Detyrim ligjor, agjencitë turistike duhet t’i sigurojnë udhëtarët  

Me hyrjen në fuqi të Udhëzimit Administrativ 05/2003, i cili është mbështetur në Ligjin e Turizmit, Agjencitë Turistike duhet t’i sigurojnë klientët e tyre. Tash e tutje klientët do të jenë të siguruar në realizimin e së drejtës së tyre përmes policës së sigurimit. Pra, nëse kompania nuk përmbush marrëveshjen që ka me klientin, atëherë Institucionet përgjegjëse mund të ekzekutojnë sigurimin dhe të kompensojnë palën e dëmtuar. Para se të filloj implementimi i këtij udhëzimi në praktikë është zhvilluar një takim mes përfaqësueseve të Byrosë Kosovare të Sigurimit, respektivisht drejtorit të BKS-së Sami Mazrekut si dhe drejtorit Financiar Valon Berisha, Brahim Isufaj nga BKS-ja, si dhe Lindita Rashica, Merlinda Ramaj, Lumturie Geci, përfaqësuese të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.  

Më saktësisht në nenin 5 të këtij Udhëzimi Administrativ thuhet se Agjencia e Udhëtimit duhet të sigurojë përmbushjen e detyrimeve të saja kontraktuale ndaj palëve të treta përmes një polise të vlefshme sigurimi.  

“Polisa e sigurimit duhet të mbulojë kompensimin e dëmit të shkaktuar ndaj udhëtarit nga mos përmbushja, plotësimi i pjesshëm ose përmbushja e parregullt e detyrimeve sipas marrëveshjes së udhëtimit, itinerarit të udhëtimit ose itinerarit të ekskursionit si dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara për shkak të pamundësisë së agjencisë së udhëtimit për të shlyer kostot e nevojshme të strehimit/akomodimit, ushqimit dhe kthimit të udhëtarëve nga një udhëtim në vendin e nisjes, brenda dhe jashtë vendit. Polisa e sigurimit duhet të mbuloj edhe rastet e pamundësisë së përmendura më sipër të shkaktuara nga falimentimi i agjencisë së udhëtimit” thuhet më tutje në pikën 1 të nenit 5 të këtij udhëzimi administrativ.  

Më tutje në pikën 2 po të këtij neni thuhet se organizatori i paketës duhet që përmes polisës së sigurimit të mbuloj rimbursimin e të gjitha pagesave të bëra nga ose në emër të udhëtarit në lidhje me kontratën e udhëtimit për pakot dhe shërbimet që nuk kanë ose nuk do të kryhen ose do të kryhen vetëm pjesërisht si pasojë e falimentimit apo falimentimit të organizatorit.  

Po ashtu, sipas këtij udhëzimi organizatori i paketës duhet që përmes polisës së sigurimit të mbuloj kompensimin e udhëtarit për shpenzimet e strehimit të nevojshëm, ushqimin dhe kthimin në vendin e nisjes në Kosovë apo jashtë vendit, si dhe të gjitha pretendimet e tjera në këtë drejtim, në rast të falimentimit të organizatorit, nëse transporti ishte përfshirë në kontratën e paketës së udhëtimit.  

Për Agjencitë me qarkullim vjetor deri në njëqind mijë (100,000) euro, mbulueshmëria e polisës së sigurimit duhet të jetë të paktën tridhjetë mijë (30,000) euro.   

Agjencitë me qarkullim vjetor nga njëqind mijë (100,000) euro deri në pesëqind mijë (500,000) euro mbulueshmëria e polisës së sigurimit duhet të jetë të paktën pesëdhjetë mijë (50,000) euro.  

Për Agjencitë me qarkullim vjetor nga pesëqind mijë (500,000) euro deri në një milion euro (1,000,000) euro mbulueshmëria e polisës së sigurimit duhet të jetë të paktën njëqind mijë (100,000) euro.  

Për Agjencitë me qarkullim vjetor prej një milion euro (1,000,000) deri në dy milion euro (2,000,000) euro mbulueshmëria e polisës së sigurimit duhet të jetë të paktën dyqind mijë (200,000) euro.  

Byroja Kosovare e Sigurimit falënderon Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për ketë ndryshim ligjor i cili në masë të madhe do të mbroj qytetarët e Kosovës.  

Kontrolloni gjithashtu

Poeti Ali H.Tahiri ndanë Mirënjohje post mortum profesor Ahmet Qeriqit për kontributin jetësor ndaj kombit dhe atdheut

Në një moment të mbushur me emocione dhe respekt të thellë kombëtar, poeti i njohur …