Profesori amerikan Daniel Serwer ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke thënë për “Express” se zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të jenë të qeta dhe të rregullta, ndërsa uroi që votuesit të shmangin një tjetër bllokadë institucionale si ajo e muajve të fundit. Sipas tij, kriza politike ka dëmtuar pozicionin e Kosovës, por jo në mënyrë të pariparueshme. Ai vlerësoi se anulimi i Dialogut Strategjik me SHBA-në është sinjal i qartë pakënaqësie nga Uashingtoni ndaj qeverisë në detyrë të Albin Kurtit. “Mënyra si u shpall suspendimi ishte mesazh i drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit”, tha Serwer. Ai shtoi se përgjegjësia për ngecjet në formimin e qeverisë bie edhe mbi presidenten Osmani, duke theksuar se në sistemet parlamentare askush nuk mund t’i shmanget rolit të vet në proces. Sa i përket raportit të Kosovës me aleatët, Serwer theksoi se pas zgjedhjeve vendi duhet të punojë për të rregulluar marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në, si dhe të synojë anëtarësimin në NATO në momentin kur në SHBA të vijë një administratë e gatshme për zgjerimin e aleancës. Ai paralajmëroi se themelimi i Asociacionit menjëherë pas zgjedhjeve mund të përmirësonte pozicionin e Kosovës ndaj aleatëve, por do të ishte i rrezikshëm pa njohje të qartë nga Serbia. Sipas Serwer, Asociacioni duhet të jetë hap final i dialogut, jo parakusht.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
