Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka shprehur shqetësim të thellë për krizën politike që po vazhdon në vend, pak para mbajtjes së përpjekjes së 36-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ai ka theksuar se procesi politik ka humbur kuptimin dhe vendi është futur në një bllokadë institucionale. Sipas tij, liderët politikë kanë humbur orientimin dhe po mungon vullneti për zgjidhje. “Liderët tanë janë mësuar me i kap për krahu dhe t’u tregohet se çka të bëjnë. I ka humbur kuptimi çdo gjëje. Ne jemi mbetur peng. Në parlamentarizëm duhet folur dhe bërë zgjidhje, të fillohet të komunikohët,” tha Berisha. Ai shtoi se situata po shkon drejt përçarjes dhe jo drejt mirëkuptimit, ndërsa paralajmëroi për rritjen e iritimit dhe pakënaqësisë në mesin e qytetarëve. “Duhet ftuar popullin, sepse po shihet që ka iritim dhe pakënaqësi. Nuk po shkojmë nga mirëkuptimi, por nga përçarja. Duhet shikuar një rrugëdalje,” përfundoi ai.
