Blerim Muriqi: Paradigma e Kthimeve Politike në Kosovë: Rasti PDK–Ramiz Lladrovci

Kthimet në politikën kosovare janë më të rënda se largimet. Largimi është akt: një dorëheqje, një përjashtim, një konferencë shtypi. Kthimi është proces, dhe proceset zbulojnë gjithmonë më shumë sesa do të donin vetë partitë. Rasti i Ramiz Lladrovcit në PDK është pikërisht ky: një rikthim që po shitet si pajtim, ndërsa në të vërtetë është vetëm një mënyrë për të shmangur pasojat e krizës së brendshme.

E gjithë kuzhina që ziu e poqi tentativën për ta hequr Ramizin nuk e arriti qëllimin. Por arriti diçka tjetër: ekspozoi hijet e vjetra, ato që zakonisht flenë nën kazanet e politikës, aty ku era e hekurit të vjetër përzihet me skemat e ditës. Armiqësia e prodhuar nuk shlyhet me një fotografi. Fotografia vetëm e fashit, nuk e shëron. Aksi Drenas–Skenderaj nuk është fjalë në akull; është strukturë reale terreni, me peshë organizative dhe memorje politike që s’fshihet dot.

Fotografia e kthimit flet më qartë se deklaratat: ky nuk është një pajtim parimor, por një bashkim elektoral i tipit Fraksion–Parti, një mos-humbje e rastit në lojën e restove që ka imponuar aksi AliAhmeti–Kurti. Ramizi është ai lloj politikani që ushqehet nga fitorja e dëshmuar, jo nga premtimi. Në logjikën popullore — “delja që ndahet nga kopeja e ha ujku”. Kthimi i tij është projektuar të sjell rikthimin e vetëbesimit të elektoratit. Por, a e pyeti kush elektoratin? Pezmi i krijuar është aty dhe do të jetoi përtej afateve që skemistët i kanë vënë apetiteve të shefave. Ai nuk ka ikur,  rri pezull mbi Drenas, i shkruar në lëndë të prokurorisë, i gdhendur në ambiciet politike e ekonomike që i dhanë kësaj përplasjeje dimension real për ta nxjerrur nga simbolika.

PDK sot është e zënë në pikë të hallit nga e keqja që ia ka bërë vetes. Thyerja me Lladrovcin nuk ishte rastësi. Ai duket se ishte plan i vjetër, gatuar kokave të partisë kur ishte para memliste. Ata që tërheqin fijet në prapaskenë nuk janë ndalur kurrë në idenë e çlirimit nga “Samiu, Ramizi dhe të tjerë si ata”. Kjo nuk mund të kalojë pa dhimbje. E as pa kosto.

Media prodhoi një personalizim të lehtë, një narrativë Ramiz–Sami, sikur aty të qëndronte thelbi. Por ai që vëzhgon më thellë e di: ajo që ndodhi në Kaqanik, ajo që përflitej në Ferizaj, ajo që u tentua me Lul Shoshin në Istog, nuk ishin episode të veçuara. Ishin pjesë të një plani pastrimi. Kjo logjikë goditëse u ndal vetëm sepse Ramizi doli arrë e fortë. Dhe partitë, kur arrat janë shumë të forta, ose i shmangin, ose i kthejnë në pajtim për të mos i humbur.

Dilema Koalicion apo Kthim nuk ekziston. Kthimi është zgjedhja, por me çmimin që Ramizi të kërkoi deputetët e vet. Me ta ai do ta blente sigurinë e rikthimit, për të mos përfunduar në fatin e Adem Grabovcit, që duke dashur ta shpëtojë partinë, nxori veten jashtë.

Ky bashkim elektoral nuk i shton vota PDK-së në 28 dhjetor. Madje disa vota do t’i mungojnë. Opozita sot është varur te gara për vendin e dytë mes PDK-së dhe LDK-së. Ndërkohë NISMA po lëviz më qartë se të tjerët, sepse votat e saj lëvizin me liderin — fenomen i rrallë në politikën tonë, ku zakonisht vota lëviz kundër liderit. Lëvizjet e Fatmir Limajt, edhe nëse nuk e imponojnë frymën e zgjedhjeve, i japin ngjyrë vulës së tyre dhe lëvizin sistemin e koalicioneve.

PDK ka blerë një muaj kohë me armëpushimin Ramiz–Sami. Mjafton për të krijuar një inercion të ri. Por a e di PDK-ja ku po ia çon mushka drutë? Ramizi e Samiu janë lodhur nga konflikti i tyre. Janë bukë e një brumi. Brumërat e vjetër nuk pranojnë lehtë fjalën “pajtim”, prandaj duhej dikush i tretë që ta shtyente atë. Dhe ai erdhi: Ali Ahmeti, Abazi i të dyve.

Në nëndheshmërinë politike qarkullon slogani: “Amerikanët duan rënien e Albinit për të ecur në krah të Kosovës.” Slogani mund të bëjë punë në tavolina të mbyllura, mund edhe të bëhet eter zgjedhjesh ku e ku. Por, qytetarin e tradhtuar nuk e risjell dot as kollaj as shpejt.

E di vallë (ky simulim elitash), ku po ia çon mushka drutë!

Asociacioni dhe rikthimi i Listës Serbe nuk janë as teori e as formulë magjike. Janë gurë mulliri. Dhe gurët e tillë kërkojnë blojë jo fotografi pajtimi.

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Skënder Demaliaj: BIZNESMENI AVNI PONARI – I SUKSESSHËM, I BESUESHËM, TRANSPARENT DHE I VENDOSUR PËR T’I REALIZUAR OBJEKTIVAT DHE QËLLIMET E TIJ

Dr. Skënder Demaliaj: BIZNESMENI AVNI PONARI – I SUKSESSHËM, I BESUESHËM, TRANSPARENT DHE I VENDOSUR PËR T’I REALIZUAR OBJEKTIVAT DHE QËLLIMET E TIJ

Një portret i shkurtër në këndvështrimin socialpsikologjik E kam njohur Avni Ponarin në konviktin e …