Britania kërkon njohje të plotë të Kosovës në OKB

Mbretëria e Bashkuar u ka bërë thirrje shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se njohja është thelbësore për stabilitetin afatgjatë në rajon dhe për zhvillimin e plotë të vendit. Në fjalimin e mbajtur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesja britanike deklaroi se Londra mbetet përkrahëse e palëkundur e Kosovës, të demokracisë së saj dhe të rrugës euroatlantike. “Si ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitetin afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës,” tha ajo. Britania gjithashtu i kërkoi Serbisë që të dorëzojë Milan Radoiçiqin, organizatorin e sulmit terrorist në Banjskë, dhe dënoi ashpër sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Përfaqësuesja britanike inkurajoi palët politike në Kosovë të përshpejtojnë procesin e formimit të qeverisë, duke përgëzuar “mbajtjen e qetë dhe demokratike të procesit zgjedhor lokal”. Në të njëjtën seancë, përfaqësuesi i Francës në OKB, Jay, kërkoi që autorët e sulmit në Banjskë të sillen sa më shpejt para drejtësisë. “Është e papranueshme që kryesit e sulmit në Banjskë të mbesin në liri më shumë se dy vjet pas ngjarjes. Është kritike që të gjithë përgjegjësit të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë,” tha ai. Deklaratat e Britanisë dhe Francës u bënë gjatë shqyrtimit të raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Kosovën, ku u theksua rëndësia e stabilitetit, sundimit të ligjit dhe njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

QNR

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale më 9 nëntor, 18 komuna drejt balotazhit

Pas përfundimit të numërimit të votave të ardhura nga diaspora në Qendrën e Numërimit dhe …