Dëshmitarja Helen Fraser ka deklaruar në seancën gjyqësore se prokurori Joshua Hafetz i ka bërë presion që të pranojë se rezultatet e Inteligjencës Artificiale kanë qenë thelbësore në vlerësimin e saj profesional. Gjatë dëshmisë, Fraser tha: “Mendoj që kam pasur mundësi të vlerësoj cilësinë e incizimit audio, por sa i përket cilësisë së fjalëve dhe gjuhës, jam e kufizuar sepse nuk e njoh shqipen”, deklaroi ajo. “Nuk mendoj që Inteligjenca Artificiale ka qenë baza e vlerësimeve dhe përfundimeve të mia. Ka shërbyer vetëm si ilustrim dhe element dytësor në vlerësim”, tha dëshmitarja. Në një moment tensionues gjatë pyetjeve, Fraser iu drejtua prokurorit Hafetz duke i thënë se termi “thelbësore” ishte përdorur prej tij dhe se ajo kishte ndier trysni për ta pranuar atë formulim. “Ky është term që përdorët ju dhe më ushtruat trysni për ta pranuar”, u shpreh Fraser. Më pas, prokurori e pyeti nëse kjo nënkuptonte se ajo kishte gënjyer në seancën e një dite më parë, por Fraser e mohoi kategorikisht këtë, duke thënë se përgjigjet e saj ishin keqinterpretuar për shkak të kërkesës që të përgjigjej vetëm me “po” ose “jo”. Në mbrojtje të dëshmitares ndërhyri avokatja e Hashim Thaçi, Sophie Menegon, e cila kundërshtoi përsëritjen e vazhdueshme të së njëjtës pyetje nga Prokuroria, duke theksuar se dëshmitarja tashmë kishte dhënë sqarimet e saj. Nga ana tjetër, prokurori Hafetz insistoi se ishte e rëndësishme të sqarohej nëse Fraser kishte ndryshuar qëndrimin e saj lidhur me rolin e Inteligjencës Artificiale në raportin e paraqitur.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
