leoni

Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: MË SHUMË SE SHERR OPOZITAR

Ditët e fundit ka filluar të dal në skenë një praktikë vetvendosëse e të bërit opozitë, pa çka se AAK-ja po tenton ta bëjë dallimin me opozitarizmin e Vetevendosjes për aq sa e karakterizon karizma e liderit të saj z.Haradinaj, si përkushtim i deklaruar që në krye të herës, kur ai iu bashkua Ibrahim Rugovës në bashkëpushtetbërje. Z.Haradinaj e ka deklaruar, më se një herë, se respekton institucionet e vendit, dhe për intersat e Kosovës ai braktisë çdo mosmarrëveshje, për t’u bashkuar në rrugëtim apo thjeshtë për ta mbështetur cilën do forcë politike që mund të jetë në drejtim të Kosovës! Të njëjtën gjë e bëri edhe me  PDK-në, z.Thaqi (Kryeministër a Pesident), bashkëpunoi me z.Veseli edhe përkundër gjithë atyre akuzave për SHIK-un si identifikim të tij, etj.

Sot gjërat janë diçka më të përmbledhura, më në trysni kohe e zgjidhjeje. Marrveshja me Serbinë po aq sa duket të jetë afër është edhe larg. Ajo sa më shumë që po afrohet po aq po largohet. Komuniteti ynë politikëbërës nëpër institucione e parti është fragmentar, ku e ku në diskohezion me zhvillimet rreth nesh e nga ne dhe nevojat e vendit.

Mjafton të thuhet rrugëtim i vështirë!

Gjërat jo vetëm të dialogut, por edhe të jetës opozitare po vinë e po përthehen te vendimi për TAKSËN. Politikat e vendit nuk janë vetëm taksa edhe pse kur ato kanë të bëjnë me raportet me Serbinë determinohen që të gjitha me vetë dimenzionin afektues të saj, meqë në kohët moderne më shumë se sa fjalët e mira apo armiqësitë, politikë është vet ekonomia edhe si mardhënje shtetesh e rajonesh. Tashml kjo është globale!

Vetvendosja ka një histori opozitarizmi kryengritës e mospajtues edhe për ato që do duhej të mos i kishte kundërshti. Pajtimi verbal dje me taksën dhe qasja e sotme ndaj saj, na thonë, se mes forcave politike do ketë një hendek goxha të madh. Kjo natyrë ndërtimi të identitares së re e bënë Vetvendosjen hë për hë të vështirë për komunikim e harmonizim. Por, nëse z.Haradinaj nuk do ta gjej rrugën e bashkëpunimit sikur atë e pranon Vetvendosja dhe LDK-ja, ai do përfundoj në protesta. Zaten kjo edhe është jeta opozitare.

Meqë AAK dhe drejtuesi i saj z.Haradinaj janë kapur fort pas mbajtjes së taksës dhe po thonë se mbajta e saj është e mundshme dhe se ajo i ka kapacitetet ta sjell njohjen nga Serbia për Kosovën, ata duhet ta argumentojnë këtë në terma të besueshëm. Ata, sikur që duhet të argumentojnë, duhet edhe të marrin përgjegjësitë për mundësinë e braktisjes së Kosovës nga faktori ndërkombëtarë. Apo, në rast edhe më të rëndë, për imponimin e mundshëm të marrëveshjes përfundimtare sipas masës së tjerëve pa u pyetur fare Kosova, sikur ndodhi me rastin e marrëveshjeve për trasnportin ajror dhe atë hekurudhor, të cilave iu apladudua pakuptueshëm nga të gjithë faktorët tanë politik qoftë edhe me pranimheshtje të Kryeministrit Kurti.

Zoti Haradinaj, në përpjekjen e tij për t’i mbajtur identitare vendimarrjet që bëri përgjatë gjysmëmandatit që sapo lamë pas krahëve, po barrikadohet dhe dalëngadalë po shihet se ai do mbetet një arrë e fortë në tapetin e zhvillimeve. Kauzat që ngre z.Haradinaj janë po kauzat e vendit, hallet që ai vëmendëson janë edhe dhimbjet e Kosovës, por Kosova ka një rrugë për të ecur, ka një dritë në fund të tunelit të cilën duhet ta arrijë, dhe kjo nuk mjaftohet me vetëm pozicionimin e z.Haradinaj. Për “Kosovën nesër” nevojitet një mendim i kualifikuar dhe i pranuar nga të gjithë, një gjetje e pikëprerjes së intersit tonë shtetëror e kombëtar me postulatet kohë dhe mundësi, një mosmbetje në vendnumërim.

Bazuar në dy marrëveshjet e fundit dhe votimin e Demarkacionit me Malin e zi, na lind e drejta të pyesim: në rast marrëveshjeje të imponuar a do t’i aplaudohet atij suksesi çuditërisht të panjohur!

Marrëveshja e demarkimit me Malin e zi, e ka bërë atë veprues në territore të cilat korrektimi i demarkimit (sikur na garantonte ish kryeministri Haradinaj) do ti linte pjesë të Kosovës! Qeveria Haradinaj i kishte të gjitha kapacitetet të vepronte brenda territorit të Kosovës, po aq sa edhe detyrimin si Kryeministër, dhe në saje të këtij obligimi që prodhon drejtimi i vendit do duhej t’ia diskutonte Malit të zi veprimin në territoret e kontestuara, gjë që nuk e bëri asnjëherë. Ndoshta në këtë mosveprim ka ndikuar besimi në proces! Por ja, sot që kemi në qeverisje një forcë që jo vetëm drejtuesi i saj e ka arritur vet marrëveshjen e demarkimit, por Isa Mustafa edhe sot e tërë ditën e quan marrëveshje të mbyllur dhe të drejtë, deklarim të cilin z.Kurti dhe Vetvendosja e përtypën në heshtje miratuese! Të ketë qenë kjo heshtje vetë çmimi koalicionist apo braktisje kauze, e vështirë të ndahet! Por, atë që dimë e shohim, epilogu i  atij mosveprimi të z.Haradinaj po bëhet edhe realiteti i terenit sikur është sot e gjithë ditën.

Kjo duhet t’i bëjë z.Haradinaj dhe AAK-në të kujdesshëm për fjalët e mëdha!

Trysnia ndërkombëtare, i rrethuar e i lënë në vetmi edhe nga faktori i brendshëm, për Taksën dhe ndoshta edhe për marrëveshjen me Serbinë përmes ndrimit të territoreve, e shtynë z.Haradinaj të përdorte armën e fundit që i kishte mbetur në dorë, Dorëheqjen, me çka e paralizoi vendin si mundësi vendimarrjeje të ligjshme. Zhbërja e autoritretit vendimarrës me dorëheqjen e tij, duke i hequr përgjegjësitë Kosovës për të mosvepruar në drejtim të taksës dhe dialogut që mund të kishte çuar në shkëmbim territori, do duhej të ishte treguar e vlertë të paktën si blerje kohe për gjetjen dhe proklamimin e interesit real të Kosovës dhe kombit shqiptar pas një tryeze të shterruar. Kjo kohë e blerë për Kosovën nga z.Haradinaj (me dorëheqjen e tij), nuk u shfrytëzua qoftë as edhe për relaksim raportesh mes aktorëve politik. Ky faj i takon politikës kryesisht, por jo vetëm asaj!

Ne kemi Akdemi dhe akademik, të cilët e shohin shtetin dhe kombin vetëm te buxheti, Sa mjerim! Në gjithë këto kohë ne nuk kemi akoma nga dy akademitë tona asgjë në dorë. Ato nuk impenjohen, ato nuk dinë të thonë as ku gjenden dy shtetet tona, as si po sillen a si do duhej të silleshin. Akademitë tona, as flasin për të udhërrëfyer as argumentojnë kahet tona zhvillimore a interesat tona shtetërore e kombëtare për mardhënjet rajonale a ndërkombëtare. Çfarë është edhe më e çuditshme, ato nuk flasin as pasi të ndodhë historia! Biçim Akademi, rroga sallamadi!

Se duhet mendje të mirë dhe veprime të duhura pa trumbetime folklorike njëpërdorimëshe dhe fluska sapuni na mëson e shkuara e afërt, qoftë shkarja e bisedimeve duke e bërë Serbinë palë për çështjet e brendshme tonat, qoftë ajo që bëmë me secilën vendimarrje në moskokëçarje për vërejtjet dhe mospajtueshmërinë qytetare. Dilitantizmi ynë jo pak herë u bë edhe goditje për ne.

Ne do duhej sot  të paktën të dëshmonim se kemi mësuar nga gabimi i 2014-tes, kur Presidenti Thaqi pat bindur faktorin serb t’i votonte ndryshimet e nevojshme kushtetuese për ta bërë ushtrinë përmes Kushtetutës, për çka së fundi u detyruam ta bënim përmes ligjitn për ushtrinë. Tingëllima përfituese e profiterëve politik e mallkoi Kosovën dhe braktisi atë mundësi të artë. Kjo ishte patriotizma e minushës LDK, e jo vetëm asaj, që deshi ta bënte Luain në fatkeqësinë e Kosovës dhe në përmbushje interesash të Serbisë si përfitim nga gabimi ynë! Ç’shpërfytyrim!

AAK dhe z.Haradinaj është mirë të pajtohen në pikëprerjen “interesa dhe mundësi të Kosovës”, dhe opozitarizmin e vet ta sforcojnë deri në detyrim për pozitën dhe faktorin politik të vendit, që momenti kur do të duhet të hiqet TAKSA përkohësisht për shkak të dialogut të na gjej në një fjalë dhe në një mendje për sa i takon marrëveshjes së përgjithshme! Nëse ata do shkojnë me vetëm të vërtetën e tyre, atëherë ata duhet t’ia dalin ta imponojnë atë të vërtetë si të vetmen zgjedhje dhe ajo të përfaqësohet si e pranuar nga të gjithë!

Heshtja e PDK-së dhe e NISMËS na thotë se vektorët e tyre po synojnë në njëjtësim veprimi me LV-LDK-në.

Taksa, po nuk u përdor tani e tutje me meçuri si vlerë negocuese në paradialog, rrezikon të na mbetet vetëm një gurë në rrugën që Kosova duhet ta bëjë përgjatë bisedimeve. Ajo sikur ka shërbyer deri sot, nuk ka mbetur (për shkak të mardhënjeve që po rëndohen me ndërkombëtarët) më shumë se një instrument, për mes të cilit ne mund ta kufizojmë kohë-marrëveshjen, nëse nuk vonohemi ta përdorim.

Përdorja sot e Taksës si instrument afatizimi të dialogut i hap shteg të mundshmes, që në rast eskivimi nga Serbia, ajo të bëhet e akceptueshme për bashkësinë ndërkombëtare, si masë e rivënë dhe e përshkallëzuar me reciprocitet deri edhe të drejtash për pakicën serbe në Kosovë barazvlefshëm me ato të shqiptarëve në Luginë!

Andaj, na takon të pyetemi a është taksa në vetvete qëllimi fundor që ne duam ta arrijmë në raportet tona me Serbinë.

Në rrugëtimin tonë drejt realizimit të sovranitetit të plotë me karrigë në OKB do na duhen mjete tjera. Me taksën nuk detyrojmë dot kë nga bashkësia ndërkombëtare të na hap shteg e të na jep dorë për t’ia dalur. Më të rëndësishmet e ktëtij mëtimi, pa të cilat nuk e bëjmë sot dot as integrimin europian  e nesër bashkimin kombëtar, mbeten njohja nga Serbia ose vënja e Sebisë para përgjegjësisë për gjithçka që do të dështoi. Cila do nga këto dy zhvillime do përbënin suksesin tonë!

Sikur është e vetkuptueshme, vjerrja e shpresave te njohja nga Serbia do të ishte gabimi më i madh që ne mund t’ia lejonim vetes në rrugëtimin tonë. Ndaj, ne do na mbetet rruga e vështirë, ajo e vënjes së Serbisë para përgjegjësisë për deshtimin e procesit të njohjeve të ndërsjella!

Qeveria Kurti, heshtja e PDK-së dhe grabitja e terenit opozitar si veprim i  AAK-së do duhej t’i lëshonin istikamet e vijave të brendshme të luftimit për sa i takon dialogut me Serbinë. Opozitarizmi i bërë me temën e dialogut apo duke e përdorur thjeshtë Serbinë armike për gogol, tashmë kur edhe Vetëvendosja e ka njohur shtetin e Kosovës është më shumë se faj dhe hynë te gabimet historike. Pra, duhet kuptuar, se kemi të bëjmë me një kohë e me zhvillime të tilla, ku gjithçka peshon më shumë se sa sherr opozitar (në të tentuar apo në të kuptuar)!

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …