Christopher Hill, diplomati amerikan dhe ish-negociatori në proceset e viteve ’90, ka deklaruar në një intervistë për “Euronews Albania” se Sllobodan Millosheviqi “asnjëherë nuk ka qenë i gatshëm për kompromis” lidhur me Kosovën. Ai tha se ndonëse Millosheviqi kishte bashkëpunuar për Bosnjën, për Kosovën ishte “krejtësisht i mbyllur”, duke e çuar situatën drejt rrezikut të madh dhe ndërhyrjes së NATO-s. Hill pranoi se diplomacia ndërkombëtare e asaj kohe kishte kufizime dhe se jo të gjitha zgjidhjet politike u arritën para përdorimit të forcës. Ai komentoi edhe marrëdhëniet aktuale me Serbinë, duke theksuar varësinë energjetike të saj nga Rusia dhe nevojën që Beogradi të distancohet nga ndikimi rus. Në intervistë, Hill foli gjerësisht për vendimin e tij për të dëshmuar në Hagë në favor të ish-presidentit Hashim Thaçi, duke e cilësuar këtë si “përgjegjësi morale”. Sipas tij, gjatë luftës nuk kishte parë asnjë veprim që do ta lidhte Thaçin me krime lufte dhe se UÇK-ja, nuk ka qenë një strukturë e plotë nën komandën e tij. Hill theksoi se mbajtja e Thaçit mbi pesë vite në paraburgim është shqetësuese dhe kërkon sqarime serioze nga drejtësia ndërkombëtare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
