Bejtush Salih Berbeshi (10.4.1967 – 16.4.1999)

Bejtush Salih Gërbeshi (10.4.1967 – 16.4.1999)

Bejtush Salih Gërbeshi, u lind me 10 prill të vitit 1967 në fshatin Sllovi të komunës së Lipjanit. Prindërit Salihu dhe Vahideja lindën dhe rritën bijtë dhe bijat: Ramushin, Rahimen, Hasimen, Naxhijen, Vahiden, Rabijen, Bejtushin dhe Zejnijen.
Bejtushi, mësimet e para i kreu në vendlindje me sukses të shkëlqyeshëm. Kishte filluar stërvitjet në Akademinë Ushtarake në Sarajevë. Deri sa i bënte ushtrimet atje, në Prishtinë kishin filluar demonstratat e vitit 1981. Kthehet në Prishtinë, por pas zhvillimeve studentore vendosi të mos shkojë me në Sarajevë për kadetë sepse nuk donte të vishte uniformën e shtetit të atëhershëm Jugosllav. Kreu shkollën e mesme gjimnazin natyror në Lipjan pastaj fakultetin e shkencave “matematiko-natyrore” departmenti i fizikës. Në shtator të vitit 1989 filloi të punojë profesor i fizikës në gjimnazin “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë. Gjatë angazhimit në këtë gjimnaz, profesor, Bejtushi u përball me forcat policore serbe në vitin 1990, kur nxënësit e shkollës së tij ishin viktimë e helmimit. Ai shpejt reagoi për të ndihmuar nxënësit e tij, duke i larguar ata nga rreziku dhe duke i shpërndar në shtëpitë e tyre. Për shkak të mbylljes së shkollave nga autoritetet serbe, ai nuk e ndërpreu procesin e mësimit, duke vazhduar të mësojë nxënësit në shtëpi, veçanërisht ata që jetonin në zonat rurale të Fushë Kosovës.
Jetën dhe veprën e tij e kishte vënë në shërbim të çështjes kombëtare. Duke filluar që në moshën e re, ai ka pasur një angazhim të vazhdueshëm në demonstrata dhe aktivitete të lëvizjes kombëtare. Shtëpia e tij ishte kthyer në një qendër për organizimin e aktiviteteve të liridashësve, që vepronin ndaj kauzës së lirisë kombëtare. Kjo shtëpi shërbeu edhe si depo ushqimore për grumbullimin e barërave, mielllit dhe armatimit për Zonat Operative të Karadakut dhe Neredimes.
Duke filluar nga shkolla e mesme dhe deri në periudhën e studimeve universitare, ai ka qenë pjesë e disa demonstratave të organizuara në Kosovë. Gjatë kësaj kohe, ai ka zhvilluar kontakte të rëndësishme me figura të ndryshme politike dhe aktiviste të lëvizjes për pavarësi, duke filluar nga anëtarë të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës , e deri te përfaqësues të Partisë Parlamentare në degën e Lipjanit të përfaqësuar nga themeluesi i asaj dege, Shaip Jashari.
Demonstrata e tyre e përhershme në manifestimet masive kundër pushtuesit dhe pjesëmarrja e tyre në demonstratat e ashpër të viteve 1981-1982 deri në momentin e rënies së tyre, tregon një pjesëmarrje të përkushtuar ndaj kauzës së lirisë dhe pavarësisë. Megjithëse përjetoi ndjekje dhe përcjellje politike nga policia serbe që nga viti 1983, ai nuk u ndal nga angazhimi i tij kombëtar . Dënimi i tij me 6 muaj burg në vitin 1995, me pretekst se ka bartur dhe shpërndarë armë, dhe organizimt ilegal, tregon për vështirësitë dhe sfidat që ai përballoi për të mbrojtur idealin e tij. Dënimin e ka vuajtur në burgun e Lipjanit, duke treguar vendosmërinë dhe guximin e tij për të përballuar sfidat në rrugën e lirisë.
Bejtushi, së bashku me bashkëluftëtarin më vonë dëshmorin e kombit, Gafurr Hyseni, u angazhua që kamionat e parë të ndihmave ushqimore nga fshati Sllovi e Lipjanit, ti nis për Drenicë, pas rënies së Adem Jasharit dhe Jasharajve.
Kontaktet e para me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës i ka pasur në vitin 1997, për formimin e grupeve të para të celulave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke filluar nga komuna e Fushë Kosovës, duke zhvilluar aktivitetin e tyre nëpër fshatrat Bellaqevc, Lismir, Grabovc, bashkë me shokun e tij, Hysen Sogojevën, pastaj në Blinajë, në bashkëpunim me shokët e tij Shukri e Ramë Bujen, në Nerodime me shokët e tij Hysen Shahinin dhe komandant Imri Ilazin, në Karadak në Zonën e Zhegovcit me shokët e tij, Veli Muratin, Shemsi Sylën, Ahmet Isufin.
Ishte një ngjarje e veçantë kur Bejtushi, duke shfaqur guxim dhe përkushtim të pamohueshëm ndaj lirisë së vendit të tij, u përfshi në organizimin e grupeve të para të rezistencës kundër pushtuesit. Me zemër të zjarrtë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ai u radhit si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në gjysmën e vitit 1998. Momenti i parë kur ai u vendos në një pikë lufte në Blinajë, shënon fillimin e lavdishëm për të mbrojtur tokën e tij. Angazhimi i tij si furnizues i UÇK-së, me armë në zonën e Karadakut dhe misioni i tij për të bartur armët nga fshati Akllap në Gadime të Epërme, duke udhëhequr trupën nën komandën e komandantit Bilall Fejzullahu, tregon për guximin dhe përkushtimin e tij ndaj kauzës së lirisë. Duke u bashkuar si pjesëtar i Brigadës 171 të Zonës Operative të Nerodimës, Bejtushi vazhdoi të shfaqë guxim dhe vendosmëri në rrugën drejt lirisë së Kosovës. Në kohën e zjarrtë të luftës për liri dhe pavarësi, Bejtushi ka ndarë rrugën e tij të përkushtimit dhe guximit me një grup të privilegjuar bashkëluftëtarësh. Në këtë rrugëtim të lavdishëm, ai ka ndarë momente të forta dhe emocionuese me njerëz që e kanë frymëzuar dhe e kanë udhëhequr në këtë betejë për liri. Gafurr Hyseni, tani dëshmor i kombit, komandant Bilalli, komandant Mala, Fatmir Gashi, Shukri Buja, Veli Murati dhe Shemsi Syla janë emrat që kanë qenë ngulitur thellë në zemrën e tij si bashkëluftëtarë të pashoq.
Në betejën e Zhegovcit, Bejtushi ra heroikisht në tokën e shenjtë të Kosovës. Në atë ditë të premte, të datës 16 prill të vitit 1999, rreth orës 14, ai mori pjesë në një luftim të pashoq në vendin e quajtur Lugu i Demës. Bashkë me pjesëtarë të fshatit Sllovi dhe familjen e tij, ai ndodhej aty për të mbrojtur çdo copë tokë të dashur. Por tragjedia goditi thellë, ndërsa burrat u ndanë nga gratë dhe fëmijët, për të përjetuar një fat të mizorë. Bashkë me dy djemtë e xhahxhait, Shaipin dhe Faikun, të cilët sot janë martirë të lirisë, Bejtushi u konfrontua me një luftë të pa barabartë, por u përball me guxim dhe dinjitet. Atë ditë në atë vend të shenjtë, që u bë dëshmia e një beteje të paharrueshme, u përjetësuan 17 persona dhe u plagosën 9 të tjerë. Kjo histori e lavdishme e ndarë me dhimbje dhe krenari, shënon rrugën e një njeriu të pathyeshëm, një hero i vërtetë i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, detyra e të cilit ishte të qëndroj në mbrojtje të popullatës së fshatit Sllovi.
Bejtushi, është varrosur afër vendit të rënies, me të gjithë të vrarët e tjerë së bashku nga bashkëfshatarët. Pas 3-4 ditëve, forcat paramilitare serbe i zhvarrosën dhe i dërguan në Batajnicë të Beogradit. Më pas, kufomat u kthyen në Kosovë dhe rivarrimi u krye më 7 tetor të vitit 2005 në Sllovi në Kompleksin Përkujtimor.
Përveç Bejtushit, që ishte i radhitur në UÇK dhe ra dëshmor, në familjen Gërbeshi ranë edhe xhaxhai, Baliku me dy djemtë e tij Shaipi dhe Faiku si dhe gruja e xhaxhait tjeter Hamdiut, Halimja, që u varrosën si martir. Këtë ditë u plagosen disa kushërinjë dhe fqinjë.
Bejtushi ishte i martuar me Xhevahirën, e cila ishte shtatzënë. Kur lindi djali e pagëzuan me emrin Rilind. Ai, babain e tij ai e njohu vetëm si dëshmor, një figurë heroike që dha gjithçka për lirinë e Kosovës.
Bejtushi, ishte shtatë gjatë, kraharor i gjerë, burrë i pashëm, trim, sy mpreht, pasion kishte futbollin. Ishte realist në jetë, pa iluzione, por me ideale të larta. Përveç armëve, ishte gjithashtu i lidhur me librin, ku përmes librit dhe armës la gjurmët më të bukura të jetës së tij. Atë kohë ishte bashkpuntor i revistës “ Kështjella”.
Në vendin e rënies i është ngritur Lapidari, aty tek vendi i quajtur Lugu i Demës në malet e Zhegovcit.
Dëshmorit dhe familjes së tij iu janë ndarë shumë mirënjohje nga institucionet e vendit, shoqatat e dala nga lufta, etj.
Për jetën dhe veprën e heroit Bejtush Gërbeshi janë botuar shkrime nga autorë të ndryshëm. (Salih Gërbeshi)

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Hasan Dushkaja (10.12.1961 – 30.4.1999)

Ejup Hasan Dushkaja (10.12.1961 – 30.4.1999)

Ejup Dushkaja u lind më 10 dhjetor të viti 1961, në Kaçanik. Shkollën fillore dhe …