Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: MARRËZIA POLITIKE NGRITUR NË SISTEM: KOSOVA NË QORRSOKAKUN E VETVETES

Kur politika humb arsyen, askush nuk kujton shtetin.”
Ky është përshkrimi më i shkurtër i gjendjes politike në Kosovë sot. Çdo krizë që shpërthen, çdo përçarje që prodhohet, çdo dështim që riciklohet, janë pasqyra të një sistemi që e ka humbur busullën e arsyes. Politika është shndërruar qëllim në vetvete, ndërsa shteti nga egoja pushtet në sfond të harruar.

Në vend që të shërbejë si mjet për ndërtim të së përbashktës, politika është kthyer në garë për zotërim të pushtetit. Partitë nuk janë më bartëse të ideve, por strehë për ego të mëdha e punë  të vogla. Dialogu ndërpartiak nuk egziston, ai është gjezdisë përçmim, përbuzje e urrejtje. Secila palë jeton me bindjen se populli është me të apo të paktën po kthehet me të – derisa populli gjithnjë e më pak është me këdo.

Në këtë klimë, marrëzia politike nuk qëndron vetëm te fjalët që thuhen, por te mungesa e vetëdijes për pasojat. Secila krizë e re nuk është gjë tjetër veçse prodhim i dhunshëm nga politika për mbijetesën e pushteit instituacional a partiak. Pak ka rëndësi ku ushtrohet pushteti, mjafton që kasta ta ketë atë pa qoftë edhe pushtet lagjeje trutharësh. Kjo është mënyra e vetme se si ky sistem di të mbijetojë. Qeveritë bien, opozitat shpërbëhen, institucionet shterojnë, por mentaliteti mbetet: pushteti nuk merret për ta ndërtuar shtetin, por për ta përdorur atë.

 “Kur pushteti humb arsyen, ligji bëhet vegël e tiranisë.” (Montesquieu)

 A ndjejmë elemente Tiranie sot në Kosovë? Shumë kush mund të mos pajtohet. Tirania nuk lind në një kohë të vetme, pikëprerjeje të saj. Ajo zhvillohet në kushte të caktuara. Tirania sot nuk është e as mund të bëhet klasike. Shpërfaqja e saj është moderne, sepse kujdesshëm shtrihet në kufijtë e të së mundshmes! Përdorja e shtetit nga pushteti përbënë aktin themeltar të saj. A nuk përdoret sot shteti i Kosovës privatisht nga pushteti?!

 Platoni e quan tiran “atë që sundon për vete, e jo për shtetin.” Te „Republika“ ai flet për sëmundjen morale. Politika jonë pozitë e opozitë jo vetëm shpërfaq tipare të tilla sëmundjeje, por atë e ka bërë dekor paraqitjeje!

Aristoteli pikën e parë të shkatërrimit të rendit politik e shihte mbretin tiran që sundonte për të mirën e vet.

Në praktikë tirania e re nuk vjen me çizme, por me postime, tendera dhe kontroll institucional. Në sistemet moderne, tirania nuk ka më nevojë për dhunë fizike, ajo instalohet përmes kapjes së institucioneve të drejtësisë, mediave, e administratës; përdorimit të frikës, shpërblimeve dhe klientelizmit për të kontrolluar bindjet dhe zëvendësimin e ligjit me “lojalitetin politik”.

Kështu, shteti humb karakterin e vet si garant i të drejtës dhe bëhet garant i pushtetit.

Kjo është, në thelb, vet marrëzia e establishmentit politik. Të besosh se shteti është pronë e përkohshme e kujtdo që e sundon, duket absurd në vetvete, por ja që absurdi te ne ecën, ani pse  me këmbët qiellit. Në këtë logjikë, gjithçka tjetër shndërrohet në dekor: ligjet, institucionet, edhe vetë qytetari. Populli është bërë tapeti ku politika ushtron harbutërinë e saj.
Në ndërkohë që shoqëria e lodhur rrëshqet drejt apatisë ku qytetari humb besimin se vota ndryshon diçka, politika bëhet qark i mbyllur mes të njëjtëve njerëz që flasin për ndryshim, por që frikësohen prej tij, frikësohen për fajet që kanë bërë dhe për gozhdën ku do duhet një ditë t’i varnin egot e tyre. E pastaj çfarë?!!! Sigurisht shpërblimi jo.

Kosova sot nuk është pa njerëz të mirë në politikë, por është pa sistem që i shpërblen ata. Zëri i arsyes humbet në zhurmën e klaneve, ndërsa çdo përpjekje për ndërtim të normalitetit shihet si rrezik për interesat e atyre që jetojnë nga kaosi, dhe kështu, marrëzia politike është bërë normaliteti ynë i përditshëm, aq sa nuk e quajmë më marrëzi. Prej kohësh, ajo është emërtuar “zhdërvjelltësi“. Marrëzi o Marrëzi!

Por edhe kjo gjendje nuk është e përjetshme. Do vijë një ditë (dhe ajo ditë është afër), kur shoqëria jonë do lodhet nga të njëjtat fytyra, të njëjtat fjalë, të njëjtat dështime. E kur kjo të ndodhë, do lind diçka e re: jo domosdoshmërisht një lider i ri, por një vetëdije e re qytetare, që kërkon përgjegjësi, jo premtime.

Shteti mund të shërohet vetëm kur politika pranon se është e sëmurë. Por për ta bërë këtë, duhen njerëz që dinë të heshtin për vete dhe të flasin për vendin. Deri atëherë, do të mbetemi në këtë qorrsokak brenda vetvetes, ngase shteti po rri strukur në duart e pushtetit të babëzitur!

Të ngatërrosh shtetin me pushtetin është faj i rëndë. Vetëm një front i bashkuar për ndryshim mund t’u tregoi vendin babëzive të pushtetit e pushteteve!

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

Sadik Halitjaha: Kërkojmë që të rikthehet edhe shtatorja Enver Hoxhës në Sheshin “Skënderbe”

Në kërkesën publike për shpalljen e Enver Hoxhës “Krenaria e Kombit” nga Parlamenti i Shqipërisë,ne, …