Bisedë në studion e TV-Diellit me ish të burgosurin politik, veprimtarin, shkrimtarin, luftëtarin e lirisë, Bedri Halimi

Bisedë në studion e TV-Diellit me ish të burgosurin politik, veprimtarin, shkrimtarin, luftëtarin e lirisë, Bedri Halimi

Në emisionin javor të TV-Diellit, “Bisedë në studio”,  ish i burgosuri politik, veprimtari, shkrimtari e poeti, luftëtari i lirisë, nënkryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Bedri Halimi, ka shpalosur kujtime të shumta nga jeta në trevën e Opojës, pastaj nga familja, fëmijëria, shkollimi, burgu qysh në moshë të re dhe tërë një odisejadë,  nëpër të cilën ka rrugëtuar duke qenë gjithnjë i përndjekur nga regjimi serb,  qysh nga vitit 1982 e deri në vitin 1999.

Bedri Halimi është edhe studiues i zellshëm i trevës së Opojës, të cilën e njeh në të gjitha segmentet, prej së kaluarës së largët të historisë, etnologjisë, burimeve gojore, folklorit, pastaj  të folmes, si dhe  rrjedhave politike e shoqërore deri në ditë e sotme.

Në emisionin  “Bisedë në studion e TV-Diellit”, z. Bedri Halimi fillimisht ka prezantuar të dhëna nga fëmijëria, presioni sistematik që kishte ushtruar regjimi  serb kundër gjyshit, babait të tij e të tjerëve pas Luftës së Dytë Botërore si “vjelja e tepricave”, tatimet, “Aksioni në Grumbullimin e  Armëve”, ku kishin pësuar fizikisht edhe familjarët e tij, pastaj dëbimi për në Turqi e kthimi në vendlindje dhe një jetë e tërë nën dhunë sistematike, nga regjimi okupator.

“Isha nxënës i vitit të tretë në Gjimnazin e Prizrenit, kur  forcat e policisë kishin rrethuar objektin e shkollës dhe më kishin arrestuar mua e dy shokë të tjerë. Edhe pse ishim të mitur, inspektorët e UDB-së nuk na kishin kursyer, përkundrazi na kishin rrahur mizorisht dhe na kishin keqtrajtuar në mënyrë sistematike, duke pretenduar që të pranonim edhe veprat që nuk i kishim kryer, me qëllim që ta zgjeronin numrin e të arrestuarve. Pastaj pas dy javësh, më dërguan në burgun e Pejës, meqë në Priren nuk kishte vend, por pas një kohe më kthyen prapë në Prizren. Më vonë, pasi më dënuan me burg,  mua dhe grupin e shokëve të mi më dërguan në Burgun e Zagrebit e prej atje në burgun famëkeq të Goli Otokut, ku kishte edhe shumë shqiptarë të tjerë, që ishin dënuar pa i mbushur 18 vjet.

Ajo që më së shumti më kishte munduar asokohe ishte dhuna që regjimi ushtronte mbi familjen e të afërmit e mi. Atyre, për të ardhur në vizitë në Goli Otok iu duheshin gjashtë ditë rrugë vajtje-ardhje, me tren autobus e pastaj me anije….

“Marsi e prilli i vitit 1981, ka bërë kthesën e madhe në mesin e shqiptarëve, të cilët me protestat e kërkesat e tyre kishin manifestuar qëndrimin, që shënonte vijën ndarëse mes shqiptarëve që kërkonin Republikë e më vonë bashkim kombëtar dhe atyre që iu kishin nënshtruar procesit të jugosllavizimit dhe bashkëjetesës së shqiptarëve me serbët e popujt sllavë.

 

Pas daljes nga burgu, Bedri Halimi, për një kohë nuk kishte arritur të regjistrohej në asnjë shkollë, me qëllim që ta kryente shkollën e mesme, pasi si ish i burgosur politik, ishte nën vëzhgim dhe sapo e kuptonin se kishte qenë në burg, drejtoritë e shkollave  hezitonin ta pranonin. Në moshën kur duhej të ishte në fund të studimeve ai ende kryente vitet e mbetura të shkollës së mesme, të cilën më në fund e kishte mbaruar dhe më pasi iu kishte kushtuar studimeve në Fakultetin e Bujqësisë, të cilin edhe e kishte kryer me sukses.

Duke qenë në përcjellje të “hijeve të errësirës”, regjimi kishte konstatuar se ai jo vetëm që nuk i kishte ndërruar bindjet, por nuk e kishte ndërprerë as aktivitetin e filluar para burgut, andaj edhe mbahej nën vëzhgim të përhershëm. Ka bashkëpunuar sidomos me  veprimtarët: dr. Xhevat Hasanin, Sherafedin Berishën, Feti Hasanin e veprimtarë të tjerë të njohur.

Në vitet ’90-të të shekullit XX,  ashtu edhe sikur shumë ish të burgosur iu kishte bashkuar LDK-së edhe pse mbante lidhje me LPRK-në më vonë LPK-në dhe me luftën e UÇK-së. Ishte në mesin e veprimtarëve të besueshëm, meqë kishte një rreth miqsh e shokësh, me të cilët kishte bashkëvepruar pa ndërprerë. Bedriu, ashtu sikur shumë veprimtarë e atdhetarët të kohës, anëtarësimin legal nëpër parti e bënin edhe me qëllim që të krijonin huti te njerëzit e regjimit, por edhe të jepnin  kontribut të dyfishtë, në Lëvizjen paqësore, më vonë  edhe në luftën e  armatosur.

Në vitet 90, Bedri Halimi kishte filluar  të merrej më intensivisht me shkrime dhe kishte botuar edhe përmbledhje poetike.

Një odisejadë e veçantë e jetës së tij është edhe veprimtaria në kundër të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këto aktivitet dhe jetën e tij në përgjithësi, Bedri Halimi ka botuar edhe romanin e personazhit, “Ecje nëpër furtunë”, në vitin 2017. Autori, në vetën e tretë njëjës, përmes rrëfimeve të shumta ka radhitur ngjarje, kujtime, episode, biseda me veprimtarë, duke i integruar të gjitha këto në tërësinë e romanit, i cili trajton një temë me rëndësi të së kaluarës që është mjaft e përafërt me përjetimet e dhunën që kishte ushtruar regjimi jugosllav e serb, kundër të burgosurve politikë në përgjithësi e  veçmas kundër të burgosurve të vitit 1981.

Ai në fund të bisedës, në studion e TV-diellit,   ka folur edhe për pozitën e pavolitshme të ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, të cilët kombit dhe atdheut i kanë dhënë më shumë se kushdo. I kanë dhënë rininë e tretur nën dhunë  e persekutime, nëpër burgjet e ish-RSFJ-së e më vonë të Serbisë, pastaj jetën gjithnjë nën hetime, izolimin, përndjekjen, burgosjen e sërishme, pastaj pjesëmarrjen me armë në dorë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku shumë prej tyre kanë qenë edhe kuadrot më të larta të SHP të UÇK-s, dhe  nëpër zonat operative të luftës. Shumë prej tyre kanë rënë dëshmorë për çlirimin e vendit. Ata kanë dhënë dhe japin kontribut edhe në shtet-ndërtimin e Kosovës, ndërsa kanë qenë pjesë integrale e Lëvizjes së Rezistencës gjatë tërë kohës së robërisë….

( Bisedën, në studion e TV-Diellit me veprimtarin, shkrimtarin e zyrtarin e Qeverisë së Kosovës, Bedri Halimi e zhvilloi,  Ahmet Qeriqi)

 Bedri Halimi lind më 5.3.1963, në fshatin Kuk të trevës së Opojës (komuna e Sharrit). Ish i burgosur politik. Ka kryer fakultetin e bujqësisë, kurse ka botuar punime të shumta kulturore, letrare e shkencore në revista të ndryshme të hapësirës shqiptare.

Deri tash ka botuar disa libra vepra:

  1. Ditar Dardanie, poezi, KL “Luigj Gurakuqi”, Sharr, 1992
  2. Plagë shpirti, poezi, KL “Luigj Gurakuqi”, Sharr, 1995
  3. Cubat fshehin Hënën, poezi, Gazeta “Rilindja”, Prishtinë, 1999
  4. Rugova – ngritja dhe rënia, publicistikë, Forumi i Krijuesve të Artit, Prishtinë, 2000
  5. Kafshët e botës sime,poezi për fëmijë, “Rilindja”, Prishtinë, 2001
  6. Qëndresa kombëtare në Opojë dhe dëshmorët e saj, KL“Luigj Gurakuqi”, Sharr, 2002
  7. Haxhi Ymer Prizreni” (përgatiti për botim), revista “Sharri”, 2006
  8. Pemët, perimet dhe drithërat në mjekësinë popullore, studim, Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor e Republikës së Kosovës, Prishtinë, 2009
  9. Karnavalet e djajve, poezi, shoqata kulturore “Ymer Prizreni”, Sharr, 2013
  10. Dëshmorët e Opojës, 2014, monografi, shoqata kulturore “Ymer Prizreni”, Sharr, 2014
  11. Opoja – aspekti historik (përgatiti për botim), monografi, shoqata kulturore “Ymer Prizreni”, 2016
  12. Haxhi Ymer Prizreni – figurë e shquar e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, shoqata kulturore “Ymer Prizreni”, Sharr, 2017
  13. Panoramë opojane, poezi për fëmijë, “Fidani”, Prizren, 2017
  14. Opoja – aspekti folklorik, monografi (përgatiti për botim), shoqata kulturore “Ymer Prizreni”, Sharr, 2017
  15. Ecje nëpër furtunë, roman, shoqata kulturore “Ymer Prizreni”, Sharr, 2017

Që nga viti 1991 drejton dhe boton revistën për kulturë, art e shkencë “Sharri”, Sharr.

 

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …