Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se ekzistojnë gjasa të mëdha që Kosova të arrijë zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se çdo ofertë nga kryeministri Albin Kurti mund të jetë vendimtare për krijimin e një koalicioni qeverisës. Molliqaj foli për mundësinë e bashkëpunimit mes Lëvizja Vetëvendosje me Partia Demokratike e Kosovës apo Lidhja Demokratike e Kosovës, në funksion të sigurimit të votave për presidentin. Sipas tij, një ofertë e drejtpërdrejtë nga Kurti është e vështirë të refuzohet dhe shpesh përcakton epilogun politik. “Nëse Albin Kurti iu bën ofertë, kjo është punë e kryer,” tha Molliqaj, duke shtuar se partitë që hyjnë në pushtet me të përballen me tri pasoja kryesore: kontroll të pushtetit nga Kurti, përfitim të mundshëm të pozitave individuale, por edhe dobësim të subjektit politik në afat më të gjatë. Molliqaj sqaroi gjithashtu qëndrimin e PSD-së ndaj proceseve zgjedhore, duke theksuar se kjo parti ka refuzuar të marrë pjesë në tri palë zgjedhje, pasi synon të angazhohet vetëm në rrethana kur krijohet një momentum i fuqishëm politik për ndërtimin e një opozite të qëndrueshme dhe efektive.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
