leoni

Dilaver Goxhai: DISKUTIM PËR LIBRIN “ÇËSHTJA SHQIPTARE” shkruar nga: James Pettifer dhe Miranda Vickers

Të nderuar autorë dhe dashamirë të tyre dhe të librit!
Më lejoni të shpreh mirënjohjen time për ftesën që më benë organizatorët e këtij takimi me rastin e promovimit të botimit në shqip të librit “Çështja shqiptare” të autorëve Xhejms Pettifer dhe Miranda Vickers, promovim i cili organizohet në ditën e 8 vjetorit të fillimit të bombardimeve ajrore të NATO-s mbi Serbi dhe ushtrinë e saj në Kosovë. Libri i autorëve Xhejms Pettifer dhe Miranda Vickers është një material i bollshëm, i hollësishëm dhe kronologjik për ngjarjet në trevat ballkanike shqiptare, prej Janarit të vitit 1997 deri në vitin 2004. Njëkohësishtë autorët i kanë vendosur librit edhe një nëntitull domethënës: “Riformësimi i Ballkanit”, me të cilin ata kërkojnë t’i thonë lexuesit politikan, historianit, diplomatit por edhe lexuesit të thjeshtë se, po nuk u zgjidh e plotë dhe deri në fund çështja e kombit shqiptar, as ka dhe as do të ketë qetësi dhe paqe në Ballkan. Kush shqiptar apo i huaj ka sy dhe mend e kupton këtë definacion; ata që i kanë sytë dhe mendet vetëm te të tjerët, as e kanë kuptuar dhe as kanë për ta kuptuar këtë mësim të historisë, edhe pse këta dy autorë nuk janë as të fundit dhe as të parët që po e shprehin këtë të vërtetë të madhe, sado që të prodhohen sllogane teoriko-“filozofike” si: “zgjidhje në kuadrin e integrimit në Evropë”, “zgjidhje duke ndryshuar lëvizjet e njerëzve por jo kufijtë”, pvarësi me kushte a e kushtezuar, “zgjidhje përmes liberalizimit të vizave”, apo “ në kuadrin e globalizëmi”, e ku di unë sa izma të tjera, që nuk janë gjë tjetër veç se hashash për shqiptarët. Drejtësia është drejtësi. “Jepi Qezarit atë që i takon Qezarit”, tha Jezu Krishti. Kjo është sinteza e këtij libri që autorët dëshirojnë të thonë. 
Si të tillë, autorët Petifer dhe Vickers janë përpjekur të jenë të paanshëm, ndaj dhe një lexues i zakonshëm, apo një lexim i sipërfaqëshëm mund të të nxjerrë në përfundimin se autorët janë miq të shqiptarëve. Jo. Ata mund të jenë miq të disa individëve në Tiranë, Prishtinë dhe Tetovë, e cila del qartë, (ndaj dhe nuk u kanë shpëtuar disa pasaktësira me rëndësi për të vërtetën historike, për të cilat edhe do të ndalem), por në radhë të parë ata janë miq të vetvetes, pasi duke shprehur të vërtetat nderojnë veten dhe bëhen të pavdekshëm. 
Autorët Pettifer dhe Vickers janë me profesion gazetarë reporterë, por ndryshe nga librat e deri tnishme për Luftën në Kosovë dhe ngjarjet në Shqipëri, ata këtu marrin pozicionin e analistit dhe të historianit, dhe me sa duket, duke u futur për herë të parë në rolin e historianit për një ngjarje madhore të kohës që jetojnë, kuptohet që nuk janë shkëputur dot nga roli i reporterit dhe i kanë lejuar vetes pasaktësira, që nuk janë ashtu sikundër shprehet zoti Demaçi : “vepër me minimumin e të metave dhe pasaktësive”. Unë, (si një pjesmarrës aktiv në ato ngjarje, e lexova me shumë vëmëndje dhe interes librin), dhe mund të them se autorët në fjalë janë njohës të mirë të ngjarjeve, dëshmitarë okularë të shumë prej tyre, prandaj dhe dalin në përfundimin e drejtë se shumica e politikanëve të Tiranës dhe të Prishtinës janë ushtarë besnikë të diplomatëve apo punonjësve të zbulimeve të huaja, kryesishtë të atyre shteteve europjane pro sërbo-greke. 
Kjo është arsyeja kryesore pse politikanët shqiptarë të këtyre 17 viteve i ndrrojnë mendimet, ngjyrat, rolet, pozicionet, qëndrimet dhe programet e veta dhe të partive të tyre politike “si mbreti gratë”, duke e kthyer gunën nga fryn era dhe duke mos u bërë as pak merak se dëmtohet populli i tyre, kombi shqiptar dhe çështja e tij kombëtare, të cilët, autorët i japin me fakte dhe me emra konkretë, duke e thënë copë: vetëm e vetëm që të pasurohen duke qëndruar sa më gjatë në politikë dhe në pushtet. Mjafton “një copë pusullë nga një punonjës i një shërbimi të fuqishëm zbulimi”, e cila i shpjegonte presidentit se “akuza ndaj Fatos Klosit ishte një çështje që i përfshinte edhe ata (shërbimin e huaj të zbulimit) që i mundësonte të kontrollonin zhvillimin e situatës në Kosovë”, (sikundër autorët citojnë në f. 274), ndaj dhe Mejdani nuk pranoi kërkesën e Majkos si kryeministër për ta hequr Klosin nga detyra e kryetarit të SHIK-ut nga që dyshohej për pjesmarrje në vrasjen e Azem Hajdarit. Ndoshta është kështu. Mirëpo, një fakt i tillë e bën edhe lexuesin më të thjeshtë e më naiv të dalë në përfundimin se edhe shefin e SHIK-ut edhe presidentin i paska vendosur në ato poste, punonjës i asaj pusulle, për të cilën autorët citojnë z. Mejdani. Me këta lloj politikanë dhe me këto metoda nuk ka për t’u zgjidhur kurrë çështja e kombit shqiptar. 
Që të mos zgjatem shumë, unë do të ndalem në disa pasaktësi thelbësore të librit, të cilat ndoshta kanë ardhur nga mos njohja prej tyre e çështjeve të luftës dhe artit të të luftuarit, ose si rjedhojë e ndikimit nga miqtë e tyre në Prishtinë. Po reshtoj vetëm disa prej tyre.
E para, ka të bëjë me ngjarjen e Reçakut, e cila ndodhi në 15 Janar 1999. Autorët shprehen: “ ajo masakër mëshiroi gjithë ç’kishte bërë lufta, shtoi një histori madhore barbarizmi që çoi në thirrjet ndaj ndërkombëtarëve për ndërhyrje” (f.301). Që ajo masakër “shtoi një histori madhore barbarizmi” është më se e vërtetë, por që ajo masakër ishte shkaku kryesor që “thirri ndërkombëtarët për ndërhyrje”, konkluzion ky i përmendur gjerësishtë jo vetëm nga këta autorë, por edhe nga politikanët dhe diplomatët servilë shqiptarë të të gjitha trojeve, si dhe nga shumë të huaj, nuk i reziston dot faktit tjetër shumë kokfortë dhe shumë shprehës, I cili është faktori kryesor për thirrjen e Koferencës së Rambujesë, por që shteteve europjani nuk u vjen për hosh ta pranojnë. Ai faktor është kushti i vënë nga UÇK-ja për lirimin e 8 ushtarëve robër të kapur nga UÇK-ja. Nuk besoj se autorët Pettifer dhe Vickers të kenë harruar dhe të mos e kenë të shënuar në ditaret e tyre prej gazetari atë ngjarje, e cila zgjati gati një muaj dhe që përfundoi me bujë mediatike ndërkombëtare, në 13 Janar 1999, dy ditë para se të ndodhte masakra e Reçakut, në Likoc të Drenicës, me të njëjtin autor që foli para medieve botërore si në 16 janar 1999, zotin Uilljam Uollker, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë. Ajo që ndodhi në 13 janar kish të bënte me lirimin e 8 ushtarëve robër të Sërbisë të kapur në Shalë të Bajgorës në 20 Dhjetor 1998, katër ditë pas kasaphanes që bëri ushtria serbe në mal të Pashtrikut, për faj të një injorance komandimi nga disa drejtues të UÇK-së që ndodheshin në Krumë, duke u vrarë 36 luftëtarë të UÇK-së dhe duke u kapur 9 robër të plagosur.
U bë e njohur botërisht se Serbia, pasi bëri presion pa sukses për dorzimin pa kushte nga UÇK-ja të 8 robërve, në 24 dhjetor 1998 ndërmori një operacion të gjerë me shumë forca të ushtrisë dhe policisë kundër rendimeve të UÇK-së në Zonën e Llapit dhe atë të Shalës së Bajgorës dhe, sikundër dihet, ai operacion përfundoi me tërheqjen e turpëshme të forcave sërbe. 
Atëhere Sërbia, përmes miqve të saj evropjanë vuri në lëvizje OSBE, zotin Uollker, i cili bëri dy takime me SHP të UÇK-së për lirimin e robërve sërbë, por që SHP i UÇK-së kish vënë kushtin e patolerueshëm: Të bëhej shkëmbimi me 9 robërit shqiptarë të kapur nga ushtria sërbe. Më në fund, në 13 Janar zoti Uilliam Uollker pranoi te deklaronte para medjave botërore se pala sërbe pranonte shkëmbimin e robërve. Mirëpo kjo nuk është aq e thjeshtë sa mund të kujtoi çdo kush që nuk di se ç’është lufta midis dy ushtrive. Ajo donte të thoshte se: 
Së pari, Sërbia pranoi më në fund se armiku i vërtetë i saj politik dhe ushtarak ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe askush tjetër në Kosovë, ndaj dhe detyrohej të pranonte të bisedonte me të, përmes figurës kryesore të ndërkombëtarëve në Kosovë.
Së dyti, bazuar në numurin e të liruarve, 9 : 8, në favor të UÇK-së, tregonte se UÇK-ja ishte më e fuqishme në tavolinën e bisedimeve si dhe me aktivitet në terren, e cila ishte vërtetuar dy javë më parë.
Së treti, pavarësishtë se as ndërkombëtarët dhe as Sërbisë nuk u pëlqente ta deklaronin me fjalë, ata, me pranimin e kushtit të UÇK-së, pranonin se UÇK-ja ishte faktori kryesor politik dhe ushtarak shqiptar në Kosovë dhe, jo më shumë se pas 3 javësh, faktori politik ndërkombëtare kërkoi UÇK-në të ulej në tavolinën e bisedimeve për të gjetur zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, (por që politikanët dhe përfaqësuesit shqiptarë kur shkuan në ato bisedime e reduktuan në çështje të Kosovës dhe jo të kombit shqiptar).
Dhe, se fundi, lirimi i të burgosurve në raportin 9:8 për UÇK-në tregonte se Serbia ishte dobësuar ushtarakisht dhe psikologjikisht; në vetvete ajo e kish kuptuar se e kishte të humbur luftën dhe se i kish mbetur vetëm vringëllimi i armëve, dhe për të mos u tërhequr me turp si në Kroaci, u mundua të tregonte “forcën” e saj, duke kryer masakrën e Reçakut, dy ditë më vonë. Kjo ishte shkaku i asaj masakre dhe jo”intensifikimi i disa përleshjeve të vogla midis UÇK-së dhe ushtrisë sërbe për zotërimin e zonës së Shtimjes”, sikundër shprehen autorët në f.302. Mirëpo shtetet Eurpjane që ishin mbështetje e përhershme për Rugovën dhe LDK-në dhe pro-sërbe, të cilat autorët i identifikojnë shumë herë, nuk do ta harronin atë karshillëk të UÇK-së për lirimin e robërve dhe imponimin e saj si rrjedhojë e forcës së saj në rritje, ndaj dhe UÇK-ja do ta paguante haraçin. Dhe ashtu ndodhi, UÇK-ja do ta paguante dhjetëfish: Një herë në Rambuje, ku “bisedimet u ndeshën menjëherë me problemin e legjitimitetit të UÇK-së, i cili do ta përshkonte Rambujenë gjithandej” (f.326), ku shkrirja e UÇK-së pas lufte ishte element i padiskutueshëm gjatë bisedimeve, për të cilën dha dorëheqjen Demaçi dhe që u vu edhe në Rezolutën 1244 të OKB. “Nga ky këndvështrim- shprehen në f, 325-326 autorët e këtij libri- mjafton një hap i vogël, për të vajtur te pikpamja se Koferenca e Rambujesë në themel, ishte një përpjekje e bashkësisë ndërkombëtare për të nxjerrë gështenjat sërbe nga zjarri dhe një komplot kundër UÇK-së”, dhe më poshtë konkludojnë: 
“Rambujeja ishte më tepër një ngjarje franceze dhe europjane…. Francezët ndaj u shprehën më vonë se Rambujeja ishte vetëm një mbledhje dhe nuk ishte një test i vërtetë për diplomacinë europjane” 9f.328). Por nga që autorët nuk e kanë trajtuar çështjen e lirimit të robërve, e lënë enigmë shkakun e atij komploti kundër UÇK-së. 
Herën e dytë, edhe pse në Rambuje shqiptarët u pranuan si palë, në Kumanovë, edhe pse NATO-ja kish bashkrenduar luftimit 78 ditë resht me UÇK-në, nuk u pranuam si palë. Autorët e shprehin qartë se “qarqet pro-sërbe brenda NATO-s shpresonin se brenda 5 – 7 ditëve nga fillimi bombardimeve Sërbia do pranonte tërheqjen” dhe, kur e panë se nuk u doli ashtu si dhe nuk po mundënin të godisnin asnjë objektiv të ushtrisë sërbe në Kosovë, u detyruan ta pranonin UÇK-në si aleatin e tyre tokësor dhe vetëm bashkveprimi ynë ushtarak me aviacionin e NATO-s solli kapitullimin e Sërbisë, por porsa “hodhën lumin” u hakmorrën, nuk na thërritën si palë e domosdoshme në bisedimet e Kumanvës. U vërtetua ajo që thonë autorët në f. 313: “komandantët e UÇK-së kishin frikë se mos koferenca ndërkombëtare do t’i tradhëtonte”. Dhe hakmarrja e tretë është në paketën e Ahtisarit, ku thuhet shprehimisht: TMK-ja, pasardhësia e UÇK-së do të shuhet totalisht.
Pasaktësia e Dytë e autorëve, ndoshta të ndikuar nga miqtë e tyre në Prishtinë, është mos permëndja e Shefit të Shtabit të Përgjithëshëm të vërtetë të UÇK-së, Bislim Zyrapin, i cili e kreu atë detyrë gati një vit, prej Majit të vitit 1998 deri në 28 Prill të vitit 1999, dhe që ishte ai, i cili e ringriti UÇK-në nga e para pas shpartallimit të saj në verën e vitit 1998, dhe, ndërsa autorët Petifer dhe Vikers, me një të rënë të lapsit (f. 308 të librit, por që e përsërisin shumë herë të tjera), e sjellin Agim Çekun në Kosovë në Dhjetor të vitit 1998 si dhe ia atribojnë atij meritën e riorganizimit të UÇK-së dhe jo Bislim Zyrapit, i cili gjatë luftës në Bosnjë kish komanduar një division të ushtrisë boshnjake, ndërkohë që Agim Çeku erdhi për herë të parë në Kosovë pas 15 vitesh, më 22 Prill 1999, një muaj pasi NATO kish filluar bombardimet. Madje Çeku, i cili kish luftuar në radhët gardës së ushtrisë kroate, nuk kish mbritur më shumë se komandant regjimenti.
Vrejtja e tretë, që unë kam është se, nuk mund të le pa kundërshtuar konkluzionin e autorëve kur thonë se , lufta në Kosovë “ishte një kryengritje fshatare dhe e fshatarëve” (183). Gabohen. Vërtet që lufta në Kosovë u mbështet në popullsinë fshatare, pasi ajo përbënte mbi 80% të të gjithë Kosovës dhe, dihet që luftrat çlirimtare atje e kanë mbështetjen e parë, te fshatarësia, por UÇK-ja ishte një ushtri moderne, ku 82% e efektivave të saj ishin me arsim të mesëm dhe të lartë, si rallë ndonjë ushtri në botën moderne.
Madje mbi 60% e luftëtarëve të UÇK-së vinin nga emigracioni shumëvjeçar perëndimor dhe si të tillë ishin më qytetarë se intelektualët e Kosovës.Megjithatë, janë vet autorët që bien ndesh me konkluzionin e tyre, kur një faqe më pas shprehen: ” lufta nuk bëhej thjesht për të çliruar territoret, por për të hapur kufijtë me Shqipërinë, ndaj dhe lufta kish një dimesion më të madh ushtarak dhe politikisht, simbolikë që nuk e gjeje gjëkundi tjetër”. 
Sikur të ishte thjeshtë një luftë fshatarësh të paditur, sikundër përfytyrohen fshatarët e Ballkanit, njësoj si një shekull më parë, a mund të kishte ajo ushtri çlirimtare dhe ajo luftë ato përmasa që shprehen vet autorët më pas?
Së fundi, nuk mund të le pa plotësuar një mangësi të librit, ku si komandantë formacionesh të suksesëshme të UÇK-së përmenden vetëm dy prej tyre, ata që autorët ndoshta i kanë takuar personalisht pas lufte, Ramush Haradinaj dhe Rustem Mustafën, duke “haruar” Sylejman Selimin (Sulltanin) ish komandant Zone dhe Komandant i SHP të UÇK-së, Tahir Sinanin, Adem Shehun, Sami Lushtakun, Rahman Ramën, Komandant Ferrin, Ekrem Rexhën e shumë të suksesshëm të tjerë, që nuk qëndrojnë më poshtë se ata që përmendin autorët e librit, të cilët eleminojnë edhe Jakup Krasniqin dhe në vend të tij “emërojnë” Hashim Thaçin.
Këto mangësi mendova t’i veçoja si më kryesoret në këtë diskutim, të cilat nuk mendoj se e rëzojnë atë punë aq voluminoze dhe me përkushtim që kanë bërë autorët e librit, duke i uruar që në të ardhmen të na gëzojnë me libra edhe më të mirë e me më pak pasaktësira.
Faleminderit!
Shpëtim Golemi
24.03.2007

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …