Këtë vit Malisheva pret të përfundoj projektin e ujësjellësit për 14 fshatra

Kryetari i Komunës së Malishevës, z.Ragip Begaj, ka pritur sot në zyrën e tij, drejtuesit e Hidroregjionit jugor dhe ata të DIC-së, si implementues të programit qeveritar zviceran, për ndërtimin e ujësjellësit për 14 fshatra të Komunës së Malishevës, nga ujëmbledhësi i Senikut. Në këtë takim, u tha se hartimi i projektit final ka përfunduar dhe nga fundi i majit, pritet edhe fillimi i implementimit.

Në këtë projekt të ndërtimit të rrjetit të ujësjellësit, planifikohet të ndërtohet rrjeti i ujësjellësit, i gjatë rreth 120 kilometra, për 14 fshatra, me mbi 20 mijë banorë dhe pritet të kushtoj mbi 1.1 milion euro, i cili financohet nga zviceranët. Ky projekt do të ndërtohet në disa faza, dhe nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve, deri në fund të vitit, pritet edhe të përfundoj projekti për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit, por në këtë projekt nuk parashihen kyçje individuale, të cilat do të kryhen në një fazë tjetër.

Në këtë rast, duke i falënderuar për finalizimin e hartimit të projektit, kryetari Begaj, tha se “Malisheva është në kushte të vështira në këtë drejtim, pasi nuk kemi trashëguar asnjë metër sistem të ujësjellësve dhe çdo gjë është dashur të ndërtohet nga fillimi, për secilin vendbanim, dhe ky projekt tani, është shumë i mirëseardhur për banorët e këtyre fshatrave, pasi uji është edhe burim i jetës për mbi 20 mijë banorët e këtyre fshatrave”.

Ndërsa Besim Baraliu, drejtor i Hidroregjionit jugor, tha se “ pikërisht kjo situatë në Malishevë, na ka bërë që këtë komunë ta kemi edhe si prioritet në planifikimet e kompanisë së Hidroregjionit jugor”.

Edhe përfaqësuesi i Dorsch International Consultants, Alan Brown, si implementues i projektit të qeverisë zvicerane në Kosovë, për ndërtimin e sistemeve të ujësjellësve, u shpreh i kënaqur, që kanë arritur në këtë fazë të këtij projekti dhe uroi që çdo gjë të shkoj sipas planifikimeve.

Përndryshe, në këtë takim, u bë e ditur se edhe projekti i rehabilitimit të 11 ujësjellësve ekzistues, për Komunën e Malishevës, është në fazat e tenderimit dhe sipas përfaqësuesve të Hidroregjionit jugor, edhe ky projekt pritet të përfundoj brenda këtij viti.

Kontrolloni gjithashtu

Filloi edhe një projekt i ri rrugor në komunën e Skenderajt

Filloi edhe një projekt i ri rrugor në komunën e Skenderajt, shumë i rëndësishëm për …