Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj “BETEJA E KOSHARES”(VII)

“Nuk ka akademi ushtarake më të mirë se lufta”

Gjatë intervistave të zhvilluara në emisionin “debat plus”, të organizuara prej RT Dukagjini, enkas për Luftën e Koshares, gjatë muajve prill-maj 2019, me rastin e 20 vjetorit të asaj lufte, si dhe prej debateve përmes shtypit të shkruar dhe atij në fejsbuk, po vizatohet pak e nga pak përpara nesh  tërë kompleksiteti i Luftës në Koshare, e cila ka marrë emërtimin “Beteja e Koshares”. Debatet përmes librave, intervistave, analizave dhe komenteve, të cilat kanë ardhur gjithnjë e më shumë më të plota, tash kemi mundësi t’i ndajmë faktet nga manipulimet, duke u bërë gjithnjë e më shumë sa më i qartë realiteti i Luftës në Koshare. Sa më shumë që arrijmë ta kapim lidhjen e brendshme të ngjarjeve të atyre 65 ditëve të luftimeve të atjeshme mbrojtëse, aq më shumë habi kanë ngjallur shkaqet se pse u kalua në mbrojtje nga ato forca dhe si është e mundur që edhe pse  e vetë ndryshuan detyrën  e ngarkuar, janë bërë e bëhen përpjekje të shpallet Br.138 “Agim Ramadani” si çliruesja e Kosovës e “që ka bërë luftën më heroike nga e tërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”! Kjo propagandë me hile ka arritur të krijojë  në popull, sidomos në radhët e politikës, përshtypjen se po të mos  kishte ndodhur Lufta në Koshare, vështirë se do të kishte fituar lirinë Kosova dhe vështirë që të përmendej me respekt tregermshi “UÇK”; pavarësisht se lufta në Koshare nisi 17 ditë më vonë pasi kishte filluar bashkëveprimi luftarak midis Aleancës më të madhe Ushtarake Botërore, NATO-s, me tregërmshin: “UÇK”, (Ushtria Çlirimtare e Kosovës).

Edhe unë si dhe ju kolegët e Luftës në Koshare, kam dalë prej furtunës së asaj lufte me disa ide. Prej kur ajo luftë mbaroi, kam filluar të jetoj duke menduar me kokë dhe jo me zemër. Por te një pjesë e juaj, drejtues të Br.138 “Agim Ramadani”, po vërej se vijoni të jetoni duke menduar me zemër dhe jo me kokë. Kur jeton me kokë dhe jo me zemër, i peshon dhe i analizon më objektivisht pasionet dhe veprimet, si të tuat edhe të të tjerëve, me një kureshtje të ftohtë; kur jeton me kokë, brenda vetes qenkan dy njerëz: njeri jeton, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, tjetri mendon dhe e gjykon atë. Ai “tjetri” më thotë të gjykoj me qetësi gjithë atë luftë që pashë e jetova si dhe vetëlavdërimet tuaja. Dhe ai “tjetri” më sugjeroi të krahasoj luftën tuaj në Koshare me luftën që ka zhvilluar një brigadë  tjetër e UÇK-së. Dhe më sugjeroi të marr për krahasim Br.121 “Isemat Jashari Kumanova”, e cila, më falni, por qëndron mbi Ju, pavarësisht se e lënë në hije dhe e pavlerësuar, sikundër jeni vlerësuar ju.

Cili është motive i këtij krahasimi? Dëshira për t’i parë gjërat siç janë, dhe për të gjetur faktet e vërteta tek veprimtaria luftarake e secilës prej këtyre dy njësive luftarake, për t’i ruajtur ato për përdorim nga brezat pasardhës. Ky krahasim bëhet edhe për të demontuar propagandën tuaj të ethshme për minimizimin ose mohimin e kontributit të njësive të tjera luftarake të UÇK-së, propagandë e nisur prej mbarimit të luftës dhe vijon ende.

Ndonëse jam fare i panjohur për ju, si dhe kam pasur fatkeqësinë të meritoj zemërimin tuaj, ngaqë u jam dukur mohues i vlerave tuaja, por këtë e bëj që ju, drejtuesit kryesorë të Br.138 “Agim Ramadani”, të njihni veprën e vërtetë luftarake tuajën, për të mësuar se si ka vepruar një simotër e formacionit tuaj luftarak; dhe jo të asgjësoj iluzionet tuaja të ëmbla. Këtë krahasim e bëj vetëm e vetëm që të kemi kënaqësinë e një shpirti të ri, i cili të na fali kënaqësi të pakufishme mes veti dhe jo duke mbivlerësuar secili vetveten. Këtu nuk ka ligësi, por drejtësi. Vetëm atëherë kur njeriu arrin të njohë vetveten krejtësisht, atëherë ai mund të vlerësoi qoftë edhe  drejtësinë hyjnore. Në qoftë se nuk sqarohen çështjet sot, në qoftë se nuk kërkojmë që këto gjëra të kristalizohen sot, me qëllimin e mirë që të gjithë të dinë se kush ka qenë, ç’ka qënë dhe çfarë ka bërë, atëherë populli nuk do të dijë kurrë se nga t’ia mbajë.

Nga çdo pikëpamje që ta shikosh veprimtarinë luftarake të Br.121 “Ismet Jashari-Kumanova”, (që unë po e marr për krahasim me Br.138), ajo është një spektakël që vështirë se mund t’i gjendet shoqe në tërë luftën çlirimtare të Kosovës po të kemi parasysh: territori ku ajo brigadë u ngarkua me detyrë të organizonte mbrojtjen pozicionale aktive të paramenduar është shumë i diskutueshëm dhe tepër i gjerë; fronti i saj që ishte tepër i shtrirë dhe shumë i thyer ku kalonin vijat mbrojtëse; masa e madhe e ushtrisë të rregullt armike; një lloj mbrojtje në rrethim të gjatë e cila zor se mund të mbështetej në ndonjë bazë organizative që kishte ekzistuar më parë gjatë gjithë periudhës shtatëmujore masive të luftës në Kosovë; pa financat e nevojshme të mëdha për një mbrojtje të tillë me luftime të përditshme e në atë terren malor të populluar, e mbështetur krejtësisht në popull; mënyra e udhëheqjes së saj dhe parimet e përgjithshme taktike të zhvillimit të atij luftimi 5 mujor (260 ditë) në mbrojtje aktive; një mbrojtje e përhershme pozicionale aktive në një luftën guerile, rast i paprecedent – të gjitha këto janë një gjë krejt e re për historinë e Kosovës dhe për historianët ushtarakë shqiptarë.

Duke ruajtur gjithë institucionet drejtuese të luftë dhe popullsinë e 35 fshatrave, kjo brigadë e mësoi atë popullsi në të njëjtën kohë me shërbimin në front, pa e vënë përpara rrezikut dhe situatave të rënda. Njëkohësisht kjo brigadë, nën kujdesin e drejtpërdrejt të Shtabit të Përgjithshëm shfrytëzoi me mjeshtëri të rrallë armëpushimin e njëanshëm të tetorit 1998, për të siguruar rezerva materiale e ushqimore për një kohë të gjatë lufte në rrethim, të cilat, të menaxhauara me mjeshtëri nga i palodhshmi dhe i kujdesshmi Idriz Hyseni, (ekonomati i SHP), bëri që kjo brigadë ta realizojë detyrën, si dhe shpëtoi gjithë atë popullsinë nga uria kur në Malet e Berishës u grumbulluan mbi 150.000  të zhvendosur në muajt mars-prill maj 1999.

Sigurisht Br.121 “Kumanova” nuk mund të matet me kutin e një brigade këmbsorie të një ushtrie të rregullt e me përvojë luftarake, sikundër ishin brigadat e armikut; qoftë edhe me një brigadë të një ushtrie të rregullt pa përvojë luftarake. Por ama, ia doli ta përballonte ushtrinë e rregullt serbe. Këtë e arriti duke i shpërndarë komandantët me përvojë luftarake shtatëmujore në çdo batalion; mori nga brigadat e tjera luftëtarë të vjetër dhe i futi në çdo skuadër, togë e kompani; ditët e luftimit vullnetarët e rinj futeshin në skuadra, toga e kompani të përbashkëta  me veteranët dhe, si të thuash, inkuadroheshin brenda tyre. Pa përvojën e veteranëve të njësiteve të para të fillim-vitit 1998, organizimi i mbrojtjes nga Br.121”Kumanova” do të kishte kërkuar shumë më tepër kohë e sakrifica dhe ndoshta do të kishte më shumë humbje.

Numri tepër i vogël i të vrarëve (74 vetë) dhe i të plagosurve i kësaj brigade, (po të kemi parasysh kohëzgjatjen 8 mujore të luftës në rrethim), në krahasim me Br.138 “Agim Ramadani” që pati 114 për dy muaj luftë, provon se në shumicën e luftimeve, artilerinë armiku e ka përdorur kryesisht në distancë mjaft të mëdha në krahasim me përdorimin që ai i ka bërë artilerisë së tij në Koshare,; gjë që tregon se sulmet i ka ndërprerë shpejt, dhe është tërhequr dhe kjo si rrjedhojë e kundërsulmeve të menjëhershme nga togat, kompanitë dhe batalionet e Br.121 “Kumanova”.

Meritë të veçantë në këtë drejtim, duke mos e lejuar artilerinë armike t’i afrohej sa më shumë frontit në Malet e Berishës kanë edhe brigadat e tjera, por veçanërisht Batalioni Autonom i SHP nën komandën e Jetullah Qarrit-Gurri, i cili bënte mbrojtjen e përparuar të këtij rajoni mbrojtjeje, duke kapur drejtime, lartësi sunduese dhe qafa për të shmangur afrimin e artilerisë armike si dhe befasinë e sulmit të armikut, duke e penguar atë bashkë me forca të caktuara të brigadave fqinjë, si dhe duke e sulmuar artilerinë armike kryesisht natën, sipas taktikës së luftës partizane; dhe falë këtij fakti, duke e penguar armikun, brigada merte me kohë lajme mbi sulmet e armikut dhe u kundërvihej duke i sulmuar. Mbrojtja pozicionale aktive në luftën guerile, (si në rastin tone), përdoret vetëm në raste të veçanta, në rajone dhe pika të caktuara me rëndësi strategjike dhe përkohësisht; por edhe në këto raste të vaçanta, mbrojtja pozicionale aktive kombinohet detyrimisht me mbrojtjen e manovrueshme. Mbrojtja e kësaj brigade ishte e përhershme, dhe kombinimin e kësaj mbrojtje me mbrojtje të manovrueshme të kësaj “kështjelle” në malet e Berishës, SHP e realizoi përmes lëvizjeve të vazhdueshme në vijat e ndarjes me zonat e pushtuara të nënreparteve të Batalionit Autonom dhe të brigadave fqinje, të cilat patën karakterin e luftimeve që nuk formonin  një front të rregullt. Ky është një rast tipik unik në historinë e luftës guerile shqiptare, i huazuar prej taktikave dhe strategjia e Skënderbeut. Si rrjedhojë e kësaj strategjie malet e Berishës prej shtatoit 1998 dhe deri në fund të luftës mbeti zonë e gjerë e banuar e lirë; e vetmia. Kjo u arrit me luftë prej Br.121 “Kumanova, batalioni Autonom i SHP dhe i disa nënreparte të brigadave fqinje, e ideuar kryesishtë prej ish-shefit “joprofesionist” i SHP, kolonel Bislim Zyrapi.

Po të kemi parasysh se Br.121, duke pasur një vijë kaq të gjatë mbrojtje, ku bashkëveprimi luftarak midis zonave operative çalonte së tepërmi për shkaqe objektive, gjithkush mendon se është e pamundur që ajo brigadë t’ia ketë dalë e vetme kësaj detyre.

Këtu qëndron mençuria e “joprofesionistëve” të SHP të UÇK-së, duke përzgjedhur këtë rajon strategjik për t’u vendosur përfundimisht institucionet drejtuese të luftës. Kjo përzgjedhje është tepër e zgjuar, pasi ekzistonte mundësia për t’u tërhequr në çdo drejtim të mundshëm  ngaqë nuk ka asnjë pengesë ujore në çdo drejtim strategjik nga ku mund të delet, si dhe është tepër e vështirë që armiku të përdori në këtë terren teknikën e rëndë luftarake në formacion të rregullt luftimi, gjë që mbrojtja e kishte shumë më lehtë të luftonte me atë teknikë.

Sikundër dihet, SHP ka qëndruar nën mbrojtje të Br.121 “Kumanova”, në Malet e Berishës ose rreth maleve të Berishës, duke lëvizuar herë në  Kleçkë e herë në Divjakë. Vetëm prej 25 gushtit deri 25 shtator 1998 SHP ka qenë bartur në Drenicë ( në fshatrat: Negroc, Vuçak, Terdec, Vërboc e Krasmiroc). Prej 26 shtatorit 1998 ai u rivendos përfundimisht në Malet e Berishës, në Fshatin e Ri, Lladroc, dhe prej janarit 1999 nuk ka lëvizur më nga Divjaka derisa u zhvendos përfundimisht në Prishtinë, më 24 qershor 1999. Ruajtjen e afërme të tij e realizoi pa ndërprerje një prej kompanive të batalionit autonom të SHP.

Gjithkush mund të pyesë: Pse iu dha një vijë mbrojtjeje kaq e gjatë Br.121 “Kumanova”? Edhe në këtë rast analiza ushtarake e “joprofesionistëve” që komandonin UÇK-në është treguar tepër e mençur. Shfrytëzimi i veçorive të terrenit në të gjithë këtë vijë mbrojtjeje prej 33 km, është bërë me qëllimin e zgjuar:

Së pari, malet e Berishës janë çelësi i gjithë territorit të Kosovës; kush e ka në dorë këtë territor, ka nën hyqëm gjithë Kosovën. Me humbjen e këtij territori Kosova do të ndahej në dy pjesë pa asnjë lidhje me njëra-tjetrën, dhe do t’i jepte armikut mundësinë ta shpartallonte krejt UÇK-në; kështu që rimarrja e atij territori nga UÇK-ja do të ishte e pamundur.

Së dyti, forca e rezistencës e këtij pozicioni të famshëm, nuk qëndron aq në aftësinë mbrojtëse të lartë të të gjithë drejtimeve të tij, se sa në faktin se ky terren është i atillë që pala sulmuese gati përherë është e detyruar t’i ndajë forcat e veta në shumë drejtime, ndërkohë që pala mbrojtëse ka mundësi që t’i përqendrojë forcat e veta kundër çdo drejtimi prej grupeve mësymse, t’i thyejë ata me kundërsulm si në sajë të epërsisë numerike të përqëndruar për momentin dhe t’i kthehet tjetrit; ashtu edhe në sajë se armiku është i detyruar të sulmoi nga poshtë-lart. Këto kanë bërë që kundërshtari infektohej shpesh herë nga pavendosmëria dhe hiqte shpejt dorë nga sulmi.

Së treti, armikut, për ta pushtuar këtë terren do t’i duhej të angazhonte njëherësh shumë forca këmbësorie të mjaftueshme. Kjo do të bënte që armiku të mos angazhohej në luftime me forca të shumta kundër zonave të tjera; mirëpo këto forcat e tjera tonat do ta sulmonin në shpinë, dhe kështu ka ndodhur. Por kjo është parashikuar edhe në ndarjen e hapësirës përgjegjëse për Zonën e Dytë Operative, që kjo, me mënyrën e shpërndarjes së brigadave të tjera t’i vinte shumë shpejt në ndihmë kësaj brigade dhe pastaj të ktheheshin në rajonin e tyre pa u sulmuar nga armiku.

Të gjitha këto çfarë rendita më sipër bindin çdo ushtarak të aftë se prej muajit tetor Lufta Çlirimtare e Kosovës filloi të merrte karakter strategjik dhe fillon të tregohet një interes për pozitën strategjike të Drenicës së Poshtme dhe Llapushës.

Armiku kishte gjasa ta mposhtte këtë brigadë në rast se do të bënte një mësymje të shpejtë, gati të furishme, sikundër tentoi në datën 31 mars 1999 kur e rrethoi me 15.000 forca, por atëherëë ishte vonë për armikun, pasi kjo brigadë qe përforcuar edhe me gati 4000 luftëtarë të tjerë, ku përfshihej gjithë Zona e Dytë Operative dhe një pjesë e Zonës së Parë Operative. Atë ditë armiku pandehu se tërheqja e organizuar e gjithë forcave të Zonës Dytë Operative drejt maleve të Berishës ishte panik dhe kujtoi se do ta kishte të lehtë ta shuante Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Dështimi i asaj goditje të furishme e armikut donte të thoshte humbje e gjithë Operacionit “Patkoi”, parë nga pikëpamja ushtarake.

Përfundimi: Br.121 “Ismet Jashari-Kumanova” veproi gjatë gjithë luftës me mbrojtje aktive. Por me disa dallime kolosale prej Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të cilat jemi përpjekur t’i pasqyrojmë në formën e një tabelë-krahasuese:

Br.138 “Agim Ramadani”                       Br.121 “Ismet Jashari-Kumanova”

1) Br.138 “Agim Ramadani” luftoi në mbrojtje 65 ditë, prej 11 prill deri 19 qershor 1999.Terreni: tepër malor i pyllëzuar kryesisht me shkurre të dëndura; në kushte dimri, duke mos pasur mundësi t’u shmangeshin vendeve të rrezikshme. Mbrojtje e organizuar në front të gjerë me krahë të hapur, e organizuar me ngutje, duke kapur pjesët sunduese të cilat u fortifikuan me transhe e hendeklidhje. Gjatë dy muajve i gjithë efektivi jetoi e luftoi jashtë, në terren të hapur, pa zjarr dhe rrobat u thaheshin në trup, gjë që Br.121 në këtë drejtim kishte kushte normale. Sistemin e fortifikimit e përballoi me forcat e veta dhe në kushte të këqija  atmosferike. Një pjesë të forcave janë përdorur për patrullim në boshllëqet që impononte terreni, si dhe në të dy krahët pasi nuk kishte fqinj e që nuk përfshiheshin në rajonin e mbrojtjes, megjithatë armiku pati shumë raste që u bëri krahmarrje.

1)Br.121 “Ismet Jashari-Kumanova”Luftoi në mbrojtje 260 ditë, prej 26 shtator 1998 deri 12 qershor 1999. Terreni: Tepër malor i pyllëzuar me drunj të mëdhenj, të dëndur si dhe shkurre. Mbrojtje rrethore e parashikuar për mbajtjen me çdo kusht një rajon të gjerë me rëndësi strategjike për luftën, si dhe për ta goditur armikun në shpinë; mbrojtje e organizuar me kohë, duke ia mundësuar ekzistenca e 35 qendrave të banuara në të gjithë brezin e mbrojtjes, që shumë prej tyre përputheshin me vijat dhe pozicionet e brezit të saj. Gjatë tërheqjeve taktike të nënreparteve të veçanta ka ndodhur që këto ndaleshin për mbrojtje në shtëpitë e fshatrave, në bashkëveprim me banorët e tyre. Shumë prej shtëpive që ndodheshin në vijat dhe pozicionet e n/reparteve të brigadës ishin lidhur me transhe e hendeklidhje me ndihmën e popullsisë, me synim që sulmi armikut të thyhej qysh në ato vija. Pyllëzimi u imponoi ndërtimin e rendimeve të luftimit të reparteve e n/reparteve në trajtë rombi, për të siguruar më mirë krahët. Forcave u ishin bërë të qarta vështirësitë dhe kërkesat e luftimit në rrethim, duke organizuar mbrojtje të pandërprerë 24 orëshe, me tri ndëresa: 30% në front, 30% e gatshme dhe 30% pushim.

2) Detyra e dhënë nga SHP për Br.138 ishte: Hapja e korridorit të furnizimit Koshare –lumi Drini i Bardhë; ndërsa pa miratim nga SHP kjo brigadë e la atë detyrë dhe i vuri vetes detyrën e pakuptimtë: “heqjen e kufirit shqiptar-shqiptar me luftë”! Duke i vënë vetes këtë detyrë, kjo Brigadë prej 2600 vetësh, që qëndroi gati në sy të armikut, në veprimet e veta duhej të udhëhiqej jo nga çka ndodhte në palën armike, por nga çka ndodhte e mund të ndodhte brenda në Kosovë. Prej momentit që ajo kaloi në mbrojtje ajo ishte gjysëm e mundur.

2) Detyra e dhënë nga SHP Br.121 ishte:

Mbrojtjen e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës, Radios-Kosova e Lirë, Agjensisë Kosovapress, Logjistikën bazë për municione dhe për ushqim të luftëtarëve dhe të popullsisë qindramijëshe të zhvendosur në Malet e Berishës; Qendrën e Bashkëveprimit Luftarak midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Aviacionit Luftarak të NATO-s, si dhe Spitali Qendror i UÇK-së (vendosur në shtëpinë e (Habib Isë Zogaj në Divjakë) bashkë me 23 ambulanca mjekësore ku mjekohej popull e ushtri, nën udhëheqjen e dr. Fadil Beka; dhe tre muajt e fundit të luftës mbrojti edhe Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.

3) Br.138 “Agim Ramadani” në fund të luftës patët 2300-2600 luftëtarë në 4 batalione dhe 2 njësite të veçanta dhe rendimi luftarak i Logjistikës dhe doli pa realizim detyre. Rendimin e luftimit e ndërtoi në dy skalione me rezervë njësinë “Delta”

3) Br.121 “Kumanova”, në tetor 1998 u kompletua me 800 luftëtarë dhe deri në  fund të  luftës duke ardhur vullnetarë si dhe prurjet e tre muajve të fundit  nga Br.114 “Fehmi Lladrovci” dhe Br.113 “Mujë Krasniqi” arriti rreth 1300 luftëtarë; ndarë në 4 batalione. Pra, Br.121 ka pas efektiv 50% më pak se Br.138 dhe me detyrë shumë më të rëndësishme e më të vështirë për ta realizuar, dhe e realizoi. Rendimin e luftimit e ndërtoi në një skalion, fortifikuar me tre vija mbrojtëse dhe kanale kundër tanke; rezerve dy kompani si dhe disa grupe vullnetare nga popullsia civile.

4) Br.138 “Agim Ramadani” kishte artileri të fuqishme në organikë, duke filluar nga fakti që “Çdo skuadër kishte mitraloz të rëndë, sanajper 12,7mm, minahedhës 75 mm etj”, (M.Çetta,v.2,f.236); çdo togë pati nga një top pa zbrapsje 75mm e 107 mm dhe mortajë 82 mm, kurse kompanitë dhe batalionet nga tre të tillë, përveç që pati artileri të veçantë brigade, të organizuar në toga me topa 82 mm, 107 mm, dhe me mortaja 120 mm e 160 mm, pa folur këtu për mbështetjen me artileri nga artileria e Divizionit të Kuksit, sikundër ishte grupi 122mm me 3 bateri me nga 4 topa, me PZ në Padesh, municioni i pallogaritshëm;(M.Çetta,  v.1,f.169;v.2,f.47,97). Të gjithë ushtarët pajisur me automatikë dhe me municion i pallogaritshëm.

4) Br.121 “Kumanova të gjithë luftëtarët të pajisur me armë krahu (gjysëm automatike), Kallashnikov, Uinçester Magnum 300 dhe Heckler-Koch G3); 10 mitralozë të rëndë; 4 mitralozë 12.7 mm; 10 snajperë 12.7 mm; 6 OSA; 12 RPG7; 4 mortaja 80mm; 2 mortaja 120 mm dhe 40 mina KT; asnjë oficer karjere artilier.

Municion artilerie tre komplete luftarakë për çdo grykë zjarri; municion për armët e këmbsorisë tre-pesë komplete luftarakë.

5) Br.138 “Agim Ramadani” me 2300-2600 luftëtarë mbrohej në një vijë fronti prej 15 km gjatësi, me dendësi mesatare 173-174 luftëtarë km/front, por në kushte shumë të vështira dimri,(borë, shi, baltë dhe ngrica), gjë që ndikonte në uljen e ritmit të lëvizjeve dhe të veprimeve. Kjo të jep të kuptosh se mbrojtja e zhvilluar nga Br.138 ka qenë mbrojtje pozicionale pasive, për të mos u shpartalluar vetë; ndërkohë që për detyrë kishte shpartallimin e armikut, pasi e kishte mundësinë sepse kishte kontingjent të mjaftueshëm luftëtarësh, por faktikisht pa përvojë lufte dhe burime të shumta intelektuale ushtarake, por që kompesohej me fuqinë e jashtëzakonshme të zjarrit që ajo dispononte.; duke mos harruar faktin që, ajo do të ishte betejë vetëm këmbësorie; por u kufizua vetëm me përdorimin e zjarrit, pa e shoqëruar atë me ndeshjen, (sulmin).

5) Në frontin e Maleve të Berishës Br.121 “Kumanova” me 800-1300 luftëtarë mbrohej në një vijë fronti me gjatësi 33 km, me dendësi 30 luftëtarë për km/front. Kjo dëndësi luftëtarësh për km/front të len të kuptosh se mbrojtja pozicionale e kësaj brigade është arritur me kundërsulme të shpejta e të shpeshta, ndeshje me grupe të vogla, me sulme gjatë hapësirave midis ndërtesave (shtëpive),duke i kushtuar rëndësi mbrojtjes së ndër hapësirave dhe rruginave që të çonin në brendësi të fshatit.

Kjo brigadë nuk kishte për objektiv shpartallimin e armikut, sikundër e kishte ajo në Koshare, por, por t’i shmagej vetëm shpartallimit të vet dhe të mos e lëshonte këtë territor. Edhe pse me shumë pak burime intelektuale kjo Brigadë iu afrua një ushtrie të rregullt. Ishte organizuar bashkëveprimi me banorët kundër grupeve diversioniste që mund të futeshin brenda rajonit të mbrojtjes. Në kushtet e dimrit të egër kishin favorin se strehoheshin në bazë grupesh nëpër shtëpitë e fshatrave dhe objekte të tjera, në 81 të tilla, me masa të forta ruajtjeje dhe sigurimi.

6) Në Frontin e Koshares kemi gati 5000 ushtarë, të ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë në dy kampe armike, me raport forcash 1:1, duke qëndruar përballë njeri-tjetrit prej mbi 2 muaj, pa hyrë asnjëherë në betejë të përgjithshme; edhe kur përparonte njëra palë apo tjetra, tërhiqeshin pa asnjë rezultat të dukshëm, ndërkohë që armikut kjo  status-kuo i leverdis; ndërsa BR.138 duhej të përparonte, për të arritur objektivin për të cilin hyri në luftë, por nuk e realizoi. Në rast se armiku do t’i kthente forcat e Br.138 në vijën ku kjo filloi sulmin, nuk do të sillte asnjë ndryshim serioz të gjendjes, përveç që pala jonë do të kishte më pak humbje.Br.138 e kompletuar me vullnetarë, pa përvojë luftarake, por me një numër shumë të mjaftueshëm oficerash që vinin nga ushtria e rregullt, me akademi ushtarake, për t’i drejtuar.

6) Në frontin e Maleve të Berishës kemi gati 6.000 forca në dy kampe armike, të ndara 4000 me 2000, në favor të armikut, (po të kemi parasysh edhe grupet vullnetare prej popullsisë civile të 35 fshatrave, pa llogaritur logjistikën kryesore ku hyjnë gratë që punonin për frontin.) Raporti i forcave 1:2, në favor të armikut, duke qëndruar përballë njëra-tjetrës mbi 5 muaj, por secila palë me qëllime të kundërta, në raport me palët në Koshare; në frontin e maleve Berisha ishte pala armike që kërkonte të përparonte, ndaj dhe sulmonte çdo ditë, por pa rezultate; pala jonë mbrohej duke kundërsulmuar; kjo ishte detyra e saj: mbrojtje përmes kundër-sulmeve dhe pati rezultate, nuk e la armikun të depërtonte. Ky ishte objektivi i Br,121, dhe e realizoi. Në rast se armiku fitonte, ndryshimet do të ishin tepër serioze në dëm të UÇK-së dhe Kosovës. Br.121 e kompletuar edhe kjo me vullnetarë, me përvojë luftarake shtatëmujore, por me një numër të pamjaftueshëm oficerësh karrijere për t’i drejtuar. Komandantët e Br.121 vinin nga popullsia civile.

7) Në Frontin e Koshares ishte armiku që sulmonte çdo ditë, ndërsa Br.138 e UÇK-së mbrohej kryesisht pa sulme e k/sulme. Oficerët e Br.138 rezulton se nuk kanë ndërmarrë veprime energjike ose manovrime të ndërlikuara edhe pse kishin përvojë lufte 3 mujore gjat vitit 1998.

7) Në frontin  Maleve të Berishës Br.121 e UÇK-së mbrohej kryesisht duke  k/sulmuar sa herë sulmonte armiku, por edhe duke sulmuar në rastet kur lindte nevoja për të përmirësuar pozitat. Oficerët e Br.121 rezulton se kanë ndërmarrë përherë veprime energjike.

8) Br.138 “Agim Ramadani” me 2300-2600 luftëtarë mbrohej duke i pasur shpinën dhe krahët të sigurt.

8) Br.121 “Kumanova” me rreth 1300 luftëtarë luftonte  në rrethim të plotë. Mbrojtja në rrethim është lloji më i vështirë i luftimit.

9) Br.138 “Agim Ramadani” me 2300-2600 luftëtarë, mbrohej në një rajon të pabanuar, duke mos pas ndihmë prej popullsisë civile.

8) Br.121 me 1300 luftëtarë mbrohej në një rajon të banuar me 35 fshatra: (Arllat, Baica e Kolshit, Baja, Bellanica, Berisha, Blinaja, Bllaca, Caraleva, Divjaka, Fushtica e Epërme, Fushtica e Ulët, Javori, Karaçica, Kizhareka, Kleçka, Komorani, Krojmiri, Leletiçi, Luzhnica, Lladroci, Llapushniku, Mirena, Nekoci, Ngucati, Novosella, Pjetërshtica, Risinoci, Sankoci, Seniku, Shala, Temeçinë, Tërpeza, Zabeli i Epërm Zborci, Carraleva si dhe një pjesë e madhe e kompleksit pyjor të Blianjës ), e cila u bë baza kryesore, burimi dhe forca më e madhe logjistike dhe njerëzore e kësaj Brigade çlirimtare dhe e këtyre institucioneve të asaj lufte. Në këtë drejtim BR.121 “Kumanova” ishte më me fat, por me më shumë përgjegjësi se Br.138 “Agm Ramadani”.

10) Br.138 “Agim Ramadani” me 2300-2600 luftëtarë furnizohej rregullisht me ushqime, veshmbathje, armatim dhe municione duke i ardhur nga territori i lirë, nga Nëna Shqipëri.

Br.138 ishte një ushtri serioze që luftonte me një ushtri serioze dhe të dyja me stërvitje të pakët, sikundër na e konfirmon gjeneral Hysen Berisha.

10) Br.121 “Kumanova” me 1300 luftëtarë dhe popullsia qindra-mijëshe (në mbështetje të saj por edhe nëpër këmbët e saj) furnizimi u desh të organizohej nga hiçi dhe nuk doli asnjëherë nga gjendja foshnjore, pasi nuk kishin pas kurrë organizim ushtarak; u duhej ta siguronin çdo gjë me forcat e veta, nga Nëna Kosovë. Për këtë qëllim u mbajtën në punë 9  mullinj të ujit që bluanin 24 orë rresht: (Mulliri i Ali Durmish Rizanit në Krojmir; Mulliri i Demir Smail Gashit, në Javor;  mulliri i Haradin dhe Hazir Buçaj në fshatin Lladrovc; Mulliri i Hazir Murat Gashit në Nekoc; Mulliri i Ali Gashit, në Grykë të Gashit, në Nekoc; mulliri e Isuf Banush Hoxhës në Shalë; Mulliri i Shaban Selim Kastratit, Blinajë; Mulliri i Ramadan Bahtijar Gashit, Pjetërshticë; Mulliri i Fazli Ymer Jonuzajt, Senik); 3 rrobaqepësi në familjet Bujupi, Shamolli dhe Arifi, si dhe 35 shtëpi kuzhinë ku punonin me rradhë të gjitha gratë e 35 fshatrave, me tre turne, ato pa fëmijë në gjoks, përveç 3 kuzhinave të menaxhuara nga luftëtarët.) Gjithë kjo “ushtri” popullore ishte fare e papërshtatshme për të luftuar me një armik serioz, por makina sociale në popullsinë e këtij territori të gjerë ishte e tillë që kërkoi shumë pak kohë për t’u shndërruar nga civilë në ushtarë. Ky shndërrim kaq i shpejt u mbështet në epërsinë individuale të popullsisë malore fshatare.

11) Br.138 “Agim Ramadani” furnizimin ia bënin luftëtarët, logjistika e saj bëhej me kafshë dhe mjete të tjera transporti.

11) Br.121 “Kumanova” furnizimin ia bënin pothuajse gratë e gjithë fshatrave. Që do të thotë se logjistika e Br.121 “Kumanova” ishin nënat dhe motrat e ushtarëve. Transportimi veç me krahë.

12) Br.138 “Agim Ramadani” pati 114 dëshmorë, që i bie mesatarisht 1 dëshmor në çdo 20-23 luftëtarë, por në çdo 2 ditë 3 dëshmorë.

12) BR.121 “Kumanova” pati 74 dëshmorë, që mesatarisht i bie 1 dëshmor në 19 luftëtarë.  Raport pothuaj i barabartë, por këtu në çdo 3 ditë 1 dëshmor.

13) Në Br.138 “Agim Ramadani” të rënët janë 35% nga zjarri i artilerisë armike, 33% nga snaiperistët armiq, 10% nga aviacioni dhe vetëm 22% kanë rënë në luftime të drejtpërdrejta me forcat serbe.

13) Në Br.121 “Kumanova” vetëm 40% e dëshmorëve kanë rënë nga zjarri i artilerisë, 60% në luftime të drejtpërdrejta gjatë sulmeve e kundërsulmeve kundër forcave serbe.

14) Mjekësia në Frontin e Koshares, bazuar ne ato çka na jep, Muhamet Çetta, 12 mjekë dhe infermierë, i bie  1 mjek apo infermier për 200-215 luftëtarë (persona); që do të thotë 10 herë ngarkesë më të vogël nga ç’kanë pas mjekët në Malete e Berishës, dhe spitali jashtë rajonit të mundshëm për goditje nga armiku.

14) Mjekësia në frontit në frontin e Maleve të Berishës kanë shërbyer gjithsej 85 mjekë dhe infermierë (prej tyre 37 mjekë), që do të thotë se i takon 1 mjek ose infermier për 2000 banorë e luftëtarë, 10 herë më shumë ngarkesë se personeli mjekësor në Koshare, pot ë kemi parasysh se këtu shifra e banoreve arriti në periudhën mars-prill  rreth 150 mije. Përveçse në këtë front ka pas dhe lindje fëmijësh dhe pa asnjë mortalitet.

Në raport me Br.138 “Agim Ramadani”, Br.121 “Ismet Jashari-Kumanova” pati edhe këto tri veçori:

A). Këtu patëm një fenomen të ri: pjesëmarrja e gjerë e gruas dhe vajzës shqiptare në luftë, e cila solli bashkimin si asnjëherë të popullsisë të këtyre fshatrave si dhe për gjithë Luftën Çlirimtare në Kosovë; gratë dhe vajzat jo vetëm që u bënë logjistika e vërtetë e asaj lufte, por luftuan krah për krah me burrat në të gjithë aspektet e luftës, duke përfshirë edhe luftën me armë.

B). Brigada 121 “Kumanova” dhe popullsia e kësaj zone ku ajo veproi u bënë ballë me heroizëm të gjitha operacioneve armike për pushtimin e kësaj zone dhe asgjësimin e institucioneve drejtuese të asaj Lufte Çlirimtare të Kosovës, duke dalë ngadhënjyes mbi ushtrinë e shumtë e super të armatosur serbe.

C). Njëkohësisht, me organizimin dhe forcimin e Brigadës 121 “Kumanova” dhe luftës së popullsisë së kësaj zone, në zjarrin e kësaj lufte lindën edhe elementët e parë të qeverisjes gjatë luftës, pasi në këtë rajon strategjik u praktikua mobilizimi i detyrueshëm pas thirrjes së QPK lëshuar më 1 prill 1999.

Që edhe lexuesi i sotëm dhe ai i nesërm, për ta pasur të qartë detyrën luftarake të Br.121 “Kumanova”, më duhet që të zgjatem disi. Për këtë e quaj më se të domosdoshme të sqaroj me pak fjalë se cilët ishin këto institucione aq të rëndësishme që u angazhua një brigadë e veçantë për mbrojtjen e tyre, krahas mbrojtjes së popullsisë së 35 fshatrave dhe asaj pjese të popullsisë së zhvendosur nga zonat përreth:

Së pari, mbrojti institucionin kryesor ushtarak drejtues të Luftës për Çlirimin e Kosovës. Duhet bërë e qartë se Luftën për Çlirimin e Kosovës e udhëhoqi ky Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, që kuadri i Frontit të Koshares dhe gjithë politika të cilës ata i mbështet, e quajtën dhe e quajnë edhe sot e gjithë ditën: “të përbërë nga jo profesionistë”. Dhe këtë e kanë nga megalomania, e cila u buron nga mosnjohja e luftës së zhvilluar nga gjithë formacionet e UÇK-së brenda në Kosovë, nga të qenit e tyre jashtë Kosove.

Mbrojti Qendrën e Bashkëveprimit Luftarak midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Aviacionit të NATO-s, e cila realizoi një bashkëveprim të shkëlqyer, për të cilin Komandanti i Përgjithshëm i NATO-s në datë 12 qershor 1999 dërgoi me fax mrënjohjen, në të cilën theksohej: “Bashkveprimi më i mirë luftarak në historinë 50 vjçare të NATO-s”. Ishte ai bashkëveprim që realizoi çlirimin e Kosovës pa qenë nevoja që NATO të ndërhynte me forca tokësore, për të cilin diskutohej çdo ditë në instancat e larta ndërkombëtare, sikundër del nga libri i gjeneralit Uesli Klark. Dhe kjo është meritë e SHP të UÇK-së, të cilit ia siguruan kushtet e punës forcat e Br.121 “Kumanova”. Mua më ka befasuar dhe më befason fakti se pse e mbajnë fshehur (në mos e kanë zhdukur) këtë vlerësim të Komandantit të Përgjithshëm të NATO-s?! Ndoshta ngaqë  “dashamirëve” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe “profesionistëve” të Koshares nuk u intereson ta publikojnë këtë vlerësim, i cili i bën nder jo vetëm UÇK-së dhe Kosovës, por gjithë kombit shqiptar.

Mbrojti Radion Kosova e Lirë, e cila u vendos në fshatin Berishë, dhe filloi nga transmetimet më 4 janar 1999, duke u bërë një armë e fuqishme për edukimin politik e ushtarak të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të masave të gjera popullore në Kosovë. Ajo radio shërbeu si një tribunë për demaskimin e politikës pacifiste me konstatimin se “nuk është koha për luftë të armatosur”; duke ngjallur te populli urrejtjen e pakufishme ndaj pushtuesit dhe propagandistëve kundër luftës së armatosur.

Mbrojti Agjencia e Lajmeve Kosovapress e vendosur në Fshatin e Ri, duke filluar nga transmetimi i lajmeve më 4 janar 1999, duke u bërë për të gjitha mediat kombëtare e botërore prezantuesja e së vërtetës për luftën e drejtë të popullit shqiptar në Kosovë dhe për luftimet e sukseshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; kjo Agjenci, përmes lajmeve dhe komenteve të saj politike e ushtarake bëri të mundur që lufta e jonë çlirimtare të pëkrahej nga e gjithë bota demokratike.

Unë kam qenë në Malet e Berishës dhe rreth maleve të Berishës në ditët e Luftës Çlirimtare. Fashistët serbë gjatë operacionit të verës së vitit 1998 i kishin kthyer fshatrat e vendosura në malet e Berishës në një shkretëtirë. Kaloje një fshat, dy, tre, dhjetë dhe kudo syri s’të zinte veçse gërmadha. Ishin këto fatkeqësi që e frynë shpirtin luftarak të asaj popullsie. Por kam qenë edhe para një muaji, por….., nuk është vendi të flas për të sotmen. Në shtëpitë e këtyre fshatrave unë pashë se si ishte lufta dhe se si bëhet lufta popullore; pashë se ç’do të thotë popull-ushtar; pashë si u shporr lufta andej nga erdhi: nga Beogradi. Në këto 35 fshatra në muajt e fundit të luftës ishte vendgrumbullimi më i madh i popullatës, të cilin makineria ushtarake serbe, edhe pse e goditi pa ndërprerje nga të gjitha anët, madje edhe nga ajri me aeroplanë bombardues, nuk arriti ta demoralizoi atë popull; nuk arriti t’i pushtojë ato 35 fshtra këto 260 ditë; nuk arriti të depërtojë në Malet e Llapushnikut e të Berishës, të Kleçkës e fshatrave të tjera të Rrafshnaltës, edhe pse kishte premtuar se sapo të pushtonte atë pjesë të Kosovës, atje do ta ndërtonte një Stadium të madh të futbollit. Dhe kjo është meritë e Br.121 “Ismet Jashari-Kumanova”.

Gjë që ju oficerët profesionistë që luftuat në Koshare, nuk e patë dhe nuk kishit sit a shihnit se si u mund armiku para këtyre fshatrave, pasi, sikundër na tha gjeneral Hyseni, ju e patë ikjen e tyre në datën 19 qershor kur u erdhën tek ju forcat e KFOR-it. Ndërsa unë, 5000 luftëtarët e Zonës së Parë e të Dytë Operative dhe gati 150.000 pleq, gra dhe fëmijë të atyre fshatrave dhe të shpërngulurit nga Drenica e Llapusha, grumbulluar në Malet e Berishës gjatë atyre 12 ditëve të para të oprracionit “Patkoi”, në përballje me gati 50% të forcave të ushtrisë së rregullt serbe, e pamë në mëngjesin e 1 prillit 1999, kur u shpërthye rrethimi dhe iu tha Operacionit famëkeq “Patkoi” të Serbisë: SHPORRU!

Në fundin e lartësive të Maleve të Berishës ishin hapat e fundit që operacioni “Patkoi” nuk mundi të vijonte më tej. Në vend që  ai operacion të shuante luftën tonë, ishin ky popull dhe kjo UCK që e bënë të merrte përparësinë e luftës kundër akmikut.

Aty unë pashë se çfarë është uria masive, por pashë njëkohësish se si si nënat, atë ditë që i thamë armikut: Shporru nga Kosova!, bënin çmos që fëmijëve të mos u mbetej pa u festuar ajo fitore në ndonjë mënyrë a gëzim tjetër: ato gjenin ndonjë copë bukë të tepërt, që në ato ditë ishte një dhuratë fort e madhe, dhe ua jepnin fëmijëve, ndërkohë që ju që drejtuat luftën në Koshare dhe forcat që ju komandonit ndodheshit akoma në Papaj, pasi nuk ishit angazhuar akoma në luftë. Kur ju u angazhuar në luftimet e 9 prillit 1999, kjo popullsi kishte një javë që festonte fitoren e çlirimit, pasi për ushtrinë serbe në Kosovë e kishte marrë ferra uratën.

Sikundër shihet: Është trimëria e këtij populli që na bëri ne trima. Heronjtë njihen vetëm kur shpëtojnë popullin e vet nga vdekja e sigurtë. Ju që komanduat në luftën në Koshare, pa na thoni, kë shpëtuat?

Është ky popull hero, që e solli lirinë dhe jo disa komandantë. Qindra mijëra njerëz u thurrin lavdi shumë komandantëve të formacioneve të ndryshme në Kosovë; kurse vetë ky popull dhe ish-luftëtarët e Br.121 “Kumanova” dhe Br.138 “Agim Ramadani” nuk e dinë se kanë kryer ndonjë akt heroik: ata mendojnë se kanë zbatuar thjesht detyrën e ushtarit të Atdheut. Është ky heroizëm masiv që më frymëzon të shkruaj këto pak rreshta, duke e ditur se kjo s’është asgjë në raport me sakrificat që ata kanë bërë.

Dhe këtë respekt më së shumti ma ka ngulitur në zemër një dialog shumë i shkurtër i një foshnje me nënën e saj, dialog që ma kapi veshi rastësisht në mesnatën e 31 marsit 1999, në fshatin Divjakë, mes tre shtëpive të Nezir Selim Zogaj, ku qe vendosur selia e Shtabit të Përgjithshëm, në kohën kur po shkoja në godinën ku ishte sistemuar Drejtoria Operative, dhe ku më prisnin të diskutonim për mënyrën se si do të shpërthehej atë natë rrethimi. Kishte aq shumë popull të grumbulluar e ulur mes borës e nën shi, të mbuluar me plastmase a batanije, ku “nuk kishe vend ku të hidhje mollën”. Dëgjoheshin veç krisma të largëta mitralozësh dhe artilerie. Duke ecur me vështirësi përmes kësaj mase gjigande njerëzish të të gjitha moshave dhe, në moment që dëgjova zërin e asaj foshnje që pyeste mëmëm a gjyshen e saj, (që ishin sistemuar nën një plastmas të madh, nën të cilin kishte shumë gra e fëmijë të tjerë), mbajta këmbët në momentin kur dëgjova zërin e asaj foshnje:

Serbët, nënë, si janë?

Dhe unë tërë kureshtja qëndrova në vend dhe bëja sikur kërkoja diçka nëpër xhepa, për të dëgjuar se si do t’i përgjigjej mëma apo gjyshja asaj foshnje. Dhe më befasoi ajo përgjigje profetike e asaj gruaje që foli:

E, si të ta thotë nëna, shpirti nënës . . . Serbët, të keqen nëna, vrasin e presin,… por nga pushka e babit tënd një ditë do të vdesin!

Dhe, duke u larguar, m’ u kujtua një thënie filozofike që s’di se kur e ku e pata lexuar dikur: “Mendimi i një femre të padjallëzuar e me shpirt femëror, hera-herës është më i mençur se mendimi i të urtëve.” Dhe thashë me vete: “Luftën e kemi ta fituar, se e kemi gjithë popullin me vete”. Dhe eca drejt godinës ku më prisnin shokët për të diskutuar vendimin që do të duhej të merrnim atë natë vendimtare, për të cilën kam kohë që punoj mbi një libër të posaçëm.

Dhe, në mbyllje të kësaj analize krahasuese midis dy brigadave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk e teproj aspak duke i thënë çdo shqiptari në Kosovë e jashtë saj, se sikur armiku gjatë operacionit “Patkoi”do të kishte mundur të pushtonte këtë hapësirë malore të Kosovës, të cilën e mbronte Br.121 “Ismmet Jashari-Kumanova”, jo vetëm që UÇK-së do t’i thyhej shtylla kurrizore e saj, gjë që armiku do t’i kishte krahët e lirë për ta shtyrë zonën e Dukagjinit, të Pashtrikut dhe të Nerodimës drejt Shqipërisë, duke i krijuar Millosheviçi mundësinë ta pastronte përfundimisht pjesën jugore të Kosovës, më e populluara, duke  e vënë botën para faktit të kryer: “Nuk është e vërtetë se ka shqiptarë në Kosovë.”

E tillë është vepra e kësaj brigade heroinë, pjesë e Zonës së Dytë Operative, drejtuar nga komandantët dëshmorë: Ekrem Rexha dhe më vonë nga Tahir Sinani. Kush nuk e di, le ta mësojë e të mos ulërasë nga smira e xhelozia.

Fakti që pas pesë muaj luftimesh pothuajse të pandërprera, në kushtet më të disfavorshme që mund të përfytyrohen, forcat e kësaj brigade mundën t’i qëndronin një kundërshtari shumë më të madh në numër, është diçka që e nderon pa masë trimërinë dhe qëndresën e tyre. Si e tillë, kjo brigadë e ka mbuluar veten me një lavdi të merituar.

Me këtë rast dua t’i drejtohem, së pari, Kryeministrit Ramush Haradinaj: janë këto nëna dhe gra fshatare që duhen shpërblyer me pensione të përjetshme me 1000 Euro në muaj, dhe jo ato gra që kanë bredhur me burrat e tyre nëpër Evropë kur këto nëna e gra luftonin dhëmbë për dhëmbë me vdekjen bashkë me fëmijët e tyre që çliruan Kosovën.

Së dyti, e kam me Presidentin Thaçi, i cili me mos-vlerësimin dhe mos-dekorimin e kësaj brigade heroinë ka bërë vetëvrasje. Ai do t’i bënte nder vetes nëse  u kërkon ndjesë dhe u bie në gjunjë efektivave të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova” dhe nënave të atyre 37 fshatrave që nuk i ka përmendur e dekoruar një për një ata dhe atë brigadë; duke i kujtuar se janë këta luftëtarë e ky popull që shpëtuan edhe jetën e vetë Thaçit.

Së fundi, u bëj një kërkesë skulptorëve dhe piktorëve prej Kosove, jashtë e brenda saj, të përjetësojnë me një monument madhështor Nënën Fshatare Kosovare duke ushqyer burrat, djemtë dhe vajzat e asaj lufte nëpër pozicione, pasi atë luftë ato nëna e mbajtën në këmbë, dhe se boll u lodhën duke u servilosur të huajve dhe ca palo komandantëve.

Shënim: Një pjesë e disa  dhënave janë marrë prej fotoalbumit “Popull dhe ushtarë të pandarë”, me autor  Naim Bujupi, ish-shef për Marrëdhënie Ushtarako-Civile në Brigadën 121 “Ismet Jashari – Kumanova”, Prishtinë, 2018

(vijon)

Tiranë, 5 qershor 2019

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Sot është dita e tretë e ofensivës së përgjithshme të forcave ushtarake e policore serbe. …