Brickos

Rreth 400 mijë emigrantë vijnë për pushim në Kosovë, gjatë sezonit të verës

Dikujt në Shqipëri por edhe në Kosovë, vërtet i ka ikur truri, andaj e sheh botën me kokëposhtë e këmbë hava

Alarmet e brithmat e disa opinionistëve në Shqipëri për gjoja “ikjen e trurit”  nga vendi, në radhë të parë nuk kanë të bëjë me realitetin faktik, por me manipulim, dezinformim, sharje e fyerje të kombit dhe të gjithë atyre që qëndrojnë në vend,  dhe, nuk marrin rrugët e botës. Propagandimi i kësaj teze raciste, nga disa medie e portale në Shqipëri, por edhe në Kosovë, ka për qëllim hedhjen baltë mbi qeveritë aktuale, të cilat sulmohen e akuzohen pa pardon, për pak para që marrin drejtuesit e këtyre medieve nga financuesit e sidomos nga lobi grek në Shqipëri, që financon rreth 40 për qind të medieve, në Shqipëri, ndërsa në Kosovës, fondi i Sorosit dhe disa nga bosët e milionerët e vendit.

Pretendimet për të konkluduar se nga Shqipëria, po ikë “Truri i kombit” dhe në vend po mbesin njerëz pa tru, është i njëjtë me konstatimet raciste të “shkencëtarëve e historianëve serbë”, si Garashanin, Haxhivasileviq, Çubriloviq, Isakoviq, Andriq, Milojeviq e të tjerë, të cilët Evropës së qytetëruar” ua prezantonin shqiptarët  si “njerëz pa tru, majmunë me bishta e pabishta, një racë që duhej shfarosur, në mënyrë të sllavët grekët, serbët e bullgarët të gjenin paqe dhe të pastronin territorin nja njerëz pa tru dhe pa dinjitet njerëzor”.  Ata kishin lansuar edhe moton e tyre kombëtare e cila thotë “shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur” së cilët iu kanë përmbajtur dhe i përmbahen edhe sot të kësaj dite të gjitha qeveritë serbe praj asaj të kohës së Karagjorgjeviqit, në fillim të shekullit  19- e deri sot te Serbia e Vuçiqit.

Është krejtësisht i paqëndrueshëm konstatimi i  Ekspertëve e Vjenës, ( botuar në Dita, 31. 3. 2021) të cilët  paskan vënë re se, në Shqipëri emigrimi i të arsimuarve është në nivele shumë më të larta se në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të tilla si Serbia, Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova. Andaj është dhënë alarmi, “ shpejt o burrani, se na iku truri”.

Një analizë e tillë mbështetet në diplomat që marrin shqiptarët, madje edhe të tillë që nuk dinë mirë shkrim leximin e shqipes, sikur ishte rasti i një kandidati për deputet i PD-së në Dibër, i cili në tri fjali të dorëheqjes së tij, nuk e kishte shkruar drejt e pa gabime qoftë edhe një fjalë të vetme. Ai, zyrtari, të cilit nuk po ia përmendim emrin, me siguri se ka shumë diploma, pikërisht  si ata që kanë ikur nga Shqipëria, sepse e konsiderojnë veten me tru dhe nuk rrinë dot në një vend, ku shumica e cila qëndron në atdhe, konsiderohet se qenka pa tru, përderisa thuhet, në mënyrën më të papërgjegjshme  se “nga vendi po ikë truri”.

Por analiza e “ekspertëve  të Vjenës”, nuk jep asnjë fakt se si gjenden, çka punojnë dhe si sillen  në vendet e Evropës shqiptarët “me tru”, të arsimuar e të edukuar, që e paskan lënë në terr Shqipërinë dhe paskan shkuar ta ndriçojnë Evropën. Këta farë ekspertësh, nuk publikojnë të dhëna se cila është prania e këtyre njerëzve “me tru” nga Shqipëria në botën e krimit të organizuar, trafikut të drogës e prostitucionit, vjedhjes, mashtrimit, fakte e të dhëna që gjenden çdo ditë në faqet e para të medies kudo në Evropë e më gjerë. Apo, ndoshta pikërisht për të qenë pjesë e këtyre veprave  u dashkan njerëz me  më shumë tru.  Truri e dija e tyre nuk i duhet Evropës për punë të tjera, përveç në raste të veçanta.

Mbase është me fat që kjo pjesë e trurit shqiptar, do të bëhet pjesë e trurit austriak, gjerman, francez, italian. Të paktën t’ i japin edhe ne diçka Evropës si dhuratë “për të gjitha të mirat që na i ka bërë”, Evropa (të cilën e ka stigmatizuar më mirë se kushdo vetë Gjergj Fishta),  sidomos prej vitit 1878, kur kancelari i atëhershëm, gjermani Bizmark, në Kongresin e Berlinit thoshte  se në Ballkan nuk ka shqiptarë (albana) por ka një shprehje gjeografike, që quhet Albania, në gjuhën e Shqiptarëve, vendi ku ata jetojnë quhet  Shqipëri,  dhe të gjithë shqiptarët me fe islame i konsideronte turq e pjesëtarë të popujve të lindjes. Po kjo Evropë,  në vitin 1913 në Konferencën e Londrës, u bëri tapi shteteve sllave e ortodokse të Ballkanit, tri të katërtat e trojeve shqiptare. Po kjo Evropë, të cilën aq shumë e dëshiron “truri shqiptar” edhe sot e kësaj dite nuk pranon të hapet për zgjidhje çështja e shqiptarëve që jetojnë në gjashtë shtete të Ballkanit, edhe pse dorën në zemër duhet pranuar një deklaratë të vetme të kancelares, Angela Merkel, e cila kishte shkrehur habinë sesi Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nga të gjitha anët  kufizohet me pjesëtarë të kombit të vet me shtetet si Greqia ku jetojnë rreth tre milionë arvanitas, me origjinë shqiptare, tani  të greqizuar, ku është zhbërë fizikisht Çamëria, në Maqedoninë bullgare ku jetojnë rreth 800 mijë shqiptarë, në Serbinë jugore, Kosova lindore me tri komuna shqiptare, në Sanxhakun e asimiluar gjuhësisht dhe në Mal të Zi.

Përveç Shqipërisë, e cila  nga të gjitha anët kufizohet me Shqiptarë, edhe Kosova nga të gjitha anët kufizohet me shqiptarë të katër shteteve: të Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë e Malit të  Zi.

Andaj “Lozha masone” e Evropës ka kujdes të madh të propagandojë se shqiptarët e mençur,  nga ata që për një gjeneratë asimilohen, janë shqiptarë me tru, të cilëve u duhet bërë vend të Evropë, sepse sa më pak shqiptarë “me tru e pa tru” që të mbesin në trojet e tyre, aq më të sigurta e më të forta bëhen shtet fqinje të tyre, të cilat i ka kapluar  “mortaja e bardhë” dhe ka rrezik që pas një shekulli të përgjysmohen apo edhe të zhduken.

Mbase është edhe “fat i madh” për kombin, që në kushtet e sotme të globalizimit, shqiptarët sa më parë t’ i nënshtrohen shpërlarjes së trurit, devalvimit të përkatësisë kombëtare e fetare, në mënyrë që Evropa të bindet edhe me fakte se jemi “ më të dashuruarit e më të përkushtuarit  në vlerat e tyre, inkuzicionale, fashiste, raciste, pse jo edhe në ato socialiste e djathtiste dhe   nuk ka pse të hezitojë aq shumë, për të na pranuar në radhët e veta.

Anakronizmi i quajtur “Ikje e trurit” nuk ka bazë logjike, shkencore, demografike, por është një sintagmë e shpikur nga gazetarët gjysmakë e të shitur, me qëllim të caktuar politik, për të baltosur qeveritë shqiptare, por edhe shqiptarët përgjithësisht, duke i ndarë ata në njerëz me  tru e pa tru. Ata më të mençurit, që kanë tru, i qofshin falë Evropës e botës dhe ne që kemi qëndruar e do të qëndrojnë në këto troje, le të na thonë se jemi edhe të pa tru, aq na bën.

Kurrë nuk do të kërkojmë të na kthehet ajo pjesë e trurit, e cila atdhe të dashur mbi çdo atdhe ka  vendin ku jeton më mirë dhe ku punon më pak, apo nuk punon fare dhe ha e pi qelepir, si azilant dhe i përndjekur nga regjimi.  ( Ahmet Qeriqi)

Dita: Emigracioni në Ballkanin Perëndimor,  Shqipëria, me rrjedhën më të lartë të trurit në rajon, 40% e të larguarve nga 2012 deri 2019 janë të arsimuar…)

 

Të dhëna të detajuara mbi emigracionin në vendet e Ballkanit Perëndimor të analizuara nga Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës tregojnë se fenomeni në Shqipëri është i përhapur tek të rinjtë dhe të arsimuarit. Sipas grafikut, në të cilin emigracioni është analizuar në dy periudha 2012-2014 dhe 2015-2019 rezulton se gjatë katër viteve të fundit fenomeni është përkeqësuar sidomos në grup moshat 20-24 vjeç. Sipas të dhënave që i referohen emigracionit neto (një nga matjet) gjatë periudhës 2015-2019 ishin larguar nga vendi rreth 18 mijë të rinj në këtë grup-moshë, nga pak se 10 mijë në periudhën e 2012-2014.

Ekspertët e Vjenës vënë re se, në Shqipëri emigrimi i të arsimuarve është në nivele shumë më të larta se në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të tilla si Serbia, Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova.

 

Ikja e trurit është veçanërisht e fortë tek të rinjtë, sidomos në grupet 15-19 dhe 20-24 vjeç. Por emigrimi i forcës së aftë të punës në Shqipëri është e lartë edhe në grup-moshat 25-29 dhe 30-34 vjeç. Studimi vëren se nga një grup prej 105 mijë emigrantësh që ikën nga Shqipërinë gjatë periudhës 2012-2019, kanë qenë të arsimuar 40,700 persona ose 40 për qind e totalit të emigrantëve. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përjetuan emigrim neto gjatë periudhës dekadës së fundit, por me ndryshime të rëndësishme midis vendeve për nga madhësia dhe modeli i moshës.

 

Në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë, ka migrim neto midis grupeve më të reja dhe kthim ndër grupet e vjetra. Në Malin e Zi, modelet e migrimit neto janë specifike për periudhën dhe priren të kthehen mbrapsht me shpejt.

Në Serbi, të gjitha grupet e popullsisë përjetojnë emigrim neto, përveç personat në të 30-tat e tyre.

Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera ka emigrim neto midis të gjitha grupeve, por veçanërisht midis grupeve më të reja.

Në përgjithësi, emigracioni neto i vlerësuar në rajon ndodh kryesisht midis atyre me arsim të ulët dhe të mesëm, me përjashtim të Shqipërisë dhe Serbisë, ku emigrojnë të arsimuarit. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, emigracioni neto është më i theksuar midis personave me arsim të mesëm, të ndjekur nga të arsimuarit e ulët, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë emigrimi neto është kryesisht në personat me arsim të ulët dhe atyre me mesëm.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: 1 Maji nuk duhet të jetë festë, por Protestë!

– Në Shqipëri thuajse nuk egzistojnë sindikatat që të organizohen punëtorët për të drejtat e tyre. …