Brickos

Beqir Elshani: KUR ARSYEJA FLE, PËRBINDËSHI VJEN

 


Piktori i shquar spanjoll, Francisko de Goja (1746-1828), për nga fatkeqësia e shurdhimit, për nga lufta kundër pushtuesit francez dhe për nga idetë përkrahëse të Revolucionit Francez është binjak me kompozitorin Ludvig van Bethoven. Ai pikturoi kryesisht në pallatin e mbretit spanjoll në Madrid. Në pikturat e tij, Goja merr elemente të artit italian dhe francez, dhe ishte i ndikuar nga piktorët Tiepolo Batista dhe Diego Velaskezi. Pa dyshim që Goja me artin e tij karakteristik është një piktor i jashtëzakonshëm, që tregon edhe përfshirjen e tij në librin e njerëzve më të shquar në botë si dhe shkrimet e ndryshme për jetën dhe veprimtarinë e tij. Piktori e urrente mbretin dhe mbretëreshën, prandaj u bënte piktura të shëmtuara. Ai ishte pjesë e shpirtit të popullit spanjoll që luftonte për liri, njëkohësisht e përkrahte Revolucionin Francez në vitin 1789. Po ky piktor i shurdhër ndikoi tek mjeshtri i shquar i pikturave heroike Eugjen Delakroa si dhe impresionistët e mëvonshëm.
Në pikturën “3 Maj 1808”, Goja tregon marrinë e luftës franceze, të cilët pushtuan Spanjën. Ai nuk i dënon vetëm francezët, por tërë mizorinë në botë, dhe është një pikturë patriotike, e cila mund të pasqyrojë ngjarjen luftarake. Goja me një mjeshtëri të rrallë ka paraqitur harmoninë e fshehtë gjeometrike, dhe kjo gjeometri e fshehtë tablonë e ngrit në nivel të lartë artistik. Fytyrat e ushtarëve mizorë nuk shihen, mirëpo shpinat e tyre janë të përkulura, që janë ngjyrosur me një formë të mprehtë dhe me vija të drejta. Vetë llamba është konstruktuar me vija të qarta dhe me dritën e bardhë reflektuese në drejtim të trimave me krahë të hapura përballë pushkëve franceze. Këtu vetëm zëri i trimave për liri, klithmat e popullit dhe krismat e pushkëve nuk dëgjohet.
Pas përfundimit të luftës, Francisko Goja me vrullin e tij të zjarrtë paraqet vdekjen heroike të popullit spanjoll për liri dhe pavarësi kombëtare. Pikturat e Gojës paraqesin ushtarët francezë duke vrarë qytetarë, fëmijë; duke dhunuar femrat dhe duke pushkatuar revolucionarët spanjollë. Me anën e pikturimit të tij artistik Goja krijoi epokën e krijimtarisë së pavdekshme, e cila ishte strukturë e realitetit të luftës në shekullin XVIII/XIX-të. Manifestimi i tij shihet në kryeveprën “3 Maj 1808” si pushkatohen trimat e lirisë nga trupat pushtuese franceze, që ishte një ndër ngjarjet më dramatike nga të gjitha pikturat historike. Kohët e fundit kritika e ka vlerësuar si një ndër anatemat më të mëdha mbi sadizmin kundër njerëzve të pafajshëm. Kjo pikturë mund të quhet edhe ”Srebrenica” e 1994-ës, dhe ”Drenica” e 1998-ës ku janë masakruar me mijëra njerëz të pafajshëm nga pushtuesi më brutal serb i të gjitha kohërave. Në krahasim me kohën e luftës para 200 vjetësh në Spanjë, në kohën pa OKB, pa OSBE dhe pa potencialin e madh të diplomacisë evropiane dhe ndërkombëtare, me krimet që Serbia ka bërë në Bosnjë Hercegovinë dhe në Kosovë, ia ka kaluar pushtuesit francez. Fatin e njëjtë tragjik të pikturës 3 Maj 1808 e përjetoi edhe Bashkimi Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore me rastin e invadimit nga ushtria gjermane. Ndonëse qëllimi i pikturës 3 Maj 1808 ishte preventivë për mbrojtjen e njerëzimit në Evropën e qytetëruar, megjithatë sulmet dhe spastrimet etnike nga hordhitë serbofashiste ndodhën edhe pas ”dokumentarit” të gjeniut spanjoll. Në kohën e Gojës ende nuk kishte fotografi, prandaj pikturat e tij me pamje trishtuese të luftës janë dokumentare të ngjashme si në ditët e sotme të luftës. Sot, gati 200 vjet më vonë, piktura është befasuese po aq edhe aktuale, dhe kjo pikturë tragjike vështirë harrohet.
Për herë të parë në vitin 1863 Goja botoi veprën e tij me vizatime Desastres de la Guerra: Etapat e Luftës, ku paraqiten skenat e luftës me pasoja të kobshme dhe metoda shtazarake nga trupat franceze. Në këto vizatime Goja paraqet çdo gjë që lidhet në gjurmët e luftës, pushkatimin, dhunën, torturën, tmerrin. Në vizatimet e tij të tmerrshme shihen fshatarët e copëtuar këmbë e duar dhe kokë: veprim kundërnjerëzor që bëhej për ta frikësuar popullin spanjoll. Në pikturën e tij ”Dhe këta janë si bisha” shihen gratë kryengritëse duke luftuar kundër makinës vdekjeprurëse franceze të Napoleonit. Gratë sokolesha sulmojnë me gurë e shkopinj ushtarët e armatosur francezë që i kanë shtrirë përtokë. Një nënë spanjolle me foshnjën ngrykë në vetëmbrojtje therë ushtarin, kurse një tjetër hedh gurin mbi ushtarët e armatosur deri në dhëmbë. Kjo pikturë tregon se si gratë janë të egërsuara para pushtuesit të huaj. Të njëjta etapa apo skena tronditëse të luftës kanë ndodhur në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë nga sulmet barbare të armatës serbofashiste, synim i së cilës ishte shfarosja e popullit shqiptar dhe boshnjak. Të njëjta kërcënime dhe frikësime me nxjerrjen e syve, me heqjen e kokave shqiptare dhe me therjen e foshnjës në barkun e nënës ushtria serbe ka bërë në Kosovë në dhjetëvjetëshin e fundit. Prandaj derisa nga tokat spanjolle u tërhoq pushtuesi francez, kurse nga Bashkimi Sovjetik u tërhoq pushtuesi gjerman: në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë ende nuk ka përfunduar procesi i kapitullimit të pushtuesit serb. Me të drejtë mund të thuhet se boshnjakët dhe shqiptarët ende jetojnë nën ankthin e kërcënimit të luftës nga neokolonializmi serb. Evropa, të cilën Goja e quante ”njeri të sëmurë” duket se është e dobët përballë Serbisë, që ndezi shumë luftëra dhe shkaktoi me mijëra viktima në tërë Gadishullin Ballkanik.
Veprimtaria e Gojës me zellin e tij të madh prej krijuesi, më vonë për shkak të shurdhimit merr trajta torturuese. Në vitin 1872 piktori spanjoll Francisko de Goja në moshën 46-vjeçare humb dëgjimin, gjithashtu vuan nga tinitusi, i cili përcillej me zukatje dhe kumbim të vazhdueshëm në veshë. Njerëzit që donin të komunikoheshin me të, duhej të përdornin gjuhëshenjën ose duhej të shkruanin në fletore. Ndërkaq joshja e tij, prej një piktori të talentuar, ishte se shumica që vinin në kontakt me të mësonin gjuhëshenjën. Më vonë, në kohën e pleqërisë Goja vendoset në shtëpinë e të shurdhëve dhe atje pikturon pikturat e mëdha nëpër mure me motive trishtuese, të cilat i kishte përjetuar shumë vite më parë. Gjithashtu Goja merr rol didaktik me anën e së cilës fshikullon dobësitë dhe veset e këqija të shoqërisë për të cilën thoshte: ”Kur arsyeja fle, përbindëshi vjen”. Populli jetonte në skamje, të cilët u goditën nga etapat e luftës. Asnjë piktor nuk e kishte përshkruar gjendjen kaotike dhe dekadente të Spanjës. Goja ishte një piktor me motive politike, vetëm me 72 vizatimet e tij mund të fliste para opinionit. Ky varg i vizatimeve quhej Los Caprichos, ku demaskonte korrupsionin në pallatin mbretëror dhe kishën.
Siç dihet konflikti me njerëz të ndryshëm çon deri në shastisjen e krijuesit, e cila ndikoi kryesisht tek piktorët impresionistë, e tillë ishte edhe jeta e Francisko Gojës. Si çdo i shurdhër që ndien mungesën e harmonisë dhe kontaktit shoqëror ndiente edhe piktori Goja. Ai goditet rëndë nga shurdhimi, prej nga edhe arti i tij ndryshon në bazë të izolimit të detyrueshëm në vetminë e errët – në botën tronditëse. Vetminë e kaloi në shtëpinë e të shurdhërve në periferi të Madridit, atje mbushi muret me piktura të tmerrshme, siç ishte “Saturni i kapardis fëmijët e tij” dhe piktura të ndryshme të zeza. Me vete kishte vizionet dhe ankthin si rezultat i përjetimeve të tmerrshme, pushkatimeve, dhunimeve, torturave, apo krejt çka mund të gjej njerëzimi në zhargonin e sadizmit të shfrenuar. Kritikët e artit pyesin se cilat rrethana kanë ndikuar në pikturat e tij të tmerrshme: ishte shurdhimi që krijoi piktura të tmerrshme apo fantazinë e kishte qysh më herët? Me të drejtë mund të thuhet se falë fantazisë dhe shurdhimit të tij janë krijuar pikturat që tronditën botën. Atë që bëri Goja i shurdhër në fushën e artit, e bëri Bethoveni i shurdhër në fushën e muzikës, prandaj falë shurdhimit të tyre lindën veprat e revolucionare që befasuan njerëzimin në botë.
Ndonëse piktura e llahtarshme “Saturni i kapërdin fëmijët e vet” është riprodhuar si rezultat i shurdhimit dhe i ndërprerjes së komunikimit, megjithatë tregon realitetin e vuajtjes së njerëzimit në çdo epokë. Saturni është një fantazi e vetë piktorit që gllabëron një turmë të madhe njerëzish. Jo vetëm kaq, sepse përbindëshi ”Saturn” shkatërron pamëshirshëm dhe është i pangopur me kapardisjen e fëmijëve të vetë. Kurse Gjiganti me nëntitullin “Paniku” është një pikturë alegorike me qëllime politike, e cila paraqet gjendjen themelore të apokalipsës së Gojës për ardhmërinë e pavarësisë së Spanjës kundër Napoleonit I. Kjo pikturë edhe sot është aktuale për popujt e shtypur që luftojnë për liri dhe pavarësi. Një trup i madh, si një ogur për luftën me pasoja të mëdha, udhëton me anën e reve prapa bjeshkëve; ndërkohë që njerëzit dhe kafshët nga frika marrin arratinë. Sipas pikturës shihet se piktori ishte njohës i psikologjisë shoqërore, ndaj nuk harron të angazhojë një gomar dhe disa mëzetër të ngurosur (kupto indiferentë) që nuk luajnë vendit, që simbolizon se disa njerëz nuk dinë se ç’do të thotë rreziku. Ky motiv është marrë nga vjersha me titull ”Profecia e Pirinejeve” e Juan Batista Arriaza (1808). Këtu përshkruhet se nga bjeshkët e Pirinejeve po vjen një gjigant, i cili do të mbrojë Spanjën nga tirania e Napoleonit. Siç dihet Spanja ka qenë pjesë e perandorisë franceze, ndaj populli ëndërronte për një njeri gjigant, i cili do ta çlirojë vendin nga perandoria franceze.
Gjiganti simbolizon edhe bashkimin e popullit në luftë për çlirimin e atdheut, prej nga vjen edhe fjala e urtë se bashkimi bën fuqinë. Të njëjtin bashkim kishte edhe populli shqiptar në luftë kundër perandorisë turke dhe fqinjëve grabitqarë për çlirimin dhe mbrojtjen e tokave shqiptare në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878. Natyrisht që ky motiv mund të skicohet me anën e së cilës paraqitet invadimi i Spanjës nga ana e Napoleonit në formë të shqiponjës së madhe, i cili fluturon mbi Pirineje dhe përhap hije mbi tërë gadishullin, me popullin duke ikur nga frika dhe tmerri. Po ky motiv i llojit të gjigantit të tmerrshëm gjendet edhe në këngët kreshnike shqiptare me personazhin kundërpopullor – Bajlozi, i cili për të dominuar mbi popullin shqiptar mundohet që me anën e dhunës ta thyej moralisht dhe ekonomikisht. Derisa Goja shqiponjën e nxjerrë nga alpet Pirineje, folklori shqiptar përbindëshin bajloz e nxjerrë prej detit, që ka dalë për të pushtuar tokat shqiptare. Ka indikacione që ky motiv të jetë universal, por edhe i veçantë në historinë e artit, që ka ardhur si pasojë e shurdhimit të tij me pikëpamje pesimiste të mjedisit shoqëror Në krahasim me piktorët tjerë që për motiv kishin pamjen e natyrës, apo portretin, Goja pikturonte çdo gjë që i përkiste ndjenjave të tij personale. Ashtu siç ishte shkrimtari Miguel Servantesi përshkrues i traditës spanjolle në veprën e tij ”Don Kishoti”, po ashtu Francisko de Goja ishte ngjyrues i traditës popullore në pikturat e tij dramatike. Njëra ndër to është gara me dema, ku njeriu e ndien erën e gjakut, rërës së nxehtë dhe tronditjen shpirtërore. Ai u fut thellë në motivet e tmerrshme të vuajtjes së popullit, për të cilën shpreh ndjenjën e revoltës. Përveç kësaj, Goja ishte i frymëzuar edhe nga shtypi i revolucionit francez si dhe miqtë e tij shkrimtarë.
Goja zjente nga energjia dhe dukej si një fshatar; me dell dhe me temperament, me muskuj të çeliktë, me fytyrë të errët e me sy të thella në gropë nën vetulla të degëzuara. Ai i binte kitarës dhe vallëzonte bukur. Ishte i shkathët në mbrojtje dhe pëlqente të gjitha lojërat popullore sportive – kryesisht garën tradicionale të demave. Mbi të gjitha, tek Goja dallohej magnetizmi i tij, ishte i mrekullueshëm dhe ambicioz, nuk mbështetej në fraksione politike, prandaj kishte shokë nga të gjitha kategoritë. Ishte energjik dhe kur pikturonte vepronte si një tornado në pëlhurë, sa të lente përshtypje se ndonjë furtunë ia shtynte dorën.
Në vitin 1825 shëndeti i Gojës keqësohet, pjesën tjetër të jetë e kaloi në mërgim, në Bordeaux në Francë. Ai mori një rrugë të mundimshme për të vizituar Madridin, ku edhe shikimi e tij u dobësua sa që u detyrua të pikturojë me anën e qelqit zmadhues. Goja, ashtu siç ishte i errët në dëgjim, vdiq natën më 15 prill 1828 në Bordo dhe qëndroi i varrosur atje derisa në vitin 1901 trupi i tij u kthye në Madrid.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …