Dëshmia e Michael Durkee në Hagë: Ish-këshilltari i NATO-s mohon njohuritë për krime nga UÇK-ja

Në Gjykatën Speciale në Hagë, sot pritet të vazhdojë dëshminë Michael Durkee, dëshmitar i mbrojtjes dhe ish-këshilltar politik i komandantëve supremë të forcave aleate të NATO-s në Evropë gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Gjatë seancës së djeshme, Durkee foli për takimet që gjenerali Wesley Clark, ish-komandant suprem i NATO-s, kishte zhvilluar me përfaqësues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai konfirmoi se kishte shoqëruar Clarkun në një prej takimeve ku morën pjesë Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, ndërsa emrat e tjerë të përmendur në dokumentin e paraqitur si provë nga mbrojtja – si Ramë Buja, Xhavit Haliti, Azem Syla, Blerim Shala, Edita Tahiri, Mehmet Hajrizi, Fehmi Agani dhe Gjergj Dedaj – tha se i njihte vetëm nga dëgjimet. “I kam takuar personalisht Thaçin dhe Krasniqin. Emrat e tjerë janë vetëm të njohur për mua, por jo të takuar”, deklaroi Durkee. Ai sqaroi se qëllimi i takimit ishte që gjenerali Clark të kuptonte më mirë synimet politike të UÇK-së dhe kapacitetet e saj ushtarake, në rast se NATO do të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë. “Çdo komandant ushtarak, për të përgatitur një mision, duhet të kuptojë mjedisin dhe aktorët në terren,” theksoi ai. Në vijim të dëshmisë së tij, Durkee, ashtu si disa dëshmitarë të tjerë para tij, deklaroi se gjatë asaj periudhe nuk kishte pasur asnjë informacion që UÇK-ja të kishte kryer krime ndaj civilëve. Seanca pritet të vazhdojë edhe sot, me pyetje të tjera nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së.

 

Kontrolloni gjithashtu

Nasim Haradinaj për dorëheqjen e Krasniqit: Shembull i vërtetë demokracie dhe përgjegjësie politike!

Pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, ka …