Brickos

Botohet në gjuhën rumune përmbledhja poetike “Din stanca curg lacrimi” ( Prej shkëmbit rrjedhin lotë) e autorit Jusuf Zenunaj

 


Emri i poetit, dramaturgut dhe veprimtarit Jusuf Zenunaj nga Novosella e Pejës, i cili aktualisht jeton në Belgjikë, tashmë është emër i njohur jo vetëm për lexuesit shqiptarë por edhe për lexuesit frëng dhe tash së fundi edhe për lexuesit rumunë. Kohë më parë nën përkujdesjen e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë u botua përmbledhja poetike “Din stanca curg lacrimi”, “Prej shkëmbit rrjedhin lotë”. Poezitë nga gjuha shqipe në gjuhën rumune i ka përkthyer poeti dhe publicisti, Baki Ymeri. Kjo vepër është çmuar nga kritika rumune. “Përmes këtij vëllimi, në vargun e poetëve shqiptarë të botuar në gjuhën rumune, Jusuf Zenunaj mund të përfshihet që tani në kategorinë e atyre autorëve që, me aq dhunti sa u është dhënë, kontribuojnë për ta shfaqur sa më të plotë tablonë e gjuhës shqipe, me ngjyrat magjike të nyancave të poezisë” ka shkruar veç tjerash kritiku letrar rumun, Marius Chelaru.

Marius Chelaru: Për poezinë e një endacaku të ditës së nesërme

Me avuj misri jam përzier,
në çerepin e diellit piqem,
në ma prefshin gjuhën,
fjalën në shkëmb e keni!
Jusuf Zenunaj, / Fjala në gur

Poeti dhe përkthyesi Baki Ymeri e ka bërë zakon të sjellë në gjuhën rumune poetë nga e gjithë bota shqiptare (sidomos nga Kosova dhe diaspora), poetë që u përkasin stileve dhe orientimeve të ndryshme, duke nxjerrë në pah një peizazh pikëvështrimesh e vlerash të mirëfillta. Në vëllimet e disa poetëve, si të Sali Bashotës, Ibrahim Kadriut, Rizah Sheqirit, Mardena Kelmendit, Miradije Ramiqit, Rozi Theoharit, Jeton Kelmendit, Brahim Avdylit, Halil Haxhosajt, Merita Bajraktari McCormack-ut, Sarë Gjergjit, për të cituar sipas një rendi të përzier, vetëm disa nga ata që janë përkthyer në gjuhën rumune – lexuesi rumun ka mundësinë të jetë më afër poezisë së një këndi të botës, për të cilën flitet shumë dhe dihet shumë pak.
Në këtë linjë bën pjesë edhe ky vëllim i nënshkruar nga poeti kosovar, Jusuf Zenunaj, me banim në Belgjikë që nga viti 1992. Thënë ndryshe, një poet nga vargu i gjatë i atyre që kanë shkruar dhe shkruajnë larg atdheut të tyre. Do ta lexoj më parë me syrin e lexuesit të etshëm më shumë për njohje, sesa për analizë. Nga pikëshikimi tematik, te Jusuf Zenunaj ndërshihet largimi nga dheu amtar edhe përmes mënyrës në të cilën e gërsheton poezinë e dashurisë. Dashuria duket se është temë e parapëlqyer, të cilës mund t’i shtohen në sfond hijet e errëta të luftës, me viktima, dhembje dhe çdo gjë që ndërlidhet me të, sidomos mërgimi me nostalgjinë ndaj “shtëpisë”. Fjala është për një “shtëpi” magjike, të cilën e ruan në zemrën e tij. Nostalgjia ndaj vendlindjes ndërlidhet me dashurinë, pritjen, kërkimin, kundrimin e natyrës, admirimin e erëtimës së luleve, fëshfërimës së drurëve dhe gurgullimës së ujërave. Është një nostalgji që ndërlidhet me emra legjendarë të historisë së Kosovës, me heronjtë e Drinit, të Grykës së Rugovës, Lumbardhi, Enver Hadri, Peja apo Jusuf Gërvalla, Jeronim de Rada, e shkuara e Ilirisë deri në Berat, Kuçishtë apo deri te Kroi i Ilaçit – të gjitha këto duke i dhënë një shumëngjyrësi të dukshme poezisë së tij.

Ndërkaq, tëhuajësimi gërryen i heshtur dhe i vetmuar, dhe kjo vërehet më mirë në poemat e tij, si Përsëri në fshatin tim:” Pas shumë vitesh,/ sërish erdha në fshatin tim,/ ku ende edhe ndihet plaga e luftës,/…/ sikur isha fëmijë erën e paska bari/ edhe Ylberi lëshon ngjyrat në Dri“. Kur mërgimtari lan fytyrën në lumë, i duket se sheh më shumë, ngase gurrat e Drinit kanë bukuri magjike, dhe e ndjen veten të harlisur kur pyesin valët e lumit: “Kush është ky njeri!“. Apo, ndoshta ata të një ane tjetër të botës, ku duket se kemi një stërfrenim të shkëputjes nga shtëpia e brezave të mëparshëm, një shkëputje të cilën pas vitit 1989 e kanë përjetuar edhe rumunët. Dhembja dhe mallëngjimi e bëjnë të veten. Këtë e vërejmë sidomos duke lexuar vargjet e poezisë Vdekja në aeroport: “Babai i sëmurë,/ në 97-ën kthehej të vdiste/ në vendlindje./ Në aeroportin e Shtutgardit,/ në ndarje,/ lexova në sytë e tij/ se po vdisnim për njërin-tjetrin,/ unë dhe ai.“
Për Jusuf Zenunajn dashuria shndërrohet në ”fryt të dhembjes së djeshme” dhe „endacak të ditës së nesërme”, por edhe „shtagtar i dashurisë/ për tërë jetën”, ndërsa „pritja është vaji i së shkuarës”. Dashurisë „nuk mund t’i vësh kufi”, sepse ajo mund të bëhet një lojë e fshehtë, një „marrëzi e ëmbël”. Ndërsa malli than zemrën, e shterr. Ngase, autori shkruan, „porsi dielli që përvëlon peshqit në zall/ në shpirt më digjet një mall”, pas syve të bukur të së dashurës, „me qepallat porsi rrezet”, dhe nga dëshira që buzët e saj t’ia ndezin „zjarrin më të ëmbël”. Duhet shtuar se kemi përpara një poezi në të cilën dashuria është porsi një efekt, një „ngjyrë” e jetës, një „diçka” që e sheh, edhe pse është diçka e fuqishme, që të rrëmben ndër faqet e tjera të ditës, të dhembjes, pritjes, shkuarjeve apo kërkimeve. Përjetimi lirik nuk është një këngë e thjeshtë kushtuar të dashurës, por më parë duket se është një hyrje magjike në botën e brendshme të autorit.
Ndërkaq, Kosova e robëruar (1913 – 1999), i dukej si një vend i dhembjes në një kohë të krisur: „Enden nëpër kohë hijet e zeza” dhe „dritën e diellit në korb e shndërrojnë”, në këtë kohë, „me dhëmbët e prishur” të dhembjes dhe gjakut në të cilin edhe „hijeve u rritet shpresa/ se do t’u zgjatet jeta”. Por, ndërmjet dashurisë dhe asgjësisë, ndërmjet dhembjes dhe harresës, apo „ndërmjet mërzitjes dhe gëzimit”, në vizionin e autorit mund të jenë të dyjat si një këngë e heshtur, sepse të dyja „thuajse gjenden në gara/ që mbëltohen në kujtime/ dhe këmbehen njëra me tjetrën/ porsi dita me natën në agim”.

Kështu pra, përmes këtij vëllimi, në vargun e poetëve shqiptarë të botuar në gjuhën rumune, Jusuf Zenunaj mund të përfshihet që tani në kategorinë e atyre autorëve që, me aq dhunti sa u është dhënë, kontribuojnë për ta shfaqur sa më të plotë tablonë e gjuhës shqipe, me ngjyrat magjike të nyancave të poezisë.


Baki Ymeri Flatrat e fjalës “Aripile cuvântului”

Thonë se librat kanë jetën e tyre dhe se kush lexon fluturon në botën e ëndrrave. Fjalët fluturojnë, mërgimtarët fluturojnë, pjatat fluturuese fluturojnë përmbi biblioteka, dhe librat nuk fluturojnë. Disa fluturojnë nga zemra në zemër, disa nga Bukureshti në Perëndim dhe nga Perëndimi në Kosovë. Ja, ndërkaq, edhe një poet i ri kosovar i rikënduar në gjuhën e një vendi ku njeriu lind poet! Teksti i poetit posedon vlera letrare dhe modalitete tematike që ndërlidhen me lirikën e dashurisë dhe dashurinë ndaj atdheut.
Kosova ka dritë të shenjtë dhe drita e Saj vjen përmes ëndërrimtarë të Saj, edhe në Bukuresht. Në mesnatën e bekuar të Pashkëve, pasi del prifti nga altari me qiriun e ndezur, u thërret besimtarëve: Ejani të merrni dritë! Drita është simbol i së mirës dhe i Mbretërisë së Qiejve që e mund errësirën e Satanës. Aliu, Saliu, Jetoni, Miradija, Kadriu e vlera tjera të Kosovës e mundin Satanën me fjalë të ndritura edhe në gjuhën rumune. Ja edhe një vlerë e re e lirikës së mërgimit në zemër të Europës! Drita e fjalëve të ëndërrimtarëve të Kosovës është një dritë magjike që të josh që në shikim të parë. Çka s’ka parë e çka s’ka përjetuar poeti në Kosovë, për ta përjetësuar përjetimin e tij në varg! Fjala e tij është ushqim i dashurisë dhe bërthanë e bukurisë.
Thonë se në oratori, politikë, poezi apo gazetari, vargu apo fjalia e parë dhe e fundit duhet të shpërthejë si një krismë pushke. Po kjo vlen edhe për priftërinjtë e Katedrales së Kombit që e shndrit Kosovën në zemër të Dardanisë. E themi këtë para kohe, ngase e do kombi, e do bota dhe e do koha. Poeti nuk është as prift dhe as hoxhë, por një vlerë hyjnore. Fjala e Jusufit ka vlera të denja që dëshmojnë se Kosova ka krijues të mirë edhe tejmatanë kufijve të Saj. Jusufi është poeti i vendlindjes në ekzil. Dikush mund të preket pse i thurim lavdi, por ne konstatojmë se Kosova është e lavdishme, ndërsa frymëzimet e saj janë vlera reale që e bëjnë botën më të bukur. Satana deshi ta zbrazë Kosovën, por Kosova shkon duke u bërë gjithnjë e më e gjallë. Kosova ka dritë të shenjtë që e ndryshon jetën e njerëzve me punë, vullnet, vitalitet dhe fjalë.


Poeti dhe dramaturgu Jusuf Zenunaj u lind në Novoselë të Pejës (1958). Është diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Kosovës. Më 1983 ishte profesor i gjuhës shqipe në dy qendra shkollare të Pejës. Që nga viti 1992 jeton dhe krijon në Belgjikë. Krijimet e para filloi t’i botojë në shqip, që nga viti 1980 (në Shqipëri, Kroaci, Slloveni, Zvicër). Më 1989 i botohen 11 poezi në librin Roje drite, të Klubit Letrar Karagaçi, në Pejë. Ishte anëtar i Shoqatës së Letrarëve të Rinj të Kosovës, e cila e shpërbleu me çmimin e parë të saj për poezinë Nga Ura e Qabesë (Prizren, 1991). Shkruan për fëmijë dhe të rritur. Në vitin 1996, Toena e Tiranës ia botoi veprat: Klithmë e këngë (poezi), Ma falin një varr (dramë) dhe Rrugët m’i dhe ti (dramë).

Në përmbledhjen poetike Klithmë kënge, autori ka përmbledhur poezi motivesh të ndryshme, të cilat shquhen për origjinalitet. Ka botuar poezi të panumërta në gjuhën franceze, në revistat Les Elytres du Hanneton dhe Les reflet de chez nous, me të cilat bashkëpunon që nga viti 2000. Është anëtar i Shoqatës letrare Grenier Jane tony dhe i Shoqatës së Shkrimtarëve Frëngjishtfolës të Mbretërisê Belge. Më 2007 është prezentuar në Antologjinë e poezisë frënge, botim i revistës Les Elytres du Hanneton. Shkruan për fëmijë dhe të rritur, poezi e drama. Ka botuar 4 libra për fëmijë: Pse nuk vjen Diellza në Shkollë (dramë), Dielli e ka fajin (poezi), Jam çadër në ajër (gjëegjeza), Mos e harro qytetin e lashtë (poemë). Kjo është vepra e tetë e autorit, që e sheh dritën e botimit në qytetin që sipas Lasgush Poradecit, mban emrin më të bukur të të folurit shqip (Bukuresht).

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dhjetë alfabete të gjuhës shqipe, të cilat i ka prezantuar në një libër studiuesi i mirënjohur, Robert Elsie

Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane I

Me ardhjen e tij ne Shqiperi, pushteti Osman solli me vete kulturen e tij te …