Brickos

Adem Lushaj

Bukuritë natyrore të Deçanit të rrezikuara nga krimi!?

Komuna e Deçanit mund të krenohet për bukuritë e saja natyrore, ngase këtë ua mundëson masivi i Bjeshkëve të Nemuna. Mirëpo, këto bukuri të rralla mjedisore janë duke iu nënshtruar rrezikut permanent të shkatërrimit, si nga prerjet ilegale, zjarrëvëniet, shfrytëzimi i egër i zhavorrit dhe degradimi i shtretërve të lumenjve, por edhe nga mungesa e një strategjie të mirëfilltë për shfrytëzim racional.

Natyra në përbërje të saj ka resurse të cilat shfrytëzohen për interesa të njerëzve dhe zhvillim të gjithëmbarshëm të një vendi. Përderisa natyra në raste bën vet rregullim, njeriu me dashje apo pa të, bën edhe shkatërrim të saj, duke ia humbur bukuritë që posedon.

Ndër pasuritë më të rëndësishme natyrore të Deçanit, pyjet zënë vend me rëndësi dhe kanë vlerë të çmueshme për zhvillim. Përveç rëndësisë ekonomike, kanë rëndësi dhe ndikim të madh, edhe në funksionin natyrorë mbrojtës: klimë, ajër, ujë, tokë konservim të trashëgimisë biologjike dhe funksionin socialo-kultural, siç janë: turizmi, rekreacioni dhe shumë funksione të tjera.

Kushtet agro-ekologjike janë shumë të favorshme për një blegtori intensive me perspektivë të gjatë të zhvillimit. Disa nga Bjeshkët e kësaj komune, e sidomos Bjeshka e Belegut, paraqet pozicion të jashtëzakonshëm për zhvillim të turizmit dimëror dhe veror.

Edhe “Lumëbardhi i Deçanit” është njëri nga resursit e rëndësishëm të zhvillimit komunal, qoftë për atraksione turistike apo si burim i energjisë elektrike. Në Komunën e Deçanit, burojnë dhe kalojnë pellgjet ujore si: “Lumëbardhi i Deçanit” dhe “Lumëbardhi i Lloçanit”, si resurse të mira për prodhim të energjisë alternative, por edhe për shfrytëzim të ujit për pije dhe ujitje.

Asnjë deçanas apo ekspert mjedisor, nuk është kundër shfrytëzimit të resurseve natyrore për qëllime ekonomike, e aq më pak për zhvillimin e Deçanit që ka mbetur ndër komunat më të pa zhvilluara, për arsye politike e të ndikuara nga Manastiri.

Pa dyshim se resurset natyrore duhet shfrytëzuar për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, sikurse që duhet shfrytëzuar edhe resurset tjera që janë në Deçan. Mirëpo, zhvillimi i qëndrueshëm pos komponentës ekonomike, ngërthen në vete edhe komponentin social dhe mjedisor. Por, prerja e pa mëshirshme e pyjeve dhe investimet që bëhen nga KELAG në ndërtimin e Hidrocentraleve në rrjedhën e Lumëbardhit, po rrezikon zhdukjen e këtyre resurseve, gjë që do mallkohemi nga gjeneratat që vijnë.

Pyjet e Deçanit po shkatërrohen në mënyrë legale dhe ilegale. Bjeshkët e Nemuna të kësaj komune, po shkatërrohen nga krimi i organizuar institucional, qoftë edhe nga vet ata që duhet ruajtur dhe mbrojtur ato.

Ndërsa, në projektin për ndërtim të hidrocentraleve, nuk përfillën parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, ngase ndërtohen pa dëshirën e qytetarëve dhe janë degradues të mjedisit. Deçanasit në vazhdimësi janë ankuar dhe po ankohen për mungesë të ujit për pije, ngase ujësjellësi ishte dëmtuar gjatë kryerjes së punimeve dhe janë humbur burime të ujit. Po ashtu, gjatë sezonit veror nuk kanë mundësi të shijojnë freskinë e ujit të Lumëbardhit dhe bukurinë natyrore që ofron Gryka e Deçanit. Futja e ujit nëpër tuba (mbi 10 km), duke lënë shtratin e ujit pa “asnjë pikë uji”, e rrezikon biodiversitetin natyror, bile-bile rrezikohet edhe minimumi biologjik për peshqit dhe shtazët ujore, gjë që paraqet krim mjedisor, e dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pra, Komuna e Deçanit është duke rrezikuar të humb dy resursit më të njohur zhvillimor (pyjet dhe lumin), ngase mungon një strategji për shfrytëzim racional të tyre, por edhe nga ndikimet politike dhe profitabile të individëve apo grupi të caktuar të interesit. Qytetarët, e mbi gjitha ekspertët mjedisor (jo veç të Kosovës), duhet të ngrisin zërin dhe ndërmarrin veprime në mbrojtje të resurseve mjedisore, duke menduar edhe për gjeneratat që vijnë pas nesh.

(MSc. Adem Lushaj, drejtor i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” në Deçan)

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Fahredin Hoti: TË MOS HARROJMË KURRË!

(25 vite nga tragjedia dhe gjenocidi serb në Krushë të Madhe)    Në përkujtim dhe …