leoni

Daut Haradinaj

Daut Haradinaj: Qeveria po e çon Kosovën drejt izolimit dhe humbjes së aleatëve strategjikë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka ngritur shqetësime të ashpra për gjendjen institucionale dhe diplomatike të vendit, duke e akuzuar qeverinë në detyrë për, siç tha ai, dëmtim serioz të interesave shtetërore. Sipas Haradinajt, masat ndëshkuese të BE-së, kanë çuar në pezullimin e mbi 613 milionë eurove fonde nga programet IPA dhe Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, duke krijuar pasoja direkte në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai e cilësoi këtë situatë si rezultat të “veprimeve të pamatura dhe jokushtetuese” të ekzekutivit. Raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhen në nivelin më të ulët të dekadës së fundit, duke shtuar se, sipas tij, qeveria ka minuar besimin e aleatëve kryesorë strategjikë të vendit. Haradinaj akuzoi ekzekutivin se ka “uzurpuar institucionet” dhe ka shkelur rendin kushtetues me vendime të njëanshme. Ai kritikoi edhe thirrjet e fundit për votimin e buxhetit dhe disa marrëveshjeve ndërkombëtare, duke thënë se është paradoksale që të njëjtët që, sipas tij, shkaktuan dëmet, po kërkojnë tani që të veprohet në emër të interesit shtetëror. Asgjë nuk është më e rëndësishme për Kosovën sesa sundimi i ligjit dhe ruajtja e partneritetit me SHBA-në dhe BE-në. “Një qeveri që e deformon Kushtetutën dhe ligjin nuk mund të pretendojë se po mbron interesin publik”, tha ai, duke shtuar se shteti “është shndërruar në lodër të një grushti njerëzish”. Ai paralajmëroi se vendi mund të përballet me pasoja afatgjata nëse, siç u shpreh ai, “kursi i gabuar i qeverisjes nuk korrigjohet sa më shpejt”.

Kontrolloni gjithashtu

Isa Mustafa: Ramush Haradinaj ka merita të veçanta për krijimin e Ushtrisë së Kosovës

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se Ramush Haradinaj ka luajtur rol vendimtar në …