Një grup deputetësh të Parlamentit Evropian ka dërguar një letër Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, duke i bërë thirrje që të heqin menjëherë të gjitha masat e vendosura ndaj Kosovës. Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, njoftoi për këtë në një postim në platformën X, duke publikuar edhe letrën e plotë që iu dërgua autoriteteve të BE-së më 19 dhjetor. Në letër, deputetët e Parlamentit Evropian e cilësuan vendosjen e masave si të padrejta, joproporcionale dhe kundërproduktive, duke theksuar se ato kanë shkaktuar një rënie të opinionit publik në Kosovë ndaj Bashkimit Evropian. Sipas tyre, ndikimi i masave ndëshkuese ndihet thellësisht në shoqërinë kosovare, duke prekur organizatat e shoqërisë civile, sektorët kulturorë dhe arsimorë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sektorin e energjisë dhe shumë fusha të tjera. Deputetët theksuan se ndikimi kryesor i masave ndihet në nivel lokal dhe jo qeveritar, dhe kërkuan që të gjitha masat të hiqen menjëherë, duke paralajmëruar se heqja e pjesshme nuk është e mjaftueshme. Sipas letrës, ky hap duhet të ndërmerret para zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës më 28 dhjetor 2025.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
