Malcolm Simmons ka reaguar pas intervistës të zëdhënëses së këtij misioni në Kosovë, Joanna Lakana

Deklaratat e argumentuara të ish-gjyqtarit të EULEX-it në Kosovë dridhen këtë mision në esencë antishqiptar

Liridashësit e Kosovës kanë pritur me padurim të dhënat dhe argumentet që sot i ka paraqitur edhe gojarisht e publikisht, ish gjyqtari i EULEX-it në Kosovë, Malcolm Simmons. Faktet dhe argumentet që ai i ka paraqitur para deputetëve, janë rrëqethëse, goditëse, të drejta, të vërteta të pamohueshme, pasi për  të gjitha këto  zezona antishqiptare që u deponuan sot, opinioni në Kosovë ka qenë i njoftuar, por ishte politika vasale e Kosovës që i ka mbajtur fshehur për shumë kohë.

Po kështu kanë kaluar  më shumë se shtatë vjet, qyshkur z. Simmons kishte bërë të ditur se faktet që ai dispononte ishin rrëqethëse dhe se duhej të stopohej praktike e tillë e misionit që dënonte vetëm ish luftëtarë dhe ish komandantë të UÇK-së. Ish-kryegjykatës i misionit evropian në Kosovë, EULEX, tha sot në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion se ky mision u ka dhënë dokumente prokurorëve serbë lidhur me rastet e krimeve të luftës. Ai  tha para deputetëve se aty përfshiheshin edhe informata specifike edhe për dëshmitarët e atyre krimeve me prejardhje shqiptare.  “Në 2014 kam zbuluar shume dokumente të krimeve të luftës të cilat u janë dhënë prokurorëve serbë. Këto akuza për krime të supozuara të kryera nga persona të etnisë serbe gjatë luftës. Këto dokumente përfshinin informata për këta persona, por edhe të dhënat personale dhe detaje të dëshmitarëve me prejardhje shqiptare. Këto krime janë bërë në Kosovë kundrejt banorëve të Kosovës nga serbë, shumë prej të cilëve ishin edhe qytetarë të Kosovës”, tha Simmons. Ai tha se rastet e krimeve të kryera nga serbët në Kosovë BE-ja ka dashur që të mos hetohen fare pavarësisht se çfarë prova kanë.

“Autoritetet serbe në 10 vjet e kanë dënuar vetëm një person, në një mision që ka kushtuar me miliona miliona euro”, tha Simmons.

Ai tha se Gjykata Speciale është mekanizëm që Bashkimi Evropian e përdori si zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi. “Pse të mos ketë edhe serbë të akuzuar para Dhomave të Specializuara? Pse BE-ja mendoi se zgjidhja ishte që autoritetet serbe të merren vetë me rastet e krimeve të luftës. E kanë ditur se ata as nuk kanë kapacitete dhe as vullnet që ta bëjnë këtë”, tha Simmons. Ai tregoi se ndërkombëtarët nuk kishin besim në gjykatat e Kosovës. duke theksuar se “Gjykata Speciale ishte mekanizmi që BE-ja e përdori me Serbinë në dialogun Kosovë-Serbi”.

Sot, Emil Zola i kohës sonë, Malcolm Simmons tha se ka pasur ndikime politika në rastin “Kleçka” ku ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj dhe nëntë ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së ishin akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës. Ai ka cituar gjykatësin Çarls Smith, që siç ka thënë Simmonsi, kishte thënë se duhet të dënohen të akuzuarit. “Shtetet anëtare të EULEX-it presin dënime”, e ka cituar Simmonsi gjykatësin Charles Smith. Ai ka thënë se gjykatësi i këtij rasti e kishte emëruar veten si gjykatës të Apelit. Simmonsi ka thënë se ishte kërcënuar nga gjykatësi britanik, i cili kishte kërkuar që të kishte dënime në këtë rast. “Në katër raste të ndara, ka pasur pretendime se z. Charles Smith ku ai  ka provuar të ndërhyjë në gjykime. Mund t’ju ofrojë dokumente për të gjitha katër rastet. Dhe nuk ishte vetëm gjyqtari Smith që donte të ndërhynte”, ka thënë Simmonsi, duke shtuar se çdo aktgjykim që i shpallte të pafajshëm ish-pjesëtarët e UÇK-së shihej si dështim.

Po kështu, sh-kryetari i asamblesë së gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ka thënë se nuk i beson Gjykatës Speciale. Ai para deputetëve të Kosovës, ka thënë se niveli i tij i besimit në Dhomat e Specializuara është i barabartë me besimin që ai e ka në gjyqësorin e Rusisë apo Iranit. “Në Gjykatën Speciale kam po aq besim sa do të kisha pasur në një gjykatë në Rusi apo në Iran. Ky është niveli i besimit që unë e kam në Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ka thënë Simmonsi. Më tutje, ai ka thënë se ka vërejtje edhe në komunitetin ndërkombëtar karshi Gjykatës Speciale. “Ka shqetësime të mëdha në nivel të komunitetit ndërkombëtar në lidhje me nivelin e kompetencave të Gjykatës dhe në lidhje se si po administrohet drejtësia”.

Simmons, deklaroi se shumica e gjyqtarëve të EULEX-it kanë punuar vetëm sa për të bërë para sa më shumë për vete. “Kanë punuar që të bëjnë sa më shumë para, që t’i mbushin xhepat me ari për gjëra të tjera nuk janë interesuar. Normalisht ka pasur edhe të tillë që kanë punuar në mënyrë të drejtë, por që janë në numër më të vogël. Pra ka pasur edhe prej atyre që punuan mirë në kuadër të EULEX-it. Më vjen keq që isha pjesë e këtij misioni. Isha me disa që mendonim se do të mund t’i ndryshojmë gjërat për të mirë por nuk ia dolëm. Më vjen shumë keq për këtë.”, shtoi Simmons.

Këto dhe shumë të vërteta të tjera të cilat i tha sot para deputetëve z Simmons, të gjithsë shqiptarëve liridashës në Kosovës duhet t iu shërbejnë për të marrë një qëndrim të prerë kundër EULEX-it, për të cilin në në Radion Kosova e Lirë e kemi thënë në vazhdimësi se gjykata e këtij Misioni ishte filiale e gjykatave serbe. Kemi deklaruar dhe kemi prezantuar të gjithë ata shqiptarë që i kishte dënuar EULEX-i në mungesë të provave, ashtu sikur po bën aktualisht edhe Gjykata Speciale që është një shkallë e dytë e Gjykatës së EULEX-it,

Sot Malcolm Sajmons i cili me të drejtë mund të barazohet me mbrojtjen që i kishte bërë së vërtetës së kapitenit Drjafus, Elim Zola,  në shekullin 19-të,  tregoi me vepër, me sa e sa dëshmi se e vërteta mënon por nuk harron. Ai me gjuhën e fakteve e argumenteve konfirmoi se politika e BE-së ndaj Kosovës është e njëanshme, thjesht është pro serbe dhe qëllimi i saj është diskreditimi i luftës çlirimtare të shqiptarëve, duke vënë në pikëpyetje edhe pavarësinë e Kosovës.

Ahmet Qeriqi

  1. 7. 2021

Krojmir

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …