Borxhi shtetëror i Kosovës ka arritur në 1.817 miliardë euro në fund të vitit 2025, rreth 80 milionë euro më shumë se një vit më parë, sipas Raportit Vjetor Financiar të Buxhetit të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Megjithëse borxhi është rritur në vlerë absolute, pesha e tij ndaj Bruto Produktit Vendor ka rënë nga 16.9 për qind në vitin 2024 në 16.5 për qind në vitin 2025. Kjo mbetet dukshëm nën kufirin ligjor prej 40 për qind të BPV-së. Borxhi i jashtëm është rritur gjithashtu, duke arritur në 856.2 milionë euro, ose rreth 81.5 milionë euro më shumë se një vit më parë. Kreditë janë përdorur për projekte në arsim, energji, bujqësi, infrastrukturë, shëndetësi dhe fusha të tjera. Megjithatë, auditori ka ngritur shqetësime për nivelin e ulët të shfrytëzimit të disa kredive. Pesë kredi, të ratifikuara gjatë viteve 2022-2024 dhe me vlerë 137.3 milionë euro, nuk kishin pasur asnjë tërheqje deri në fund të vitit 2025. Tetë kredi të tjera, në vlerë 193.1 milionë euro, kishin vonesa të konsiderueshme në realizim. ZKA-ja ka evidentuar probleme edhe në klasifikimin e shpenzimeve. Gjatë vitit 2025, keqklasifikimet arritën në 77.4 milionë euro, prej të cilave 73 për qind i përkisnin komunave. Shuma është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin paraprak, kur ishte 35.2 milionë euro. Pjesa më e madhe e këtyre rasteve lidhej me pagesat e realizuara përmes vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore, të cilat kapën vlerën prej 58.4 milionë eurosh. Raporti evidenton gjithashtu rritje të detyrimeve të papaguara në institucionet qendrore, të cilat u shtuan për 92.7 milionë euro krahasuar me vitin 2024. Rritjet më të mëdha janë regjistruar në ministritë përgjegjëse për mjedisin dhe infrastrukturën, bujqësinë, kulturën, rininë e sportin dhe mbrojtjen.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
