëqyrej, si formë bindjeje për ta votuar Gjetin, edhe nga krahu i fortë i luftës. Adem Demaçin nuk e bën ambasador sepse nuk e donin të shpërndahej e vërteta. Adem Demaçin nuk e bën anëtar të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës sepse i bënë partiakët e tyre që nuk dinin të lexonin as dy rreshta tekst që ua kishin shkruar “këshilltarët”.

Adem Demaçit, kur u shpall pavarësia e Kosovës, nuk ia mundësuan ta nënshkruajë këtë pavarësi qoftë edhe simbolikisht sepse, në fakt, ishte vetë Simbol i Pavarësisë dhe e katandisën në galeri ku ishin të ftuar edhe bijtë dhe bijat e atyre që vranë shqiptarë dhe bënë e ç’nuk bënë për ta luftuar pavarësinë. Shihni se kush e ka nënshkruar pavarësinë, ata kanë një të kaluar kundër pavarësisë dhe mirë u bë që Baca i Madh nuk e hodhi firmën në atë letër që nuk doli të jetë pavarësi. As sot nuk jemi të pavarur. Arsyetimi i paqësorëve, krahut ushtarak dhe gjysmushtarak dhe horrave të tjerë ishte se Adem Demaçi nuk e paska një adresë politike e që nënkuptuaka se 30 vjet burg të Adem Demaçit në llogoret e Jugosllavisë: “ikën me stuhinë…”.

 

“Përkujdesja institucionale” për Adem Demaçin:

Pehlivani, siç e quan Baca atë që e ka emrin Hashim, i ka ndarë një kompensim mujor prej 1000-eurosh (ata para tij nuk e bënë këtë) si dhe një veturë nga koha e carit të Japonisë Hirohito dhe e cila, përveçse është e lodhur fare, është e padinjiteteshme edhe për njërën nga prostitutat (të të dy gjinive) që u ofrojnë shërbime politikanëve, ndërkohë që shkelësit e Kushtetutës i kanë veturat më të reja të mundshme, zyra, sekretarë, shoferë dhe shpenzime për reprezentacion (kë e reprezantojnë këta…?!). Në fakt, Adem Demaçi i ka dy shoferë, njëri i luftës që e kishte kokën në rrezik 24 orë gjatë luftës për t’i shpëtuar edhe një fije floku të Bacës. Ishte dhe mbeti shofer i sakrificës. Shoferi i paqes që e nganë veturën e Car Hirohitos është shofer i qejfit, me 45 veteranë të UÇK-së prapa. Tash thonë se Hashimi ia mbylli gojën Bacës me 1000 euro, kurse familja e “arkitektit të pavarësisë” i kushton 20 000 euro në muaj buxhetit të Barcelonës (aq është buxheti i Kosovës) dhe që vetëm edhe e veja e tij ka mbetur pa u sistemuar në institucione të Kosovës apo në mision diplomatik. Dy deputetë dhe një zëvendësministër nga familja e “arkitektit”, a nuk është e tepërt edhe për një diktaturë e lëre më për Kosovën si shteti më i ri, më premtues dhe me mundësi të pakufishme?! Mos të flasim për pallatin “mbretëror” që e përdorte si rezidencë, kurse sot është bërë pronë private e familjes së tij e që nuk i takon më asgjë. Më ka bërë përshtypje njëri që gjatë një diskutimi që i bëjmë “në klubet e Bukureshtit”, tha se duhet të përcaktohet statusi kombëtar dhe politik i Adem Demaçit; nëse është patriot apo tradhtar dhe pas kësaj duhet t’i caktohen privilegjet apo të ridënohet përsëri.

 

Po kush interesohet sot për Adem Demaçin:

Adem Demaçi ka mbajtur sot nën përkujdesje “institucionale” të familjes dhe atyre shokëve që nuk iu ndanë kurrë, që nga koha kur fasulja hahej kokrra-kokrra e deri më sot kur Baca nuk ka pushtet politik dhe nuk është mirë me shëndet.

Presidentja në ikje, znj. Atifete Jahjaga, nuk e ka parë të arsyeshme ta vizitojë Bacën as në spital e as në shtëpi. Është e zënë duke bërë “shopping”, duke i vizituar sallonet e bukurisë, duke pirë kafe apo duke vijuar kurset për shkrim-lexim. Këto detyrime të rëndësishme shtetërore e arsyetojnë mungesën e saj. Pehlivani, siç e quan Baca apo ai që e ka emrin Hashim, ka munguar sepse pak kohë ka qëndruar në Kosovë, ndërsa në oborrin e vogël të Bacës nuk ka vend edhe për një parkim veture e lëre më për aeroplan që u bë mjet transporti për zotin Hashim, në planin lokal dhe global. Kohët e fundit Pehlivani nuk po ka kohë ta vizitojë Bacën sepse po mundohet t’i veshë pantallonat e Jahjagës, por po ka vështirësi sepse po i bien të ngushta, duket për shkakun se Pehlivani është zgjeruar pak më shumë poshtë, pikërisht ku shpina e humbet emrin e saj të nderuar dhe e merr një emër tjetër që fillon me b… ose me p…! Mungon me arsye, pra.

Daja Isë nga Prapashtica kishte ardhur për ta vizituar, mirëpo nuk është mirë me shëndet; po ka problem me vezë apo koqe. Edhe me të tijat, sidomos me ato të opozitës. Po ia thyejnë vezët Bacë, dajës Isë, prandaj duhet ta arsyetosh sepse, si të vijë burri me vezë – koqe të thyera?!

Kadria të ka vizituar disa herë dhe po pyet për ty, mirëpo edhe atij i janë ngatërruar punët. Ia kanë bërë tym dhe tymnajë këta të opozitës dhe ka filluar të mos i dallojë njerëzit që i ka afër. Iu kanë përzierë dhenë e dhi bashkë!

Të kemi mbetur vetëm ne, që doje, siç thoshe kur të vish në pushtet të na varje në përmendoren e trekëndëshit komunist e që nuk po e lënë të bëhet Adem Jashar.

Mos të harroj e të them se edhe këta që të kanë pushkatuar publikisht po interesohen shumë për ty; po interesohen se si është procedura e varrimit të vlerave kombëtare pas vdekjes së tyre. Kanë vendosur të të shpallin vlerë, pasi të mos jesh më gjallë fizikisht, mbase atëherë mendojnë se më nuk paraqet rrezik për ta. Sa rëndë po gabojnë!

Një kalimtar i rastit, duke menduar se jam analist, më ndali në rrugë me një lutje: “Të lutem analist, shkruaje diku se sa shumë po i mungon sot Kosovës fjala e Adem Demaçit dhe pushka e Adem Jasharit…”. Ia plotësova dëshirën.

Baca Adem, këta që mundohen ta shkruajnë historinë, ku personazhet kryesore do të jenë vetë ata, nuk janë asgjë tjetër përveç udhëtarëve që kurrë nuk do të arrijnë në stacionin e fundit apo panteonin e vlerave njerëzore dhe kombëtare. Me bërryla janë bërë pjesë e udhëtimit historik, faktet do t’i nxjerrin dhe flakin nga ky udhëtim, duke i vendosur aty ku e kanë vendin. Në mezerien dhe mizorinë e tyre njerëzore, kombëtare, morale, intelektuale dhe politike. Prandaj, bën gajret Adem Demaçi sepse, sa të jetë gjallë shqiptaria, fjala e Adem Demaçit dhe pushka e Adem Jasharit nuk do të harrohen pavarësisht shumë përpjekjeve, por vetëm do të fitojnë peshë dhe vlerë.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha (1966): Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë

Enver Hoxha (1908-1985) nderohet e respektohet në Kosovë, asnjë fjalë e keqe për Josip Broz Titon në Shqipëri, prej vitit 1991

Në Kosovë, ishte idealizuar dhe në masë idealizohet edhe sot Enver Hoxha. Në Kosovë janë …