tv dielli
Airport Adem Jashari
MIT
kek
Fillimi / Botimet / Albert Z. ZHOLI: “BOTË ZULLUMQARE” libri intrigues, befasues që ka përbrenda enigmën, kureshtjen, dëshirën…
Albert Z. ZHOLI: “BOTË ZULLUMQARE” libri intrigues, befasues që ka përbrenda enigmën, kureshtjen, dëshirën...

Albert Z. ZHOLI: “BOTË ZULLUMQARE” libri intrigues, befasues që ka përbrenda enigmën, kureshtjen, dëshirën…

Poeti Shkëlqim Ziraj vjen këto ditë para lexuesit me vëllimin e ri poetik, “BOTË ZULLUMQARE”.  Një titull intrigues, befasues që ka përbrenda enigmën, kureshtjen, dëshirën për ta lexuar sa më parë, etjen për të shfletuar dilemat dhe kërshërinë për të  balancuar nivelin artistik të veprës me kërkesat e kohës. Nga titulli duket sikur autori tenton të përcjellë  një ide jo perfekte për momentin, për sistemin, për ngjarjet që jetojmë. Në fakt, nuk është kjo. Me anë të një metafore, autori do të sjell si në ekran ato problematika njerëzore, ato ngjarje, dobësi, virtyte të neglizhuara, pabesinë, hipokrizinë, dyfytyrësinë, egoizmin e sëmurë, shantazhin, ndërgjegjen e ulët në disa persona, pabesinë, mosmirënjohjen dhe vese të tjera që fatkeqësisht në momente të caktuar po marrin dhe ngrenë kokë në individ jo të pakët të racës njerëzore. Jetojmë një kohë kur virtyti po denigrohet dhe mashtrimi tenton ta zëvendësojë. Pra, në këtë vëllim jeta jepet me të gjitha dimensionet, me të mirat dhe të këqijat. Me ëndrrat dhe realitet, me dëshirat dhe pamundësitë, me idealen dhe  irrealen. Jeta është një duel i vërtetë mes së mirës dhe së keqes. Ky duel është sa i papëlqyeshëm, por aq dhe i domosdoshëm. Është lufta dhe uniteti i të kundërtave ato që  e çojnë përpara shoqërinë, ndaj dhe poeti jo më kot e ka vendosur këtë titull, si pjesë e realitetit që jetojmë, e prekim, e analizojmë dhe deri diku e luftojmë për të ecur përpara. Sa zullumqare është kjo botë, por edhe kaq e bukur është thekson autori. Pa këto zullume, edhe e bukura nuk do ta nxirrte në pah madhështinë e vet. Por në tërësinë e saj, kjo vepër ka një pasqyrim tejet të sinqertë të jetës, familjes, shoqërisë, miqësisë, arritjeve, dështimeve, kërkesave, mbijetesës, mashtrimit, ideales, pengesave dhe kërkesave për një jetë më të mirë. Duke qenë në emigracion, autori njeh më mirë se kushdo sakrificën, dhimbjen, largësinë, dashurinë për atdheun, dashurinë për të afërmit, njeh mirë brengat, por edhe intrigat e jetës. Ai i skanon të gjitha ndodhitë me vargun e latuar, për të përcjellë një poezi bindëse, organike, të vrullshme dhe shumë të ekuilibruar. Ky ekuilibër arrihet në atë këndvështrim ndjesor që autori edhe kur ka dhimbjen, edhe kur sheh padrejtësi, edhe kur shijon hipokrizinë dhe pabesinë, sërish beson tek përmirësimi, tek subkoshienca e njeriut që  ai me kohën do pikturojë idetë më të bukura shpirtërore duke luftuar të shëmtuarën. Çdo eksperiencë të tij në jetë, çdo gjë të shijuar nga të dy anët e jetës, autori e ka hedhur plot  realizëm, pasi kështu hapet autostrada e shijeve të bukura shpirtërore. Jo më kot mora për ti bërë një analizë poezisë të cilin ky vëllim ka si titull:

BOTË ZULLUMQARE

Në fyt të mbetet kafshata e falur,

Kur papritur ta zënë në gojë,

Kjo botë e sotme është bukë shkalur,

Se lë njeriun aspak të gëzoj.

Japin një kafshatë sa për tu dukur,

Pastaj të thonë të ushqyem një jetë,

Të gjithë këta, ta kanë me të futur,

Sepse deri sot në jetë ece vet.

Nga xhepat e tyre nxjerrin një kacidhe,

 Ta dhurojnë përherë aty ku ka turmë,

Janë intrigant, e bëjnë kastile,

Për të marr famë, për të bërë zhurmë.

Në këto vargje shikohet një fenomen social shumë i përhapur kohët e fundit. Në televizione, gazeta, në rrjetet sociale, dikush që shitet si engjëll që fal x apo y lekë, mall apo ushqime tek një familje apo individ me probleme, disa minuta pas “dhuratës” apo të “falurit”  fillon propaganda e reklamës, e pompozitetit, e lartësimit të “veprës” së tij. Kështu ndodh sot me shumë fondacione, me shumë firma të fuqishme të bizneseve të ndryshme, por aq më keq te politikanët. Jepet një drekë për të  moshuarit e vetmuar, për fëmijët jetimë, për  njerëz në nevojë dhe pas një ore fillon propaganda, në televizione radio rrjetet sociale… Çfarë ndodhi? Çfarë u bë?! U dhurua me zemër apo u dha për reklamë?! Një politikan apo kryetar bashkie e ka për detyrë që të japë një drekë, një darkë për këta njerëz plot dhimbje. Ajo drekë  nuk jepet nga lekët e tyre, nga kursimet e tyre, jepet nga lekët e taksapaguesve, nga donatorët dhe s’ka pse të bëhet reklamë. Ajo është detyrë, detyrim njerëzor, intelektual. Sot shikon fondacione të ndryshme sikur të ishin kompani private, dhe që në fakt  janë shndërruar si biznese që “shesin” bamirësinë e të tjerëve. Etja për mediatizimin, e ka bërë bamirësinë sidomos në Shqipëri deri diku të pështirë dhe fyese. Shikon në televizione fëmijë me rrecka, të paushqyer që vihen në rresht për të bërë foto me x apo y politikan,  apo i ashtuquajtur “bamirës” ku fillojnë kamerat të  filmojnë sikur u zbulua planet i ri. Jepen me detaje ato që janë dhuruar, që nga luga, piruni dhe deri te prefësja e thonjve. Lind pyetja:  Përse gjithë kjo zhurmë, cili është qëllimi?! Që të tregohet se janë të varfër, apo të tregohet shpëtimtari?! Edhe me Bibël edhe me Kuran kjo lloj propagande është e ndaluar. Por ky është realiteti vulgar!. Mjerimi i ka zhveshur këta njerëz, i ka bërë kokë ulur, por edhe të thënit “Faleminderit” para kamerave është gjesti më shpërfytyrues ndaj dinjitetit njerëzor. Bamirësi do të thotë dhuro dhe hesht, pasi atë e din zoti në qiell.  Pra kjo kategori “bamirësish” sundohet  nga etja për protagonizëm, për “heroizëm dhe shenjtëri” artificiale pasi  bën që njerëzve të varfër tu merret çdo lloj dinjiteti.  Këtu është bukuria e kësaj poezie….Një poezi tjetër që më ka befasuar është:

O, JU DJEMT E FSHATIT TIM !

O, ju djemtë e fshatit tim,

Merrjani këngës si dikur,

Një këngë xhani për shërim,

Për Shqipëri e për flamur!

Pa këndoni dhe një herë,

Si atëherë, rreth sofrës varfër,

S’kishit mish e as verë,

Bukë e krip, e shpirt të pastër!

Kur këndonit ju një labçe,

Me themel tundej shtëpia,

E kur dasmat bëheshin fshatçe,

Ju djem ishit yzmetçia!

Kënga shqiptare në tërësi dhe sidomos Polifonia në veçanti është një këngë magjike, hyjnore, gjithë muzikalitet, befasi, rrëqethje, lehtësim shpirtëror, harmoni zërash që barazohet me tingujt qiellorë. Tingulli i saj, fuqia e përhapjes, i ngjan një shpërthimi vullkanik, që ndriçon dhe gjallon çdo qenie njerëzore. Me Polifoninë, Shqipëria, i ka dhënë njerëzimit dhe gjithë botës muzikore, një pasuri botërore unike, specifike, tejskajshmërisht të pa përsëdytur, e të pa krahasueshme. Nuk gjendet dot një shembull tjetër identik në gjeografinë e botës, si Polifonia shqiptare, apo kënga shqiptare, vendçe. Vendimi i UNESCO-s, i marrë në 25 nëntor 2005, duke evidentuar vlerën e papërsëritshme të saj, ka treguar modernitetin, origjinalitetin, përkatësinë, vendlindjen e Polifonisë dhe pazëvendëssueshmërinë e saj. Kënga labe, është nga rastet e veçanta për të mos thënë e veçantë në botë e cila në vend të veglave ka vetë njeriun dhe frymën e tij, të dalë nga shpirti, që në çastin e këngës është i mbushur me dhimbje apo gëzim, me dashuri apo urrejtje. Një këngë kurbeti, udhëton mbi nota minore monotone me një thirrje të mbytur e të dhimbshme, shoqëruar me tekstin prekës e melankolik. Një këngë dashurie i ngjan flladit dhe isoja dridhjes së petaleve të trëndafilit në çastin e hapjes për lulëzim të plotë. Në një këngë trimërie ritmi dhe pesha e fjalës është një kushtrim i vërtetë, bukurinë e së cilës vetëm kënga labe mund ta shprehë. Sipas autorit këngët janë nga më të ndryshmet, herë të qeta, herë të serta, herë të ëmbla, herë të rrëmbyeshme, herë të mugëta, herë të shpejta, herë këngë dashurie, herë trimërie, herë heroizmi, patriotike, herë të rrëmbyera, të ngadalta por ato madhështinë e  marrin deri në hapësirat ndër qiellore kur i këndojnë Atdheut. Ndaj autorin e  ka marrë malli për një këngë shqipe si dikur, kur ishin të gjithë shokët në fashat apo në lagje në qytet. Kur këndonin të bashkuar dhe kënga ju jepte gëzim, hare, bashkim, vëllazërim. Kjo pjesë e jetës së dikurshme, autorit i mungon në emigracion, ndaj ai kujtimet i sjell si ujëvarë qetësuese brenda ëndrrave mërgimtare. Ato këngë të bukura kishin shpirtin brenda dhe pse ishin kohët e një varfërie ekonomike. Ato dasma të thjeshta, ato dasma ku pihej veç raki, por që këndohej për ditë të tëra, janë ende të gjalla në kujtesën e poetit që vargëzon për kurbetin. Por, këngët për Atdheun për poetin janë kryefjala. Këngët për Shqipërinë për të janë frymëzim dhe lartësim shpirtëror.

Dhe…

Dhe nuk mundej që ky vëllim poetic të mos kishte poezi dashurie, por që personalisht ju përcjell një poezi ndryshe……

NJË DITË BASHKË U ZUMË

Një ditë bashkë ne u zumë,

S’thamë asnjë fjalë, vetëm mëri,

 Përplasëm fort dyer dritare,

Kokëfortë unë, e kokëforte ti!

Në shtratin tonë ne u takuam,

Një lot për mua, një lot për ty,

 Instinktivisht u përqafuam,

Përherë ndërmjetësja- Dashuri!

E kush nuk ka dashuruar në jetë?! E kush nga ata që ka provuar dashurinë, nuk ka marrë krahë dhe ka fluturuar mes ëndrrave pa fre në vende të pamenduara duke përcjellë gëzim, hare, optimizëm, ndjenjë, forcë, dëshirë, por edhe zhgënjim?! Dashuria njerëzore sentimentale, mbetet përshëndetja më e ëmbël, më e  kaltra e ajrit  mëngjesor. Ajo është një buzëqeshje e trëndafiltë, një  dëshirë e dielltë që çdo kush e shtrëngon vetëm në gji, është një gëzim i  fshehtë pa fjalë, pa zë, me lot në sytë e kulluar të të dyve. Në dashuri, zemrat rrahin si të zogjve të vegjël kur përmendet emri reciprok. Dashuria është një fluturim larg, një përqafim, një puthje, një buzëqeshje. Dashuria pushton ajrin,  e lotët puthin fytyrat, është një fat i pabesueshëm, ku puthja e lotit thahet, imagjinata merr vrapin dhe përkëdhel pushin e fytyrës zjarr. Loti në faqen e prushtë bëhet më zjarr se zjarri i dimrit zemërak. Por dashuria nuk është vetëm gëzim, lumturi, hare. Dashuria është dhe dhimbje, zhgënjim, zënka, debat. Te dashura pleksen të gjitha, ndaj ajo arrin kufijtë e së madhërishmes. Dashuria është e  bukur edhe kur grindesh, edhe kur debaton, edhe kur nuk flet për ditë të tëra, edhe kur ka në mes xhelozinë, edhe kur ka mëdyshjen, pendesën, hezitimin. Kjo poezi është e bukur, pasi autori nuk mban rezerva, është i sinqertë në dashurinë e tij me të gjitha ngjyrat ylberiane. Kush thotë se dashuria është vetëm gëzim, gënjen veten dhe provokon lexuesin…..

Si përfundim…

Ky vëllim poetik i autorit Shkëlqim Ziraj është një pasqyrë reale, pa mëdyshje e shpirti të tij lirik, ku me  vargun lakonik, ai jeton  jetën me të gjitha ngjyrat e saj, ku zhgënjimi shpesh herë  dredhon mbi idealizmin jetësor, por nuk mundet të bëhet protagonisti superior. Në këtë vëllim ai rrok të gjitha tematikat jetësore si, sociale, ekonomike, politike, sentimentale, arsimore, me sukseset dhe zhgënjimet që i lidh aq butë estetikisht me zbrazëtirën mërgimtare. Ai ë gëzon jetën dhe me sukseset, por edhe me humbjet, pasi jeta nuk është një fushë me lule por një fushë beteje, ku duhet të jesh i përgatitur që ti bësh ballë dhe të dalësh triumfues. Estetikisht libri ka një harmoni figuracionesh letrare, artistikisht ka një gjuhë të pasur dhe ngjyruese, dhe nga ana e mesazhit një thirrje për këmbëngulje, mos-mposhtje dhe dëshirë për të parë një Atdhe të begatë dhe njerëz të lumtur larg hipokrizisë, dyfytyrësisë, pabesisë.

Kontrolloni gjithashtu

Dili nga Shtypi libri, “LETRA AMBASADORËVE” i autorit, Shefqet Dibrani

Dili nga Shtypi libri, “LETRA AMBASADORËVE” i autorit, Shefqet Dibrani

(Shefqet Dibrani; “LETRA AMBASADORËVE”, botim i autorit,  St. Gallen 2020) Fragment nga parathënia dhe rezymeja ...