Clarku për deklarimet e Reinhardtit: Më kujtohet situata, por nuk isha aty për ta vërtetuar

Gjenerali amerikan Wesley Clark, ish-komandanti suprem i NATO-s, gjatë luftës në Kosovë, po vazhdon të përgjigjet në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë. Prokurori Matt Halling lexoi një përmbledhje të deklarimeve të ish-komandantit të KFOR-it, Klaus Reinhardt, i cili kishte shprehur publikisht zemërim dhe zhgënjim ndaj Hashim Thaçit gjatë një konference për media në vitin 1999. Sipas Reinhardtit, Thaçi kishte akuzuar palën serbe për dëbime të shqiptarëve në Luginën e Preshevës pa u distancuar nga veprimet e UÇPMB-së, gjë që ai e konsideroi propagandë. “I thashë se kishte keqpërdorur besimin tim dhe se nuk do të dilja më para kamerave me të”, citoi Halling deklarimin e Reinhardtit, duke shtuar se edhe Clark kishte qenë i inatosur pasi Thaçi kishte premtuar tjetër gjë. I pyetur për ngjarjen, Clarku tha se e kujton rastin, por nuk mund të dëshmojë saktësinë e përshkrimit. “Nuk kam qenë atje dhe nuk e di çfarë ka ndodhur. Por e di se ishte periudha e tranzicionit të UÇK-së, nga një organizatë ushtarake në një subjekt që kërkonte të siguronte të ardhmen politike për veten dhe Kosovën”, u shpreh ai. Clark theksoi se kishte lexuar raportime për dhunë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke konfirmuar se situata në atë kohë ishte komplekse dhe e ndjeshme. UÇPMB-ja, e cila veproi në vitet 2000–2001 në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, u shpërbë pas marrëveshjes së Konçulit, nën mbikëqyrjen e KFOR-it dhe NATO-s.

Kontrolloni gjithashtu

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar lidhur me Projektligjin për Pagat, të cilin e ka publikuar Qeveria

Komunat në krizë financiare: Mbi 126 milionë euro të ekzekutuara, projektet zhvillimore në rrezik serioz

Gjatë vitit 2025, komunat e Republikës së Kosovës janë përballur me një goditje të rëndë …